Sigurisht se ai rrëfen edhe plot detaje të tjera që kanë të bëjnë me jetesën e vlerësimet e tij për ditët e sotme, të cilat për arsye se nuk kanë shumë vlera në kontekstin që ne sot po i botojmë, nuk po i japim të plota. Intervista e sotme është botuar në një numër të "Revistave Shqiptare"( origj. "Albanische Hefte"), në vitin 2011, organ i Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri.
* * *
Peter, ti je sigurisht njëri prej atyre që thuajse, qysh nga fillimi, keni punuar për Shoqatën. Çfarë ju nëpërmendet tanimë në mënyrë spontane mbi të?
Shqipëria ndërkohë është gjysma e jetës sime dhe Shoqata DAFG i përket pazgjidhshmërisht asaj.
Nga viti 1978 deri në 1990, ti ke qenë kryetar e DAFG. Cilat aktivitete, nga ajo kohë mund t'i kujtosh edhe sot?
Direkt pas udhëtimit legjendar të të ashtuquajturit "megafoni i kuq" (trupa agjitative e Partisë Komuniste Gjermane /Marksist-Leniniste) në vitin 1978 nëpër Shqipëri, unë u zgjodha Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri (DAFG). Ky udhëtim akoma më del përpara syve edhe sot si një kujtim i afërt, pasi vetëm para pak kohësh, Pandi Laço më bëri edhe mua pjesë të emisonit të tij në TV Klan në Shqipëri, duke më ftuar aty. Ai shfaqte aty materiale arkivore të vjetra të kohës së komunizmit, si për shembull edhe momenitn se si unë kisha mbajtur një fjalim të zjarrtë në parkun kombëtar të Tiranës, pas shfaqjes së "megafonit të Kuq" kundër dy superfuqive, SHBA dhe ish-BRSS, dhe ku shihej publiku që shpërthente i tëri, si masë kompakte në duartrokitje frenetike. Ky udhëtim me shfaqje në të gjithë Shqipërinë, na preku asokohe shumë ne të gjithëve, saqë edhe pas tij, vit për vit organizoheshin takime përkujtimore për të nga ne, organizatorët. Në 70-vjetorin e ditëlindjes sime, sëbashku me Susanne Jensen, drejtuesja e atëhershme e grupit të agjitacion-propagandës, i rikujtuam me këtë rast edhe njëherë këngët e vjetra shqiptare. Nga viti 1977, pastaj DAFG në mënyrë të rregullt parfaqësohej me një stendë të veten në Panairin e Frankfurtit, të cilin e menaxhonim unë dhe Rüdiger Pier. Të gjitha lajmërimet bëheshin qysh një vit përpara se të niste aktiviteti, por ne nuk e dinim kurrë se sa persona dhe kush do vinte nga Shqipëria. Kjo gjë na bëhej e ditur shpesh në monmentin e fundit. Kështu, ndodhi edhe njëherë kur fare papritur - ishte viti 1982 - që Ismail Kadare na vjen në Frankfurt. Ai më pas u zhgënjye shumë që ne nuk kishim organizuar për të ndonjë program të madh. Si mund ta bënim një gjë të tillë, kur gjërat na bëheshin të ditura në minutën e fundit? Kadare asokohe në Gjermani ende nuk ishte i njohur, dhe nga veprat e tij, e vetmja që ishte botuar në gjermanisht, ishte ajo e Shtëpisë Botuese "Claassen", me titull: "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur". Ne pastaj sollëm në panair shumë vepra të tjera, por askush nuk interesohej për Kadarenë. Ismail Kadare kishte shumë qejf të qëndronte në të njejtin Hotel (Marriott ose Plaza), ku rrinin edhe Hajnrih Bëll apo Gynter Grass, por duke parë se aty nuk kishte më thuajse asnjë vend të lirë, ne nuk mund ta financonim dot atë. Fatkeqësisht, ai duhej të gjente strehë në një lagje disi më të leverdisshme pranë stacionit qendror të Frankfurut. Dëshira e tij ishte më pas që ne t'i siguronim një kondicioner për shtëpinë e tij në Tiranë. Deri në atë kohë, unë vetë akoma nuk e dija se çfarë ishte kjo edhe për vete, sepse një gjë e tillë akoma s'kishte dalë madje as në tregun gjerman. Mua më kujtohet më shumë fakti se, na brente shqetësimi nëse ne mundeshim t'ia gjenim dot - megjithë të gjitha vështirësitë - atij këtë kondicioner. Aktiviteti im i parë i madh si kryetar i DAFG, ishte ekspozita e karikaturave, e cila u organizua në nëntor të vitit 1987, nën kujdesin e Departamentit të Kulturës të Ministrisë së Jashtme, në Koblenz. Ndërsa Ilir Pojani, pas çeljes së saj, duhej të kthehej menjëherë, Dhimitër Ligori duhej të qëndronte edhe më shumë se dy javë të tjera në Gjermani. Unë asokohe udhëtova me të më pas rreth e rrotull Gjermanisë, e nga ajo kohë mbaj kujtime të mira deri sot e kësaj dite dhe e kemi ruajtur miqësinë. Ekspozita ishte një sukses imadh, ajo u çel në thuajse të gjitha landet gjermane, në Kehl mbi Rhein, Hamburg, Dortmund, Nyrenberg etj. Një vit më vonë, në shtator 1988, ajo përbënte edhe ekspozitën shoqëruese të ekspozitës së madhe arkeologjike "Thesare nga vendi i shqiptarëve" në Muzeun romak e atë të Pelicaeut në Hildeshajm, e cila u çel në korrik 1988. Kjo ekspozitë ishte asokohe një event i madh kulturor, që shoqëroi edhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës Federale Gjermane dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, më 15 janar 1988. Kështu, të dy Ministrat e Jashtëm, Reis Malile dhe Hans-Ditrih Gensher, u bënë edhe "kujdestarët" e ekspozitës. Si kryetar i Shoqatës së Miqësisë, unë isha i ftuar në çeljen e ekspozitës në një darkë festive, sëbashku me dy ministrat në fjalë. Si organizata e vetme, e cila asokohe lejohej të mbante e të kujdesej për kontakte kulturore e politike me Shqipërinë, ne ishim pra të pranishëm në çdo event. Kështu që natyrisht, unë mora pjesë edhe në fluturimin e parë që ndërmori "Lufthansa" drejt Tiranës, në vitin 1989. Pas Inge Junck-ut, unë isha i dyti Kryetar i Shoqatës. Sëbashku me Rüdiger Pier dhe Alfred Lorenz, puna jonë konsistonte në faktin se Shoqata, në fund të viteve 70-të, tashmë po shkëputej nga kthetrat e Partisë Komuniste Marksist-Leniniste Gjermane (KPD/ML), e duhej të kthehej në një shoqatë të mirëfilltë e të pavarur miqësie. Ekspozita e karikaturave ishte në këtë drejtim, një sukses i parë. Ne, asokohe dëshironim të përziheshim ngado dhe kështu që edhe ishim të rekomanduar e thirreshim për të dhënë këshillat tona për çështjet e këmbimeve kulturore e shkencore. Për shkak të marrëdhënieve tona të mira me institucioent shqiptare, gjithsesi pas rrëzimit të komunizmit në vitin 1991, ne tashmë priteshim gjithmonë me skepticizëm të madh. Sepse DAFG tashmë nuk ishte më i nevojshëm për të krijuar lidhje e kontakte, pasi shumica e njerëzve e organizatave, nisën qysh prej asaj kohe të ndërtojnë kontakte me Shqipërinë, e kështu që ne fatkeqësisht, u zhvendosëm në periferi të vëmendjes. Por deri më tani, akoma ekziston interesi për shoqatën tonë, dhe botimet tona me titull": Fletorja Shqiptare" bien shpesh në duar të miqve të Shqipërisë, gjë të cilën unë e kam bërë me zell gjithmonë, duke shpërndarë e gjetur mirënjohjen e miratimin konkret.
Nga viti 1974 deri në 1977, ti ke punuar në Radio "Tirana". Çfarë mund të na thoni për atë periudhë?
Po, sëbashku me ish-bashkëshorten time, pastaj mua m'u desh të kaloja tri vjet e tri muaj në Shqipëri. Në fakt, ne donim të qëndronim vetëm dy vjet, por, kur ne pas një viti arritëm të mësonim relativisht mirë shqip e nuk ia kishim më nevojën përkthyesve, aplikuam për zgjatje të lejeqëndrimit edhe për një vit tjetër, çka edhe na u miratua. Paraardhësi ynë "Schorsch dhe Claudia" - emrat e të cilëve në fakt përbënin pseudonime, e unë madje nuk i di akoma emrat e tyre të vërtetë - më kishin gjetur si pseudonime emrin "Georg Merkel". Më vonë, ne hoqëm dorë nga pseudonimet, porse posta shqiptare, vijonte akoma të vinte nën emrin e adresën e "Georg Merkel", deri në vitin 1990 në Tiranë. Ne asokohe, nuk banonim akoma në kompleksin e Vilave Gjermane, siç njihet sot, porse në një kompleks shtëpish trekatëshe buzë Lanës, përballë ekspozitës "Shqipëria sot". Në banesën tonë banonte edhe një çift francez. ..dhe familja Taylor nga Zelanda e Re, të cilët edhe ato punonin, ashtusikurse dhe ne, në Radio "Tirana". Kështu që përveç shqipes, kisha nisur të mësoja edhe frëngjisht. Ne u përqëndruam në punë e mësim, pasi gjendeshim në një izolim të çuditshëm e shumë strikt. Ishim të shkëputur plotësisht nga një jetë normale. Nëse do na duhej të ndërmerrnim fluturime, duhej të lajmëronim më parë në Radio, e cila kujdesej pastaj që të sillte një makinë- Fiat Polski - me shofer. Por kur ne pastaj mund të flisnim shqip, u bë pak më mirë ky problem, e kështu që mund të lëviznim rregullisht me autobus apo me tren për në Durrës, në plazh. Kjo në fakt nuk ishte e lejuar, pasi ne posedonim lejeqëndrimi vetëm për në Tiranë, e normalisht na duhej "Leje qarkullimi", por në fakt ne nuk patëm kurrë ndonjë problem për këtë. Sidoqoftë, deri në atë kohë ne nuk kishim dëgjuar kurrë nga shqiptarët ndonjë fjalë të keqe për shtetin apo për politikën, kështu që ne na ishte krijuar bindja e plotë se shqiptarët e donin vetë me bindje atë regjim. Vetëm në prill 1991 - kur unë sapo kisha shkuar për vizitë tek Valdete Sala - kur policia në Shkodër kishte qëlluar mbi katër demonstrues, u lexua vendimi i komisionit të posaçëm parlamentar në TV mbi atë ngjarje. Raporti përmendte edhe parullat që brohoriteshin në demonstratë, ndër të tjera "Enver - Hitler", e aty fëmijët e Valdetes shpërthyen në entuziazëm: "parullat tona në TV!". Mua më ra në sy krahasimi disi ekstrem. Por parë nga perspektiva e sotme, Enver Hoxha në fushatën e tij të terrorit të brendshëm, duket se ka lënë me distancë prapa edhe Hitlerin: në Gjermani kishte gjithmonë forma të ndryshme të rezistencës, kurse në Shqipëri përkundrazi, çdo përpjekje ishte e ndaluar e mbytej në embrion. Emisionet e Radio Tiranës, bëheshin nga redaktorët shqiptarë, të cilët punonin e mendonin në mënyrë krejt skematike. Mua më kujtohet një raport mbi marshet e Pashkëve në Gjermani, ku pretendohej se, mijëra demonstrues kishin protestuar kundër dy superfuqive dhe se kishin marshur përgjatë një dite nga Frankfurti në Regensburg. Ne protestuam dhe ia bëmë me dije se këto qytete ndodhen rreth 300 km larg njëri-tjetrit. Pas kësaj, kjo fjali në emisonin në gjermanisht, nuk u përmend më, por jo në të gjitha gjuhët e tjera, dhe ky marsh i famshëm gjeti vend edhe në rreshtat e "Zëri i Popullit". Nga fundi i vitit 1975, ia nisi një valë spastrimesh në Tiranë, në kuadër të së cilës u prek edhe Valtraud Bejko, përkthyesja jonë në Radio Tirana, e cila kishte mbështetur në një mbledhje ish-drejtorin e RTV, Todi Lubonja, e që u largua në Kukës, po ashtu edhe përkthyeses sonë të dytë, Erika Permeti-Toptani, e cila i përkiste një "familjeje të keqe",iu ndalua puna e mëtejshme në radio. Ne, nga këto spastrime nuk po kuptonim thuajse asgjë se për çfarë bëhej fjalë. Ne nuk u informuam, asnjë fjalë s'na thanë! Kolegët tanë shqiptarë na dhanë në dorë nga një libër që fliste për diktaturën e proletariatit si material mësimor, por edhe nga kjo, ne nuk është se "u iluminuam". Por kur më pas edhe Robert Shvarc, përkthyesi ynë i fundit na iku në spital, atëherë ne na u desh ta bënim vetë punën e përkthimit. Në atë kohë, ne kishim një dokument të rëndësishëm në dorë, projektin e Kushtetutës së re, për t'a përkthyer. Në fakt, edhe ne e morëm me shumë seriozitet, dhe i gjithi u botua nga Shtëpia Botuese "8. Nëntori" në gjuhën gjermane. Kur gjithçka ishte gati, u konstatua se ne fjalën " e drejta e faljes" së kreut të shtetit shqiptar, e kishim përkthyer si "e drejta e fjalës". Kjo shkaktoi një skandal të vogël, porse më në fund mund të korrigjohej me një listë gabimesh të botuara në fund të librit. Unë duhet të them se nëpërmjet përkthimit të shumë artikujve specifikë, në shumë sfera, edhe unë munda të mësoj siç duhej gjermanisht. Por në fillim të vitit 1982, pas valës së spastrimeve kundër Mehmet Shehut, besimi im tek PPSH tashmë ishte shuar plotësisht. Mehmet Shehu u njollos si "poliagjent", që kishte punuar për shërbimet e fshehta jugosllave, amerikane, angleze njëkohësisht. Kur ai pastaj u cilësua edhe si "Agent 008" ( kështu peretendohet se ka qenë pseudonimii tij!) nga Sigurimi, atëherë të gjitha justifikimet e mundshme për mua tashmë ishin qesharake. Në vitet 90, unë arrita të takoj të birin tij, Bashkim Shehun, e ky i fundit deri në atë kohë nuk dinte nëse babai i tij ishte vrarë apo vetvrarë, e as ku ishte varrosur.
Sot ti ke një shtëpi pushimi në Dardhë, kështu që ti ndodhesh rregullisht për kohëra të gjata në Shqipëri. Çfarë vlerëson ti për Shqipërinë e sotme më shumë.
Unë, siç e thashë, e bëra lidhjen e parë timen me Dardhën, nëpërmjet ekspozitës së karikaturave. Por unë e njoh atë fshat në fakt, qysh më parë. Ish-drejtori i Radio Tiranës, Kiço Pandeli, vinte nga Grapshi, një fshat në afërsi të Dardhës. Dhe Kiço nuk linte mundësi t'i ikte duarsh, t'i shoqëronte bashkëpunëtorët e huaj të Radio Tiranës, drejt bukurive natyrore të Korçës e rrethinave. Dardha asokohe ishte një fshat i njohur dhe qendër shumë e preferuar pushimesh, të cilën unë e kisha vizituar pra qysh në vitin 1975 për herë të parë. Kisha e Dardhës ishte edhe mensa e Shtëpisë së Pushimit dhe mua më kujtohet akoma mirë e ngrëna atje. Ngaqë fshati me shtëpitë e tij karakteristike të vogla, të mbuluara me rrasa guri ishte shumë i bukur, ne udhëtonim atje rregullisht me grupe dhe edhe kalonim netët atje. Natyrisht se ne, për këtë, na duhej një leje e veçantë, pasi ishte zonë kufitare, dhe për shëtitje në zonën përreth, as që bëhej fjalë. Më parë, e gjithë Shqipëria ishte një vend turistik përrallor, njeriu ishte plotësisht i izoluar, nuk kishte as gazeta e as TV, vetëm tek-tuk, pakëz radio. Kështu që edhe sot e kësaj dite në Dardhë, unë e ndjej veten si të izoluar, të qetë, të shtendosur. Unë mund të kaloj orë të tëra nëpër male me alpinizëm, pa parë një "shpirt" njeriu. Tiranën e zhurmshme, nuk mund t'a duroj dot.
*Nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë, Gjermani-Shqipëri. Materiali u përkthye dhe u përgatit për botim nga Armand Plaka.
Shkrimi u publikua ne Shqiptarja.com print, 18 janar 2013