Ministria e Brendshme njofton se nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar paligjshmëri në fushën e transmetimit të kanaleve televizive, në shkelje të të drejtave të autorit, të të drejtave të transmetimit televiziv, si dhe të drejtave të lidhura me pronësinë industriale dhe markën tregtare.
Operacioni i koduar “Pirateri Televizive” ka për synim ndërprerjen e paligjshmërisë në fushën e transmetimit të kanaleve televizive.
“Këto subjekte transmetojnë kanalet e Platformave Dixhitale, si ajo e kompanisë “DIGITALB”, duke shkelur të drejtat e autorit të lidhura me programet e transmetuara në këto kanale, por edhe duke shkelur të drejtat mbi markën tregtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Kontrollet janë ushtruar në disa subjekte në Shkodër, Dibër, Durrës dhe Lezhë, ndërsa veprime po kryhen edhe në disa subjekte të tjera në Fier, Berat, Tiranë, Kavajë, etj.
Mbi këto subjekte të dyshuara për transmetime në mënyrë të paligjshme është në ngarkim dispozita “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, vepër penale e parashikuar nga neni 149/a te Kodit Penal.
Ndërkaq, nga Ministria e Brendshme bëhet me dije se materialet ju dёrguan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme.
SUBJEKTET E KONTROLLUARA DERI ME TANI:
1. Nga struktura e Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në DPQ Shkodër, është ushtruar kontroll në ambientet e subjektit të rrjetit kabllor, “Cable Albania”. U konstatuan të montuara paisje kompjuterike “server” dhe aparatura të tjera që shërbejnë për transmetimin e paligjshëm të kanaleve televizive të subjektit “DIGITALB”. Në këto kushte, u përpiluan të gjitha materialet proceduriale të nevojshme, të cilat ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për fillimin e procedimit penal për veprën penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” parashikuar nga neni 149/a, gërma “c” të Kodit Penal, në ngarkim të administratorit të subjektit, Aldin Risto Gjurbavija, 39 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë. U sekuestruan 57 aparatura, që shërbenin për transmetimin e sinjalit televiziv.
2. Nga struktura e Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në DPQ Dibër, është ushtruar kontroll në dy ambjentet e disponuara nga shtetasi Endri Besnik Leka, vjeç 26, banues në Peshkopi. U konstatuan pajisje kompjuterike dhe aparatura të tjera që shërbejnë për transmetimin e paligjshëm të kanaleve televizive të subjektit “DIGITALB”. Në këto kushte, u përpiluan të gjitha materialet proceduriale të nevojshme, të cilat ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për fillimin e procedimit penal për veprën penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” parashikuar nga neni 149/a, gërma “c” të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan: dy copë transmetues televizive, katër copë
aparate tokësore Digitalb, tre copë karta Smart të rrjeteve “Digitalb”, ”Grifin cas” dhe “Tring”, karta rimbushëse pesë copë, përforcues televiziv tre copë, Dekoder HD dy copë, Dekoder SD gjashtë copë, Module dy copë, aparat satelitor Sat-TV një copë dhe telekomanda 6 gjashtë copë.
3. Nga strukturat e Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në DPQ Durrës, është ushtruar kontroll në ambjentet e subjektit të rrjetit kabllor “Al-te” shpk, në të cilën është konstatuar se nëpërmjet këtij rrjeti kabllor transmetoheshin 50 kanale televizive. Janë përpiluar materialet proceduriale për referimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” parashikuar nga neni 149/a, gërma “c” e Kodit Penal, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së transmetimit të kanaleve televizive, në ngarkim të administratorit të subjektit.
4. Nga strukurat e Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në DPQ Lezhë, është ushtruar kontroll në ambientet e subjektit “Al-te” shpk, e cila ndodhet në Lagjen nr. 2, në qytetin e Laçit. U konstatua se subjekti transmetonte 12 kanale të Platformës “DIGITALB” në mënyrë të paligjshme. U përpiluan materialet e nevojshme proceduriale për referimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” parashikuar nga neni 149/a, gërma “c” e Kodit Penal. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 pajisje (modelator) 30 aparatura të markave të ndryshme të cilat shërbenin për transmetimit e 30 kanaleve televizive.
Aktualisht janë duke u kryer veprime:
1- Në Fier, në subjektin “Alfa Hajdini” në Fier me administrator shtetasin Bilbil Hajdini.
2- Në Poliçan – Berat, në subjektin “CA-TV” me administrator shtetasin Ilir Olldashi.
3- Në Përmet, në subjektin “Këlcyra Sat”, me administrator shtetasin Ilir Olldashi.
4- Në Tiranë, në subjektin "Cable Albania Tiranë" me administrator shtetasin Risto Gjurbavija.
5- Në Patos, Fier në subjektin "Silvi&Kombi", me administrator shtetasin Eduart Muho.
6- Në Kavajë, në subjektin "Multivizion" me administrator shtetasin Arjan Sotiri.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)