TIRANË- Gjykata Kushtetuese nuk dha dot këtë të enjte ndonjë vendim për çështjen e Belinda Ballukut. Kolegji me 3 gjyqtarë u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e Kryeministrit Rama, që pretendon se një gjykatë nuk mund të pezullojë nga detyra një anëtar qevrie, por nuk pati vendim.
Pengesë u bë largimi nga gjykata e Holta Zaçajt, e cila u zëvendësua në fillim të javës nga Asim Vokshi. Zacaj ishte pjesë e Kolegjit që do të trajtonte në dhomë këshillimi dosjen “Balluku” dhe gjyqtarja, që e zëvendësoi, Marsida Xhaferllari, kërkoi kohë që të njihej me aktet.
Shqyrtimi i çështjes do të bëhet nga Kolegji, pas festave zyrtare të nëntorit, konkretisht në datën 2 dhjetor. Pritet që më së pari, Gjykata Kushtetuese të japë një përgjigje kërkesës së kryeministrit Rama i cili, fillimisht do që Belinda Balluku të rikthehet në detyrë dhe pezullimi i saj të rrëzohet.
“Kolegji u mblodh ditën e sotme sipas planifikimit. Me kërkesë të gjyqtares Marsida Xhaferllari, e cila kishte marrë njoftim për aktet pasditen e datës 26.11.2025 dhe në përputhje me nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore, i cili parashikon se gjyqtarët duhet të kenë në dispozicion kërkesën dhe aktet e kërkesës të paktën dy ditë përpara mbledhjes së Kolegjit, u caktua që shqyrtimi i çështjes do të bëhet nga Kolegji ditën e parë të punës, pas festave zyrtare të nëntorit, konkretisht në datën 02.12.2025”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.
Pasi GJKKO e pezulloi Ballukun nga detyra, kryeministri Edi Rama vendosi të mos e shkarkojë atë nga posti i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses. Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilin kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër. Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv, dhe se GJKKO ka marrë attribute që nuk ja njeh Kushtetuta.
Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet dyshohet se fituesi është paracaktuar. Prokuroria e posaçme ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.
Komente













Po si filloi Asim Vokshi ore?! A doli qe kishte lidhje me agjensi te huaja?? Asnjeri nuk thote se kush e shqyrtoi dhe e vendosi kete.. Me agjente ne kushtetuese do vazhdoni? Keto lajme na sqaroni neve..
PërgjigjuE zbulove Lindita armikun e brendshem ne Gjykat!
Beteje e humbur e Rames perballe Altin Berishes.
Përgjigju