Një defekt teknik ka bllokuar trafikun ajror në të gjithë Greqinë prej ditës së diel. Bëhet fjalë për një problem serioz me sistemet qendrore të frekuencave radio të qendrave të kontrollit ajror.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis deklaroi se do të formohet një komision prej 5 anëtarësh, për të kryer hetime, shkruan Protothema.
Ky komision do të përfshijë një përfaqësues të Autoritetit të Aviacionit Civil Grek, një nga Autoriteti i Aviacionit Civil, një nga Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare Grek, një nga Eurocontrol dhe një nga komiteti kombëtar i sigurisë kibernetike.
Sipas Marinakis, deri më tani nuk ka tregues se kemi të bëjmë me një sulm kibernatik.
"Deri më tani nuk ka asnjë tregues se ka pasur një sulm kibernetik. Për një kohë të gjatë, janë ndërmarrë një sërë veprimesh për të zëvendësuar sistemet e vjetra me ato më të reja. Protokollet e sigurisë po ndiqen me sistemet aktuale. ", theksoi Marinakis.
Anomalia teknike ndodhi rreth orës 09:00 sipas orës lokale (07:00 GMT), duke paralizuar operacionet e dy qendrave kryesore të kontrollit të trafikut ajror të vendit: qendrës së Athinës, e cila trajton pjesën më të madhe të trafikut ndërkombëtar dhe vendas përmes Rajonit të Informacionit të Fluturimit (FIR) të Athinës, dhe qendrës së kontrollit të Maqedonisë, përgjegjëse për sektorët veriorë të hapësirës ajrore greke.
Humbja e besueshmërisë së frekuencave radio, thelbësore për transmetimin e udhëzimeve të fluturimit, vektorizimin dhe lejet e uljes dhe ngritjes, e bëri të pamundur ruajtjen e standardeve normale të ndarjes midis avionëve, duke i detyruar kontrollorët e trafikut ajror të pezullonin menjëherë të gjitha operacionet jo-thelbësore.
Si rezultat, i gjithë rrjeti kombëtar i aeroporteve, nga qendra ndërkombëtare Eleftherios Venizelos në Athinë deri te aeroportet rajonale të Selanikut, Heraklionit, Rodosit dhe Korfuzit, u zhyt në një gjendje pasiviteti të detyruar, me tabela njoftimesh që mbusheshin shpejt me njoftime anulimesh dhe vonesa të pacaktuara.
Komente












