Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka folur për raportet me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, duke deklaruar se prej vitesh nuk kanë zhvilluar biseda mes tyre.

Në një intervistë për televizionin “Alsat”, Mickoski u pyet nëse është takuar kohët e fundit me Ahmetin, por u përgjigj shkurt: “Jo”.

I pyetur se kur ishte takuar për herë të fundit me kreun e BDI-së, të cilin më herët e kishte cilësuar si politikan me përvojë, Mickoski tha se mund të jenë hasur në Parlament gjatë seancave, por jo për të zhvilluar biseda.

“Unë për shumë njerëz kam thënë se janë njerëz që kanë kaluar gjatë kohë në politikë. Nuk mund të thoni për njerëzit që kanë kaluar disa dekada në politikë se nuk janë politikanë me përvojë”, u shpreh Mickoski.

Ai theksoi se nuk e mban mend saktësisht takimin e fundit me Ahmetin, duke shtuar se për sa i përket bisedave mes tyre, kanë kaluar vite.

Ndërsa, i pyetur nëse ka pasur komunikime me kreun e BDI-së, kryeministri maqedonas u përgjigj sërish negativisht.

Deklaratat e Mickoskit vijnë në një kohë kur raportet mes aktorëve kryesorë politikë në Maqedoninë e Veriut mbeten në vëmendjen e opinionit publik.