Këtë herë ajo kthehet si Carmen, në baletin që do të vijë premierë mbrëmjen e kësaj të hëne në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Anbeta Toromani ka thuajse një dekadë që nuk ka interpretuar në këtë skenë, ndaj kjo shfaqje është një moment i rëndësishëm për të.

“Unë kthehem mbas disa vitesh me kënaqësi dhe me vështirësi… kemi bërë maksimumin që mund të jepnim. Është një rol që më ka vënë në diskutim, sepse nuk jam aspak karakter i Carmen-it, por me sa duket diku brenda meje paska qenë një Carmen.”, thotë balerina Anbeta Toromani.

Me muzikën e pavdekshme të Georges Bizet dhe koreografinë e Amedeo Amodio, produksioni sjell një interpretim modern të historisë së njohur të pasionit, lirisë dhe fatit.

“Është një balet që është akoma shumë i freskët. E kam për nder të performoj këtë balet, për shkak të maestros, se është i pari që më ka thirrur për ta bërë. Më pëlqen gjuha e tij e dhe karakteri i tij në balet. Duket një balet i bërë në këto ditë, i sotshëm. Kështu që nuk vë në vështirësinë për të mos qenë vetvetja, është ekzaktësisht e kundërta: gjen mënyrën për të qenë absolutisht vetvetja.”, vijon balerina.

Rikthimi i saj në këtë skenë nuk është thjesht një performancë, por një zgjedhje e vetëdijshme artistike, në një moment të veçantë të karrierës.

“Jam në një fazë ku zgjedh vetëm gjërat që më prekin… nuk është më për të provuar diçka, por për të përjetuar diçka që më ushqen si artiste.”, thotë Toromani.

Në këtë produksion, ajo ndan skenën me emra të njohur vendas dhe ndërkombëtarë si Alessandro Macario, Luca Curreli dhe artistë të trupës së TKOB, si Dion Gjinika.

“Unë me Anbetën kemi qenë në një klasë, në një kurs dhe sot jemi këtu në një skenë në teatër mbas 25 vjetësh. Është një eksperiencë shumë profesionale… kemi punuar rreth dy muaj dhe nuk ka qenë aspak e lehtë. Është një produksion që i duhet trupës sonë.”, thotë balerini Dion Gjinika.

Koreografi Amedeo Amodio sjell një version ndryshe të “Carmen”, duke ndërthurur simbolikën dhe një rrëfim që nis nga fundi tragjik i historisë.

“Versioni im fillon me fundin e aktit, me ciganët që kërcejnë të lumtur. Ndërsa kërcejnë, të gjithë festojnë. Pastaj, në një moment të caktuar, skena lëviz dhe Carmen, e veshur me të bardha, dëshiron të shkojë te Don Josè, për t'i thënë se e do. Ajo ecën ngadalë. Lëviz dhe hija nuk i përgjigjet më lëvizjeve të saj. Ai praktikisht po e paralajmëron. Ki kujdes, sepse është në rrezik. Ajo i afrohet, zbulon fytyrën me vellon e bardhë. Ai tërbohet. Dhe ajo vdes dhe hija tërbohet.”, thotë koreografi Amedeo Amodio.

Për vetë Toromanin, ky rikthim ka edhe një dimension tjetër: vëmendjen ndaj brezit të ri dhe nevojën për të investuar tek talenti shqiptar.

“Talenti nuk mungon… por talenti është vetëm 30%, puna është 70%. Duhet t’u japim mundësi të rinjve të rriten.”, përfundon balerina.

Krahas Anbeta Toromanit, Carmen do të interpretohet edhe nga Adela Muçollari, në një premierë, ku bashkohen arti, pasioni dhe eleganca. Shfaqjet do të vijojnë edhe në 5, 9 dhe 10 maj, ndërsa është parashikuar që baleti të shfaqet edhe në Bolonjë.