/ATSH/- Dhoma Amerikane e Tregtisë diskutoi të enjten me aktorët në treg mbi piraterinë në sektorët e ekonomisë, si dhe mbi inspektimin që po i bëjnë institucionet tregut.
Po ashtu, në qendër të diskutimit ishin edhe risitë që sjell ligji i ri për mbrojtjen e të drejtes së autorit, nga fenomeni i piraterisë, i cili i sjell biznesit miliona euro humbje çdo vit.
Ky është edicioni i tretë i Konferencës që fokusohet në çështjet e IPR dhe trajton gjerësisht temën e të drejtës së autorit dhe të markave dhe patentave.Zv/ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali, tha se mbrojtja e pronësisë intelektuale do të rrisë jo vetëm konkurrencën, por dhe konsumin. Në kuadër të kësaj nisme, informoi ajo, do të ngrihet edhe një strukturë e posa]me, që është Inspektoriati i Tregut.

Ndërsa Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, theksoi se zbatimi dhe mbrojtja e pronësisë intelektuale do të bënte që të rriteshin investimet e huaja në fushën e artit dhe kinematografisë, por edhe në inovacion.

"Në Shqipëri pirateria e pronësisë intelektuale është në nivelin 75 për qind, ndërkohë që ka dhe mjaft zyra qeveritare që aplikojnë me programe të piratuara", u shpreh nga ana e tij zv/ambasadori amerikan ne Tirane, Henry Jardine.

Fenomeni i piraterisë i shkakton kosto të rënda ekonomisë shqiptare dhe shqetëson investitorët. Ndërsa edhe Bashkimi Europian i ka kushtuar një hapsirë të posaçme në çdo Raport të Progresit.