TIRANE - Pezullohet nga detyra Specialisti i Sigurisë Rrugore me gradën nënkomisar në policinë e Lushnjës Klodian Çaushi, 36 vjeç. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme ai akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore.

Sipas policisë, Klodian Çaushi më 29 janar ka braktisur shërbimin dhe duke abuzuar me autoritetin e punonjësit të Policisë së Shtetit, me automjetin e punës me targë POLICIA, në vendin e quajtur Ura e Kuçit ka penguar dhe kundërshtuar gjatë kryerjes së detyrës punonjësit e Drejtorisë së Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, të cilët kanë qenë duke bllokuar dhe sekuestruar konform ligjit, një ekskavator, me të cilin punonte në mënyrë të kundërligjshme xhaxhai i tij, shtetasi Enver Çaushi.

Ministria e Brendshme sqaron se strukturat e hetimit të SHKB-së , përveç këtij rasti vazhdojnë hetimet për të verifikuar dhe vërtetuar disa informacione të tjera që kanë të bëjnë me veprime korruptive të të akuzuarit gjatë kryerjes së detyrës si specialist i sigurisë rrugore.

Redaksia Online
(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)