Shtrëngimi i legjislacionit për Call Center-at në Itali ka nisur të japë efektet e para negative në tregun shqiptar.

Më shumë se 30 kompani të vogla kanë pezulluar aktivitetin për shkak të tërheqjes së partnerëve italianë, ndërkohë që me tkurrje të volumit të shërbimeve janë përballur dhe disa të mëdha.

Agron Shehaj, sipërmarrës dhe drejtues i një prej kompanive më të mëdha në tregun shqiptar thotë se shkak është bërë tërheëqja e partnerëve italianë, të diktuar nga ligji i ri.

"Po, është e vërtëtë. Disa kompani shqiptare kanë mbyllur fushatë sepse partnerët e tyre italianë kanë vendosur të rikthejnë në Itali ato lloj shërbimesh", thotë Shehaj. 

Shehaj paralajmëron se efekti negativ i ligjit italian mbi kompanitë që operojnë në Shqipëri mund të jetë edhe më i rëndë nga sa pritej.

Sipas tij, kjo do të varet dhe nga presioni që do u bëhet kompanive për të kthyer në Itali këto vende pune. 

"Unë mendoj se potencialisht disa kompani shqiptare që punojnë në Call Center do të vuajnë pasojat e ligjit, të ndryshimit të ambientit të punës. Varet nga efektet që do sjellë ligji, varet nga represioni që qeveria italiane po bën ndaj operatorëve që kanë lëvizur vendet e punës në Shqipëri. Verat nga si do të reagojnë partnerët tanë në itali, varet si do reagojnë Call Center-at në Shqipëri", theksoi Shehaj. 

Prej pak muajsh Italia miratoi disa ndryshime në ligjin për funksionimin e Call Center-ave.

Ligji i ri parashikon masa shtrënguese që kompanitë të operojnë në Itali dhe jashte territorit, por dhe gjoba deri 50 mijë euro për ato që nuk i respektojnë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com