Njëri nga katër protestuesit që gjykata e Apelit në Shkodër i la në burg për dhunën ndaj policisë dhe shkatërrimin e sporteleve ku do të paguhet tarifa e ‘Rrugës së Kombit’ është liruar. Ai është Florin Onuzi 35 vjeç, banues në fshatin Nangë. Ndërsa sipas burimeve të Report Tv ai u lirua nga burgu, pasi pësoi infarkt.

Pas marrjes së mjekimit në spital, 35-vjeçari është dërguar në banesën e tij në Nangë të Kukësit, ndërsa tashmë në burg kanë mbetur vetëm 3 kuksianë nga 23, që u arrestuan fillimisht. Disa u liruan nga Shkalla e Parë, disa nga Apeli, ndërsa tani në burg janë vetëm 3, të cilët dorëzuan cështjen në gjykatën e Lartë për rekurs.

Vasil Laci, Xhevahir Gashi dhe Elton Cengu kërkojnë lirinë në gjykatën e lartë. Prej 16 majit dosja e tyre ka përfunduar në kolegjin penal për rekurs, ndërsa ndryshimin e masës së sigurisë hetim në gjendje të lirë dhe detyrim paraqitje kanë bërë dhe 7 protestuesit e liruar nga Apeli i Shkodrës.