TIRANË – Ripërtëritja e Flotës së Peshkimit do të jetë një nga projektet e para të mandatit të ri, “pasi jemi tejet të vonuar”. Kështu ka thënë sot, në konferencën për “Industrinë e detit dhe perspektivat e saj”, Kryeministri Berisha.

Berisha ka bërë një autokritikë për këtë sektor, duke e pranuar faktin se ai ka mbetur skajor, në një vend si Shqipëria, që ka ujëra të bollshme dhe me mbi 600 rezervate, por “ku peshkëzimi bëhet me pikatore”, siç u shpreh ai.

“Ndaj dua të lançoj”, - tha kreu i qeverisë, -“një program kombëtar, që të përdorë të gjitha metodat dhe stimujt për ta spostuar këtë industri, këtë ekonomi, në nivele shumë më të larta sesa ekzistojnë. Hidhni sytë tek flotilja e peshkimit; ata që punojnë me ato anije e kanë të qartë se u ka kaluar me dekada, koha, ndaj duhet investuar. Potencialet për ferma peshku janë shumë të mëdha në Shqipërinë me ujëra të bollshme të ëmbla; ka mbi 600 rezervuare, qindra liqene por që me pikatore, bëhet peshkëzimi i tyre, ose sbëhet fare. Për këtë arsye, i një rëndësie të jashtëzakonshme është ripërtëritja e Flotës së Peshkimit dhe madje do të jetë një nga projektet e para, sepse jemi tejet të vonuar".

"Shqipëria me detrat liqenet dhe lagunat e saj ka faunë të pasur; Adriatiku dhe Joni janë të famshëm për peshqit ndonëse ata kanë në brendësinë e tyre, peshq të specieve më të rralla. Sektori është shumë i rëndësishëm dhe sot merr një rëndësi të veçantë kur kriza ka pllakosur vendet e zhvilluara e bëhet e qartë se beteja më themelore më e rëndësishme, është beteja midis rritjes dhe recensionit. Nuk do të thosha një betejë mes jetës dhe vdekjes, por betejë e jashtëzakonshme.
Është në detyrimin e vendeve të bëjnë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike. Nëse ne hedhim një vështrim në potencialet e këtij vendi, kemi potencial edhe për 10 herë më shumë, por kjo kërkon politika intensive, qëndrime tërësisht të reja ndaj këtij sektori që mund të shndërrohet në sektor të fuqishëm të rëndësishëm të ekonomisë, nga i skajuar që është".

"Kjo temë”, - tha më tej kryeministri, -“ka një rëndësi të madhe sepse vjen në këtë tryezë si gjysëm i harruar; gjysëm i harruar. Duhet të jemi realistë: në tryezën tonë, në traditën tonë, peshku është një rishtar, nuk ekziston një traditë e përhapur në këtë ven. Imagjino një kryetar bashkie që luftojnë kundër ngritjes së porteve të peshkimit. qëndrim indiferent ndaj kësja pasurie”.
 
“Peshkatarët janë heronj të vërtetë”, - tha ai, -“sepse ata bëjnë jetë shumë të vështirë, jo pa rreziqe, mbajnë familjet e tyre jetën e tyre, por pa një mbështetje që meritojnë. Një industri e adminrueshme këto vite është ngritur për përpunimin e peshkut, që fatkeqësisht nuk punon me lëndë të parë të vendit, por kryesisht të importuar. Ky është realiteti”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)