Partia Demokratike kërkon interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama pas marrjes së pandehur nga SPAK të Belinda Ballukut dhe pezullimin e saj nga detyra e ministres dhe zv.kryeministres me vendim gjykate. Në këkesën që mban firmën e Gazment Bardhit, demokratët e akuzojnë kryeministrin se po vepron si “avokat” i Ballukut.
Qeveria, në kërkesën depozituar në Gjykatën Kushtetuese, argumentoi se GJKKO me vendimin për pezullim ka shkelur kompetencat e Këshillit të Ministrave, Presidentit dhe Kuvendit. Por, PD, në kërkesën për interpelancë shprehet se Rama ka paraqitur pretendime në Kushtetuese në emër të Kuvendit pa marrë asnjë qëndrim nga ana e këtij institucioni.
“Sikurse vërehet edhe nga objekti i kësaj kërkese, Kryeministri Edi Rama ka ngritur edhe një pretendim në emër të Kuvendit të Shqipërisë, pa informuar apo pa marrë më parë opinionin e Kuvendit të Shqipërisë. Një kërkesë e tillë e Kryeministrit të Shqipërisë jo vetëm që është e pabazuar në Kushtetutë, por gjithashtu përbën një ndërhyrje të papërshtatshme në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon cimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend. Në një sjellje normale, në një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, Kryeministri duhej të kishte propozuar menjëherë shkarkimin nga detyra të një ministri që është marrë i pandehur për abuzime në disa procedura prokurimi publik, me vlerë miliona euro, dhe kurrsesi nuk mund të sillet si zyrë avokatie për një të pandehur.”, thuhet në kërkesë.
Grupi Parlamentar i PD-së, argumenton gjithashtu se veprimi i Kryeministrit përbën ndërhyrje të hapur në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon të forcojë kulturën e pandëshkueshmërisë. Opozita thekson se, në çdo standard europian, një ministër i marrë i pandehur për abuzime me fonde publike duhej të shkarkohej menjëherë, e jo të mbrohej nga Rama.
“Ai kërkon t’i bëjë presion drejtësisë, me shpresën se do të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese, që ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe kurrsesi për pandëshkueshmërinë. Është e qartë që kjo lëvizje ka vetëm efekte politike; më saktë është mjet presioni/mesazhi politik dhe nuk synon zgjidhje juridike. Ne, deputetët e opozitës, vlerësojmë se kërkesa e Kryeministrit Edi Rama, që synon vetëm të japë mesazhin për organet e drejtësisë se e pandehura Belinda Balluku nuk është si të gjithë të pandehurit e tjerë, por gëzon mbrojtje të posaçme politike/institucionale nga Kryeministri/Këshilli i Ministrave, meriton vetëm përbuzje, si një akt antidemokratik dhe antikushtetues, veçanërisht nga vetë organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, e cila është përpara sprovës për të mbrojtur të drejtën për hetim të plotë, të pacenueshëm, të gjithanshëm e të papenguar nga organet hetimore.”

Lexo këtu kërkesën e plotë të PD-së për interpelancë me Ramën
Komente











