Peshtani është një fshat i vogël, me vetëm 100 shtëpi dhe rreth 500 banorë, vetëm pak metra mbi grykën e Mezhgoranit.

Çifti Mirela dhe Shpëtim Muka, kanë rrëfyer jetën në fshat, ngritjen e bujtinës turistike dhe lidhjet me turistët skandinavë.

Surprizë në zonë është një minimuze armësh mbetur nga lufta italo greke e vitit 1940 – 1941 dhe përmendorja e poetit dëshmor Trifon Xhagjika.

Mirela Muka, e zonja e bujtinës “Peshtani” flet mbi përgatitjet e fillimit të sezonit të ri turistik në fshat. Telefonatat nga vendet skandinave dhe turistët vendas që pëlqejnë qëndrimin në Peshtan dhe haiking.

“Është fat që jemi këtu në këtë pozicion strategjik. Është një vend i qetë, afër Gjirokastrës dhe Përmetit. Jemi si në mes dhe nëse dikush vendos se do të shkojë në det, në Bënjë apo në Përmet, vendi i parë që u del është Peshtani. Ne do ta shfrytëzojmë dhe duam më që ta shfrytëzojmë. Një çift gjerman më kanë nisur kartolina me rastin e Krishtlindjeve”, tha mes të tjerash Mirela Muka.

Mirela Muka risjell në bujtinën “Peshtani” një minimuze armësh të zbuluara nga lufta italo greke e viteve 1940 – 41.

“Ne kemi mbledhur shumë gjëra. Një ditë gjetëm një pushkë, pastaj një bombë. Duke bërë punë këtu, duke niveluar, gjetëm armët. Që të vegjël, ne ngado që shkonim gjenim gjëra të luftës. Këto janë nga lufta Italo-Greke”, tha mes të tjerash Mirela Muka.