Ekskluziviteti i një lajmi në Shqipëri zgjat më pak se 5 minuta. Të punosh për lajme ekskluzive është misioni çdo gazetari dhe redaksie lajmesh sado të vogla apo të mëdha qofshin ato.

Të sigurosh dhe transmetosh lajme ekskluzive nuk është e lehtë në një kohë kur në Shqipëri janë shume televizione informative. Gazetarët e Report TV pothuajse çdo ditë prodhojnë lajme ekskluzive falë punës dhe përkushtimit të tyre. Por ekskluziviteti i lajmeve të tyre nuk zgjat më shumë se 5 minuta.

Kjo jo për faj të tyre por të rivalëve që kapen në befasi dhe nuk bëjnë gjë tjetër veçse të kopjojnë me shpejtësi lajme të tilla. I tillë është edhe lajmi ekskluziv për kërkesën e Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, që i ka kërkuar zyrtarisht Presidentit të Republikës Ilir Meta, plotfuqishmërinë në lidhje me nisjen e negociatave dypalëshe të Shqipërisë dhe Greqisë.

Report TV e siguroi sot lajmin nga burime diplomatike. Rivalët e Report TV pa u munduar fare e vodhën lajmin duke e shitur si prodhim të tyre. Siç shihet edhe nga fotot, televizionet News24, Ora News dhe Fax News dhe të tjerët në mënyrë të rrufeshme publikuan lajmin vetëm 5 minuta pasi u dha në Report TV.

Kjo nuk është hera e parë.

E njëjta histori që përsëritet përditë duke vjedhur lajme që nuk i kanë dhe i bëjnë të tyret përmes sistemit copy and paste: një praktikë pune mbi të cilën po mbijetojnë edhe qindra faqe web-kioska, që tani po bëhet rregull edhe për disa televizione. Megjithatë publiku është i vëmendshëm dhe në fund të ditës është gjykatësi më i mirë i punës tonë.

Shefat e redaksive që publikojnë në faqet e tyre sondazhe me demek se janë të parët në këtë garë bëjnë mirë të respektojnë punën e të tjerëve dhe ti lejnë mburrjet. Motoja e redaksisë së Report TV është e thjeshtë: Ne udhëheqim të tjerët na ndjekin nga pas. Kjo ndjekje është evidente siç ndodhi sot apo edhe javën e shkuar me lajmin e largimit nga sistemi drejtësisë i prokurorit Adriatik Llalla.

Report TV tashmë e ka vendosur standardin për të qenë i pari në lajmin e fundit dhe të shikojë që të tjerët të na ndjekin nga pas por nuk mund ta lëmë pa evidentuar këtë vjedhje të hapur të lajmeve ekskluzive. Ndodh kështu prej shume e shumë vitesh: po deri tani kopjacët ishin vetëm për ide, ndërsa tani kopjacë janë bërë edhe për lajmet.

report

Lajmi ekskluziv i publikuar fillimisht në orën 15:27 në Report TV

news 24

Në ora 15:32 lajmi kopjohet nga News 24

ora news

Në ora 15:36 lajmi kopjohet nga Ora News

fax

Në ora 15:39 lajmi kopjohet në fund edhe nga Fix News

Redaksia Online
s.k/Shqiptarja.com