Peshkimi në Lagunën e Karavastasë këtë vit është më i dobëti i regjistruar ndër vite. Sipas kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve, Fitim Malko, shkaqet kryesore lidhen pikë së pari me ndryshimet klimatike.

“Në 1 qershor që ka filluar puna për peshkimin me gjueti tradicionale me dajlanë dhe sivjet ishte viti më i dobët historikisht që është parë këtu në lagunë. Peshku vjen nga deti që riprodhohet në lagunë. Pra varfëria e lagunës fillon që nga deti. Arsye tjetër janë dhe kushtet klimatike të motit. Tjetër është ujë kalimi jo i rregullt. Nuk ka një regjim hidrik të rregullt çdo vit që peshku të ndjekë rrugën e vet dhe të hy në lagunë që të ushqehet edhe të rikthehet”, tha Fitim Malko, kryetar i shoqatës e peshkatarëve.

Një tjetër faktor serioz, sipas Malkos, është peshkimi i paligjshëm.

“Është peshkimi i paligjshëm. laguna është rrethuar gati nga 14 fshatra dhe në çdo fshat ka nga një varkë. Të gjithë janë me motorë të fuqishëm, futen peshkojnë kohë mbas kohe. Janë rreth 150 varka në perimetrin e lagunë. I bie gati 4 varka për kilometër katror”, shtoi ai.

Peshkatarët paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa konkrete për mbrojtjen e lagunave, shumë lloje peshqish rrezikojnë të zhduken. Sipas tyre, disa specie tashmë janë bërë shumë të rralla.

Ekspertet paralajmërojnë se mungesa e sasive të peshkut rrezikon po ashtu edhe largimin e pelikanëve, karabullakuve, çapjeve, flamingove e shpendëve të tjera migratore që ushqehen në këtë habitat.

Situatën e bënë edhe më problematike përhapja e gaforres blu, e cila prej rreth pesë vitesh është kthyer në një kërcënim serioz për ekosistemin. Gjatë një vëzhgimi në dajlane, nga 100 kilogramë të kapur, vetëm 1 kilogram ishte peshk, ndërsa 99 kilogramë rezultuan gaforre.