TIRANE – “Ishim sot në Vlorë në një takim me 150 nxënës të shkollave të mesme. Ata bënin pyetje shumë më të mençura se Spahia”. Kristi Pinderi, aktivist i organizatave pro LGBT, i përgjigjet përmes Shqiptarja.com zv/ministrit të Mbrojtjes, Ekrem Spahia, i cili në një deklarim për mediat pyeste sot se s’i mund t’i bëhen “trashëgimet” një çifti homoseksual. “Në martesa urimi më i mirë është “u trashëgofsh!”. Si mund të trashëgohen kur martohen dy burra?”, ishte dilema e Spahisë.

“Kauza jonë, zotëri, është më e rëndësishme se injoranca e çdo politikani që i ka mbetur ora në 1939”, tha Pinderi për Shqiptarja.com. “Tani presim që ky prototip të shkarkohet nga Kryeministri – shtoi ai - i cili besojmë i ka kuptuar mirë mesazhet e BE dhe Departamentit të Shtetit”.

Pinderi tha se do t’i rikthehet Spahisë pas kësaj jave të ngjeshur me aktivitete në kuadër të ditës ndërkombëtare kundër homofobisë. “Ne kemi të tjera eventë pas ekspozitës që hapëm sot dhe pas takimit të Vlorës. Kështu që Spahia duhet të presë rradhën në prioritetet dhe axhendën. Pais të mbarojmë këtë javë, do t’i rikthehem zotërisë, sepse kemi një çështje të pambyllur me të në Prokurori”.

Zv/ministri Spahia sot konfirmoi qëndrimin e tij ndaj ambasadorit holandez në Tiranë, për të cilin kërkoi që të largohet nga Shqipëria pas një interviste ku diplomati e cilësoi injorancë të qënurit kundër paradës gay. “Ambasadori i Holandës ka fyer deputetët dhe zyrtarët e lartë – tha Spahia - Ambasadori holandez nuk ka folur për çështje të rëndësishme, por vetëm për LGBT. Ai të bëjë ç`të dojë, por s’i imponon dot shoqërisë shqiptare për të shkuar drejt një grushti njerëzish që promovojnë antivlera”.

(im/shqiptarja.com)