Ditë e mbarë për peshkatarët e Vlorë në zonën e Lungomares. Me varka të vogla dhe çdo ditë në det, kjo e mërkurë ka rezultuar mjaft e suksesshme për ta.
Dhjetëra qytetarë, por edhe të huaj që jetojnë në Vlorë, i janë drejtuar zonës së Lungomares për të blerë peshk të freskët. Sipas tyre, peshku i kapur me rrjeta nga peshkatarët vendas është shumë i freskët, por edhe me çmim më të lirë krahasuar me atë që tregtohet në subjektet tregtare.
Vetë peshkatarët theksojnë se çdo ditë sjellin produkte të freskëta, por jo gjithmonë dita është e mbarë si kjo e sotmja.
Në Vlorë, peshkatarët mund t’i gjesh në disa zona të bregdetit, ndërsa sipas qytetarëve, ata preferojnë ta blejnë produktin e freskët direkt nga varkat.
“Rastisëm këtu, është i freskët, morëm nga sa mundëm një çikë. Këtu gjen çdo ditë jo rrallë. Në dyqan mund të jetë dhe i pardjeshëm. Çdo gjë e freskët është më e shijshme. Kur është e mirë mblidhen njerëzit të gjithë, plus dhe e lirë është”,- tha një qytetar.
“Mirë ishte 5 mijë lekë, mirë ishte”,- tha një zonjë për çmimin.
Në Vlorë, peshkimi është pasion. Çdo ditë mund të shohësh peshkatarë që me varkat e tyre të vogla ushtrojnë këtë zanat, jo vetëm si pasion, por edhe për të ndihmuar familjet e tyre. Mbi të gjitha, ata sjellin për konsumatorët një produkt të freskët dhe cilësor.
Komente











