Petro Koçi: Rama e ftoi, tani
Nano duhet të korrigjohet

Petro Koçi: Rama e ftoi, tani<br />Nano duhet të korrigjohet
Kryetari i PSV, Petro Koçi në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se vlerëson pozitivisht ftesën e Ramës për Nanon, por ky i
fundit duhet të korigjohet dhe të heqë dorë nga obsesioni për Presidencën. Ai thotë se vendit i duhet një qeveri teknike, në mënyrë që të bëhen reformat, ndërkohë që sheh si zgjidhje të vetme për afrimin e Metës me të majtën, braktisjen prej tij të Berishës dhe rrëzimin e kësaj qeverie. Nga ana tjetër, nuk është dakort me Ramën për heqjen dorë nga realizimi i 10 pikave të kërkuara kohë më parë, për ndryshimet në Kushtetutë. Koçi nënvizon faktin se 21 janari u kërkua nga Berisha pasi ai e donte sulmin ndaj kryeministrisë, gjë që nuk ndodhi.

Si e vleresoni ecurinë e hetimit të 21 janarit, kur tashmë është hequr imuniteti për tre deputetë të PS dhe është nën arrest shtëpie Komandanti I Gardës?
Institucionet në Shqipëri janë të dobëta dhe drejtësia nuk bën dot përjashtim. Prokuria në veçanti mbetet shumë e brishtë edhe për shkak edhe të agresionit të vazhdueshëm të qeverisë mbi të. Por duhet të pranojmë se me ekspertizën e kryer nga FBI kemi të bëjmë me një hap të madh përpara në hetimin e vrasjeve të 21 Janarit. Gjykoj se hetimi i deputetëve po aplikohet si politikë balancimi. Në 21 Janar nuk është kryer asnjë lloj sulmi mbi kryeministrinë. Ka patur vetëm përplasje mes protestueve dhe policisë apo Gardës. S’ka asnjë pamje filmike apo zhvillim të asaj dite që të keqkuptohet si sulm ndaj kryeministrisë. Berisha ka patur dëshirë që të sulmohej kryeministria, por kjo nuk ka ndodhur kurrë. 21 janari ka vetëm një çështje: Vrasja e 4 protestuesve paqësorë nga Garda agresive e privatizuar prej qeverisë. Urojqë drejtësia të vihet në vend.

Mendoni se drejtësia e gjendur nën presion mund të vendosë drejtësi, duke vënë përgjegjësit përpara ligjit?
Frikë kam që gjykatat mund të ngarkojnë me faj indirekt të vrarët duke shfajësuar vrasësit. Gjykatat janë nën presionin e madh të qeverisë. Sidomos pas ndryshimeve kushtetuese të 21 Prillit 2008 drejtësia ka kuptuar se pushteti i gjithëfuqishëm në sistemin tonë është qeveria dhe kryeministri, pushtetet e tjera janë të mekura dhe pa mbështetje kushtetuese për të kontrolluar ekzekutivin dhe të na mbrojnë nga korrupsioni qeveritar. Korrupsioni ka gëlltitur institucionet dhe po vret demokracinë si edhe jetën e qytetarëve. Hajduti të vret. Korrupsioni të masakron! Qeveria vret sepse është e korruptuar. Ajo nga ana tjetër kërkon të mbulojë veprimtarinë e vet kriminale duke përdorur gjykatat nën presion. Gjendja e drejtësisë është më e rëndë se më 1996-ën. Institucionet janë po aq institucionale sa në 1997-ën.

Si e vlerësoni reformën zgjedhore dhe qëndrimin kundër të PD ndaj korrektimit kombëtar?
PD ka gjetur tek sistemi aktual lehtësira për të vjedhur mandate të pamerituara. Rezultatet e rastësishme në disa qarqe mund të përcaktojnë
humbësin kombëtar si fitues të zgjedhjeve. Duke patur parasysh këtë, rastësitë mund të programohen dhe të ndihmohen nga manipulimet e përqëndruara të votimit e numërimit të votave. PD është eksperte në manipulimin profesionist të zgjedhjeve, prandaj ka ngritur një “mur Berlini”
ndaj reformës së sistemit zgjedhor. Ky është një sistem që e trajton Shqipërinë si federatë e jo si shtet unitar. Reforma zgjedhore po ecën me hapin e breshkës tokësore. Për politikanë të ndryshëm që kanë në dorë reformën zgjedhore dhe të tjerat, xhepi tyre politik dhe dhomat e tyre me para janë më të rëndësishme se Shqipëria dhe integrimi i saj europian. Korrektimi kombëtar është një hap drejt demokratizimit të sistemit zgjedhor dhe pluralizimit të Parlamentit. Është një hap kundër monopoleve dhe vetos së mundshme antikombëtare të tyre. Shoh fatkeqësisht se këto çështje nuk po e administron si duhet nga opinioni civil dhe opinionistët e pavarur.

Mendoni se opozita e bashkuar është e gatshme për të qeverisur?
Opozita është disa herë më e gatshme dhe më e moralshme se qeveria aktuale për të administruar një qeverisje ndryshe në vend. Janë bërë disa hapa pozitivë përpara në programin politik të parties që udhëheq opozitën dhe ka dukshëm një frymë më konstruktive në marrëdhëniet Brenda opozitës. Qeveria aktuale duhet hequr qafe sa më parë nëpërmjet zgjedhjeve mundësisht të parakohshme. Krizat politike të vazhdueshme dhe kriza ekonomike financiare shtrojnë nevojën e një qeverie teknike. Rënia e republikës në zgjedhjet e 8 majit e bën të domosdoshme ekuilibrin në administrimin e vendit dhe hedhjen e hapave për një Republikë të Re. Rama nuk duhej të hiqte dorë nga platforma me 10 pika që në bazë kishte reformën kushtetuese.

Si e vlerësoni zgjerimin e koalicionit opozitar dhe mendoni se duhet të përfshihet dhe LSI në këtë koalicion?
E kam thënë disa herë: Nëse LSI rrëzon tani qeverinë Berisha atëhere hendeku i krijuar brenda së majtës mund të ngushtohet deri në marrëveshje
elektorale.

Rishpërndarja e kryesisë së PS nëpër qarqe ka krijuar probleme, ndërkohë që rikthehet Nano si i deleguar në Tiranë. Vlerësimi juaj?
Kryesia e PS duhet të delegohetnëpër qarqe duke shmangur konfliktin e interesit. Pra unë jam në favor të ndarjes së mandatit të deputetit nga i
të deleguarit si anëtar kryesie. Kjo nuk e heq deputetin si të tillë nga qarku ku është zgjedhur dhe ku mund të rizgjidhet normalisht. Por delegimi funksionon i përzier me patronazh pushteti. Gjestin ndaj Nanos e shoh pozitivisht. Por dhe ai duhet t’i përgjigjet me qëndrime të korigjuara dhe të pavarura nga obsesioni për t’u bërë president.

Meqë jemi te Nano, si e konsideroni ambicien e tij të qënë kryetar i shtetit, mendoni se socialistët duhet ta votojnë në Kuvend për të kaluar krizën në PD?
Si ambicie e shoh normale, si obsession jo normale. Berisha ka qenë dhe është kundër kandidaturës së Nanos për president. Nga ana tjetër e shoh të vështirë që PS ta përdorë kartën Nano si kartë konsensualiteti.

Vlerësimi juaj për partinë e re të Topit, nga merr vota më shumë ai?
Do më vinte keq nëse opozita do ta ndërtoje shpresën e vet për të ardhur në pushtet tek shansi I rrjedhjes së votave të PD drejt parties që mund të krijojë zoti Topi. Elektorati i PD është shumë fanatik. Dhe përplasja Berisha-Topi në rrafshin partiak mbetet një çështje e brendshme e PD.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm