Petrit Vasili: Ftesa e Ramës?
Unë dëgjoj çfarë thotë Ilir Meta

Petrit Vasili: Ftesa e Ramës?<br />Unë dëgjoj çfarë thotë Ilir Meta
TIRANE - Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh dhe nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili është shprehur në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” se koalicioni me PD ka funksionuar realisht, duke përmendur dhe arritjet në këto katër vite por dhe vendosjen e një standardi me këtë koalicion.

Njëherësh në lidhje me ftesën e kreut të PS Edi Rama për një aleancë mes PS dhe LSI, Vasili ka injoruar ftesën e tij, duke u shprehur se për këtë do dëgjonte vetëm Ilir Metën. Ndërsa përsa i përket koalicionit me disa parti të tjera, si FRD, AK apo dhe PBDNJ numri dy i LSI ka nënvizuar faktin se për këtë vendos Konventa Kombëtare dhe deri atëherë do jetë mundësia për të parë të gjithë programet e partive politike për të vendosur më pas përmes strukturave të partisë për koalicionin.

Vasili nuk ka munguar të deklarojë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë një rëndësi jetike për integrimin e Shqipërisë në BE, duke nënvizuar se është detyrë e partive politike që ta arrijnë këtë gjë.

Ndërkohë që është shumë e rëndësishme sipas tij që politika shqiptare të tregojë para partnerëve tanë ndërkombëtarë por dhe para qytetarëve shqiptarë që është në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke shprehur bindjen se Shqipëria ka potencialion e duhur për të bërë zgjedhje të mira dhe të pakontestueshme.

Por njëherësh Vasili ka kërkuar që dhe vrasja e kryekomisarit Lamaj të mos politizohet për interesa të ngushta partiake, pasi jo vetëm që do të polarizohet më tej politika, por dhe është shumë e dhimbshme për familjarët të cilët presin vetëm dhënien e drejtësisë për këtë ngjarje të rëndë të ndodhur ditë më parë.

Ka shpërthyer një debat në lidhje me gjendjen në Policinë e Shtetit, pas vrasjes se kryekomisarit Lamaj dhe publikimit të disa fotove të të akuzuarit për vrasjen me krerët më të lartë të Policisë së Shtetit. Komenti juaj dhe mendoni se duhet shmangur politika nga këto debate…?

Ngjarja e vrasjes së komisarit Lamaj është shumë e rëndë dhe është e disata që ndodh. Mendoj se i gjithë politizimi dhe diskutimi banal që i është bërë çështjes nuk ndihmon aspak për të.

Duhet shmangur çdo politizim si dhe nxjerrja e kapitaleve politike si dhe skenave të shëmtuara nëpër media dhe në Paralamentin shqiptar duke inskenuar protagonizma teatrale boshe dhe duke shkëmbyer akuza politiko-personale të ndërsjellta që në vetvete janë vetëm një shoë deprimues dhe që harron sa e rëndë është ngjarja vetë.

Përgjigja e vetme që pret familja dhe të gjithë shqiptarët është gjetja e fajtorëve dhe dalja e përgjegjësisve në të gjitha nivelet për këtë ngjarje dhe çuarja e tyre përpara drejtësisë dhe dhënia e një dënimi shumë të ashpër dhe shembullor që askush më tej të mos guxojë të ngrerë dorën mbi policinë si garante e rendit dhe qetësisë në këtë vend, por edhe si luftëtare e vijës së parë kundër krimit të organizuar dhe atij ordiner.

Vetëm disa kohë para zgjedhjeve, të gjithë ndërkombëtarët kanë kërkuar një proces të drejtë dhe të ndershëm zgjedhor, si një element kyç për statusin. Mendoni se Shqipëria është në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira?
Kam bindjen se Shqipëria mund të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të gjithë duhet të kontribuojnë për realizimin e tyre. Zgjedhjet dhe përgjegjësia e tyre është tërësisht në dorën e partive politike dhe të askujt tjetër.

Të gjithë komisionet e administrimit të zgjedhjeve janë më përfaqësim politik ndaj janë partitë ato që mund të realizojnë standarde të larta në zgjedhje apo në të kundërtën do të jenë përgjegjës për parregullsitë. Duke vlerësuar rëndësinë e tyre në rrugën për integrimin e Shqipërisë, partitë duhet të sillen me shumë seriozitet dhe të kujtojnë se përgjegjësia e realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka rëndësi të shumëfishtë.

Vetëm pak muaj para zgjedhjeve dhe ende nuk është konturuar një koalicion i LSI apo partive të tjera. Sa mundësi ka krijimi i një koalicioni mes LSI me PBDNJ, FRD apo dhe PDIU për zgjedhjet e ardhshme?

LSI po punon me intensitet shumë të lartë jo vetëm duke rritur në mënyrë shumë të ndjeshme mbështetjen e gjerë të elektoratit shqiptar, por edhe ka qenë frymëzuese e një klime bashkëpunimi konstruktiviteti dhe pozitivizmi në një klimë politike shqiptare të ngarkuar me konflikte dhe përplasje të egra.

Duke pasur moton të ecim më shpejt dhe duke vlerësuar me realizëm çdo problem që shqetëson vendin, ne do të vazhdojmë të jemi një LSI që nuk kënaqet me pak që nuk pajtohet me stanjacionin dhe vetëkënaqjen, por që ka ambicie të mëdha për vendin dhe veçanërisht për procesin e integrimit europian.

Mënyrën e konkurimit do ta vendosë Konventa Kombëtare elektorale së bashku me programin elektoral dhe deri atëherë kemi akoma shumë për të bërë për të vazhduar dialogun me njerëzit, por edhe për të parë se cilat janë programet elektorale të partive që do të garojnë për zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit.

Si ka funksionuar aleanca qeverisëse me PD dhe mendoni se LSI mund të krijojë koalicion parazgjedhor me PD?

Mendoj se koalicioni me PD ka qenë i qëndrueshëm dhe LSI ka respektuar marrëveshjen dhe ka stabilizuar standardin politiko-moral të korrektesës në respektimin e marrëveshjeve përkundrejt provincializmit të zakonshëm bizantin të politikës së pabesive dhe prishjes në mënyrë të papërgjegjshme të marrëveshjeve politike, besoj e ka ndihmuar shumë LSI politikën me vendosjen e këtij standardi të ri të panjohur më parë.

Ky koalicion ka mundur të realizojë objektiva të rëndësishme në procesin e integrimit europian, liberalizimi i vizave dhe raporti paraprak pozitiv për marrjen e stausit të vendit kandidat janë arritje të shënuara, sigurisht edhe infrastruktura ka njohur zhvillime gjithashtu edhe shëndetësia është përfshirë nga një reformim dhe modernizim i spikatur dhe që po formëson një shëndetësi në një hulli të një modeli europian dhe larg lajthitjeve që po dëgjojmë të artikulohen në mënyrë profane për këtë sektor të rëndësishëm.

Edi Rama kreu i PS dhe në daljen e fundit në OPINION deklaroi publikisht ftesën për LSI që të braktisë koalicionin qeverisës dhe të bashkohet me opozitën për të garantuar një koalicion qeverisës të majtë nesër në pushtet. Mendoni se është e mundur?

Nuk kam asnjë koment për ç`ka thotë Edi Rama, i cili është në të drejtën e tij si politikan të thotë ç`të dojë, sepse unë dëgjoj më shumë vëmendje vetëm ç`ka thotë e bën Ilir Meta jo vetëm si kryetar i LSI, por edhe si shembull i politikanit konstruktiv që parimet dhe Shqipërinë i vë mbi interesat e vogla politike.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Trump nënshkruan marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë për të filluar zyrtarisht transferimin e pushtetit

Trump nënshkruan marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë për të filluar zyrtarisht transferimin e pushtetit