Rruga e shembur në Librazhd nuk po shton vetëm koston e kohës për qytetarët. Për ata që duan të shkojnë në Korçë, rrugët alternative e bëjnë kohën e udhëtimit 5-8 orë. Njëkohësisht, tashmë është shtuar kostoja financiare për rrugën Gramsh-Maliq sepse çmimi i biletave të minibusëve është rritur me 300 lekë.
Bileta tani kushton 1000 lekë duke e bërë tepër të kushtueshëm për qytetarët një udhëtim vajtje-ardhje. Si të mos mjaftonte kjo, tani vështirësohet edhe furnizimi ushqimor. Në një lidhje direkte me “Studio Live” në Report Tv, Bujar Muço nga Shoqata e Biznesit të Vogël në Korçë, shpjegon se do të krijohet një ngërç për lëvizjen e mallrave nga dhe drejt qytetit.
Ai thotë se fermerët e kanë të vështirë të shesin produktet, ndërsa furnizimet nga qytetet e tjera po ashtu do të jenë të vështira. Kjo do të rrisë direkt koston e tyre për konsumatorët dhe bizneset, ndërsa rrugë alternative për furnizimin do të jenë RMV e Greqia.
“Në këtë stinë, pjesa më e madhe e furnizimeve me fruta e perime vijnë nga Lushnja, Tirana apo importet e jashtme. Bllokimi i rrugës ka sjellë një pauzë të madhe sepse ka mugnesë të produkteve dhe kosto të shtuar të tyre kundrejt konsumatorit. Duke u bllokuar kjo rrugë, është e pamundur të hyjnë në formë tjetër. Edhe rrugët alternative, është e pamundur të furnizohet me rrugë të mëdha ky treg kaq i madh sa qarku i Korçës, me orë të gjata e kosto të madhe. Mënyrë për t’u furnizuar ka mbetur nga Maqedonia ose Greqia. Është 5 apo 6-fish i çdo produkti dhe ka ndikuar në çmimet e tyre karshi konsumatorit. Kemi mungesë të produkteve bujqësore të dimrit me qepë, patate, hudhër apo mollë që janë të magazinuara dhe makinat e mëdha e kanë të pamundur të furnizojnë. Është një problem i madh në kurriz të bizneseve dhe konsumatorëve”, tha Muço.
Më tej, Muço shtoi se të njëjtat vështirësi do të shfaqen edhe për sektorë të tjerë biznesi.
“Do të ketë mungesë të karburantit. Dihet që karburanti vjen me kamionë nga Durrësi. Nuk e di sa rezerva ka, por besoj se duhet të jenë në limitet e fundit. Fasoneritë që furnizohen me lëndë të parë, të gjithë sektorët do të kenë vështirësi dhe dëme ekonomike të pallogaritshme. Duhet gjetur zgjidhje nga institucionet përgjegjëse”, përmbylli Muço.
Lajmi kryesor:
‘Lumi Shkumbin po shkatërrohet’, eksperti për Report Tv: Inertet e marra mund të mbushin 400 pishina olimpike, rruga u dëmtua nga gërryerja! Reagimi i ARRSH, zhgënjyes!












