Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se “kthimi i komunave serbe në veri të Kosovës te populli” dhe “forcimi i mëtejshëm i komunave serbe në jug të Ibrit” është me rëndësi të madhe për “të ardhmen, të mirën dhe mbijetesën e popullit serb”.
Këto deklarata Pektoviq i bëri pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët më 5 dhjetor morën pushtetin në komunat me shumicë serbe, përfshirë katër komunat në veri.
Takimi u mbajt në Rashkë, në jug të Serbisë.
“Po vijnë kohë më të mira edhe në Kosovë”, shkroi Petkoviq në Instagram.
Ai shtoi se “Serbia, nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, është gjithmonë aty për të mbështetur popullin e vet” dhe për të “siguruar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.
Përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, e morën pushtetin lokal tri vjet pasi serbët në mënyrë kolektive u larguan nga institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi me disa vendime të Qeverisë së Kosovës.
Kryetarët e rinj serbë bënë betimin duke respektuar simbolet dhe ligjet e Kosovës.
Zyra e Bashkimit Evropian e mirëpriti “dorëzimin “pa probleme” të qeverisjes komunale, përfshirë edhe në katër komunat në veri.
"Ky është një hap i rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen", u tha në një njoftim të publikuar në Facebook.
Komuna me shumicë serbe në veri u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 dhe më pas bojkotuan zgjedhjet.
Gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të tetorit të këtij viti, Lista Serbe e kishte pranuar se kishte gabuar kur ishte larguar nga institucionet dhe kishte theksuar se ky vendim ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve./REL
Komente








