TIRANE- Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ka hedhur idenë e zhvillimit të një takimi Rama-Basha, sa i takon diskutimeve mbi ligjin e nëpunësit civil. Në një deklaratë për mediat nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Vasili tha se një takim i tillë do të rritë dialogun mes mazhorancës dhe opozitës, për çështje të ndjeshme, siç është edhe ligji i Nëpunësit Civil.

“E gjejmë të udhës të propozojmë idenë e një takimi mes Ramës dhe Bashës. Po zhvillohen debate të shumta për nëpunësin civil. Ky ligj shumë i rëndësishëm, dhe duhet të vazhdojë të jetë i tillë. Ky akt nuk bën asgjë tjetër përveçcse përforcon efektin e tij, e largon atë nga ndikimet politike. Një takim i tillë do ndihmojë të futë në hullinë e dialogut politik mazhorancën dhe opozitën për ato çështje madhore që ata janë të detyruar të bashkëpunojnë”, u shpreh Vasili.

Më tej, kreu i Grupit Parlamantar të LSI tha se në këtë takim, dy krerët e mazhorancës dhe opozitës “Duhet të diskutojnë edhe për ndarjen e re administrative”.

“Këto janë çështje që shkojnë përtej mandateve qeverisëse dhe kërkojnë një dialog të natyrshëm pozitë-opozitë. Një takim i tillë do të ishte një mësazh i mirëpritur edhe nga partnerët europiane të cilët e vlerësojnë dialogun si një element të rëndësishëm të një demokracie që funksionon. Miëpresim një takim të tillë, pasi rezultatet e dialogut do të jetë pozitive”, tha Vasili në fjalën e tij.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)