Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Pirro Vengu, ka zhvilluar një takim në Tetovë me kreun historik të BDI-së, Ali Ahmeti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vengu vlerësoi figurën dhe rolin e Ahmetit në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi rëndësinë e faktorit shqiptar si forcë stabiliteti dhe orientimi europian.
“Në Tetovë me kryetarin historik dhe shqiptarin e përkushtuar Ali Ahmeti, një figurë që vazhdon të mbetet pikë reference edhe kur kohët ndryshojnë. Jo për vrullin e momentit, por për urtësinë dhe aftësinë për të frymëzuar duke parë më larg se konjukturat e ditës. Në bisedë me të ndjen se sa e rëndësishme është që faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut të vazhdojë të jetë një forcë stabiliteti, dinjiteti shtetformues dhe orientimi zhvillimor europian. Ka njerëz që bëjnë histori, dhe ka të tjerë që e mbajnë gjallë atë çdo ditë. Ali Ahmeti i përket të dyja kategorive. Faleminderit për mikpritjen Komandant dhe për frymëzimin e një politike që ndërton”, shkruan Vengu në një reagim të tij.
Ndërkohë, edhe Ahmeti ndau një reagim pas takimit, duke e cilësuar Vengun një personalitet të përkushtuar ndaj shtetit dhe interesit kombëtar. Ai bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi sfidat e shqiptarëve, zhvillimet në rajon dhe rëndësinë e bashkëpunimit mbarëkombëtar.
“Ishte kënaqësi e veçantë të mirëprisja Pirro Vengun, ish-Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe deputet i Kuvendit, një personalitet që mishëron përkushtimin ndaj shtetit dhe interesit kombëtar. Në një frymë të sinqertë vëllazërore dhe përgjegjësie ndaj së ardhmes sonë, zhvilluam një bisedë të thellë mbi sfidat që përballen shqiptarët sot, zhvillimet në rajon dhe domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit mbarëkombëtar si shtyllë kyçe për stabilitetin, integrimin evropian dhe fuqizimin e zërit tonë në arenën ndërkombëtare. Me mirënjohje të veçantë pranova si dhuratë librin “Princa të Lilit, bij të Arbërit, familjarë të Sulltanit” të autorit Thomas Frashëri, një vepër me peshë historike e shpirt kombëtar, që ndriçon rrënjët tona dhe rrugëtimin e shqiptarëve ndër shekuj, duke na kujtuar se identiteti ynë është një trashëgimi për t’u mbrojtur dhe për t’u lartësuar”, shkruan Ahmeti.
Komente










