Qeveria dërgoi pak ditë më parë ankim në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të zv. kryeministres Belinda Balluku. Por për ish- deputetin Lefter Maliqi, Rama duhet që ta shkarkojë nga detyra.

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ai tha se me qëndrimin në detyrë, Balluku mund të prish edhe provat.

‘Kjo qeveri ka një korrupsion galopant, jemi në një klimë jo të sigurt mafia drejton vendin dhe krimi bënë emërime. Unë kam qenë drejtues policie dhe vendore dhe të gjithë duhet ta kuptojmë se drejtuesi s’mund të hajë kumbulla të tharta kurse vartësi të hajë kumbulla të pjekura. Kjo është e pamundur asgjë nuk bëhet pa dijenin e të parit. Sepse ke përgjegjësi drejtpërdrejt sepse ti je njeriu që ke marrë atë detyrë dhe duhet ti mbash nën kontroll strukturat e tjera nën varësi. Koka e krimit në Shqipëri është kreu i qeverisë. Ballukun SPAK e akuzoi dhe e mori si të pandehur dhe Rama duhet që ta shkarkojë duke i hapur rrugë hetimit sepse duke qenë në detyrë mund të prish edhe provat.

SPAK ka nisur këto muajt e fundit që të godas dhe po vepron drejtë. Disa goditje të fundit SPAK po i bënë të duhura. Unë jam dakord për akuzat që i ka bërë edhe Berisha edhe Meta SPAK. Meta ka thënë se do të deklaroj për 21 janarin, sepse e di mirë se kush ishte organizatori. Meta i ka provat lidhur me 21 janarin’, tha ai.

Teksa ka qenë në SPAK për një tjetër kallzim ditën e sotme, Maliqi thotë se për kallëzimet e bëra më herët s'ka marrë asnjë përgjigje nga SPAK.

‘Kallëzimi i sotëm ka të bëjë me 1 mln euro tender për rikonstruksionin e një shkolle në Kuçovë, ku as një e dhjeta e nxënësve nuk janë në shkollë, klasat janë bosh. Unë kam bërë edhe kallëzime të tjera, kam bërë kallëzim për krim elektoral si edhe disa të tjera dhe SPAK deri tani ka heshtur, më thonë ka shumë dosje, do t'i vijë radha, por unë do t'i shkojë deri në fund. Nuk dorëzohem deri sa e drejta të shkojë në vend. Paratë e vjedhura duhet që t’i kthehen shqiptarëve’, tha ai.