TIRANE- Rreth tetë muaj pasi ka nisur aktivitetin, Ministria e Mjedisit i ka pezulluar aktivitetin firmës "Grin",(foto)së cilës bashkia e Tiranës i ka besuar mbledhjen dhe shitjen për riciklim të të gjithë mbeturinave të kryeqytetit që shkojnë në landfillin e Sharrës. Arsyeja e pezullimit të aktivitetit të kësaj firmë lidhet me faktin se ajo nuk ishte e pajisur me leje mjedisore. Deklarata është bërë nga vetë ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, dje gjatë një konference të mbajtur për ligjin e importit të mbetjeve. Po gjatë këtij takimi, Mediu ka deklaruar se do të forcohen rregullat për kompanitë që merren me riciklimin e mbetjeve. "Të gjitha kompanitë që merren me mbetjet do t`i nënshtrohen kritereve të vendosura, të cilat do të jenë shumë të rrepta. Përsa i përket kompanisë që operon pranë landfillit të Sharrës në Tiranë, ajo po vepron pa një leje mjedisore, dhe për të do të ketë penalitete", - ka deklaruar gjatë këtij takimi ministri Mediu. Reagimi i ministrisë së Mjedisit në të vëretë vjen 8 muaj pasi kjo firmë ka nisur aktivitetin, dhe për të cilën ka pasur debate të forta në media. Kjo pasi, dyshohet se pas firmës "Grin", e cila është regjistruar pranë QKR-së me datë 9 shkurt të këtij viti, dhe tashmë mbledh të gjitha mbeturinat e riciklueshme të kryeqytetit, qëndron Erion Isufaj, kunati i kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha. Sipas ekstraktit të depozituar në QKR, zotëruesi i saj është Oliver Shtylla, që rezulton të jetë i punësuar si drejtor shitjesh pranë "Megatek", kompania e Dionis Teqes, që njihet si ortak në shumë biznese të mëdha me Erion Isufajn, ku ky i fundit është edhe përfaqësues në bordin e saj. Rasti është denoncuar prej më shumë se tre muajsh jo vetëm nga "Shqiptarja.com" e "A1 Report", por edhe nga këshilltarët e majtë në bashkinë e Tiranës, të cilët akuzuan Bashën se po pengonte romët të mblidhnin mbeturinat e riciklueshme në kazanët e qytetit, për t'ia dhënë një firme të vetme, pas së cilës fshihen njerëz të afërt të tij.

MBETJET
Gjatë takimit të djeshëm për ligjin e importit të mbetjeve, Ministri Mediu ka deklarua se në vendin tonë shumica e kompanive që operojnë në këtë fushë importojnë skrap që konsiderohet 95 për qind i pastër dhe pa ndikim në mjedis vetëm një firmë importon plastikë. Megjithatë sipas tij, bashkitë duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim "Legjislacioni ynë për mbetjet është më strikt dhe me masa shtrënguese më të forta se ato që aplikojnë shumë vende të BE-së. Kjo nënkupton që në të ardhmen me integrimin në BE do jemi të detyruar të liberalizojme procedurat e legjislacionit tonë, si dhe listën e këtyre mbetjeve", - ka deklaruar Mediu. Vite më parë në Shqipëri hynin rreth 400 lloje mbetjesh, ndërkohë që lista tani është reduktuar vetëm në 26 të tilla.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
sg/shqiptarja.com)