Një 49-vjeçare shqiptare është evakuuar mëngjesin e sotëm me urgjencë me helikopter pasi pësoi goditje në tru ndërsa ndodhej në një traget që lundronte nga Greqia drejt Ankonës.

Pasagjerja u evakuua me helikopterin e Rojës Bregdetare dhe u transportua me urgjencë në spitalin e Chietti-t.

Trageti Ro-Pax “Superfast IX” ndodhej rreth 68 milje larg Pescara-s kur u sinjalizua ngjarja.

Salla operative urdhëroi më pas që trageti të lundronte me shpejtësi maksimale drejt Pescara-s dhe, njëkohësisht, dërgoi në det një anije patrulluese, ndërsa në fluturim u ngrit helikopteri.

Pasi arriti te anija në det të hapur, nisën operacionet për transferimin e 49-vjeçares në helikopter përmes vinçit të instaluar në bord.

Sipas mediave italiane, pasagjerja shqiptare ishte në gjendje të qëndrueshme kur u evakuua, por u dërgua në spital për kujdes shëndetësor të specializuar.