Pitella-Rama: 2016 duhet të jetë
viti i çeljes së negociatave me BE

Pitella-Rama: 2016 duhet të jetë<br />viti i çeljes së negociatave me BE
“Besojmë që viti 2016 të jetë viti i çeljes së negociatave me Bashkimin Europian”. Kështu kanë deklaruar pas takimit të zhvilluar në Kryeministri, Shefi i qeverisë Edi Rama dhe Presidenti i së majtës në Parlamentin Evropian Gianni Pittela.

Pas takimit Rama tha se viti i ardhshëm do të jetë viti i hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, bazuar në gjithë ecurinë e qëndrueshme dhe të vendosur të qeverisë për të çuar para procesin e reformave shtetformuese.

Nga ana tjetër eurodeputeti italian teksa vlerësoi arritjet dhe reformat e qeverisë, iu referua kualifikimt të Shipërisë në Europian duke thënë se të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Shqipëria për çeljen e bisedimeve.

“Qeveria Rama ka punuar shumë mirë. Ka një propozim reforme të sistemit gjyqësor që është një hap më tej dhe unë inkurajoj që të përparoni dhe në këtë sektor të vështirë. Besoj se 2016 duhet të jetë viti i çeljes së bisedimeve. Është e drejtë që pasi t’i kemi bërë mirë detyrat e shtëpisë, Shqipëria të bëhet partner në negociata me BE-në në mënyrë që në 2019 të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Ashtu siç u kualifikua në Europian, ashtu duhet të nisë edhe bisedimet për negociatat," tha Pittella.

Sa i përket krizës së emigrantëve Rama deklaroi se Shqipëria është e gatshme të luajw rolin e saj në përballimin e fluksit të emigrantëve.

“Shqipëria, pavarësisht se nuk është pjesë e korridorit të refugjatëve, është e përgatitur që të luajë rolin e vet si të gjitha vendet e tjera të Balllkanit dhe të bëjë gjithçka për të lehtësuar sadopak këtë krizë të rëndë dhe për t’iu gjetur pranë një aleati të madh strategjik siç është Bashkimi Europian”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.
 
Ndërsa Pitella për të ilustruar krizën e refugjatëve iu referua rastit të Libanit.

“Në Liban, në një popullsi me vetëm 4 milionë banorë strehohen 1 milionë palestinezë. Pra raporti është 1 palestinez në katër persona dhe atje nuk ka ndodhur asnjë tragjedi, ndërsa ne; Europa me 500 milionë banorë trembemi nga 2-3 milionë refugjatë”, tha ai teksa shtoi se të gjitha vendet e Evropës duhet të marrin përgjegjësinë që u takon, duke mos lënë peshën e emigrantëve në shpatullat e disa vendeve.

Deklarata e Kryeministrit Edi Rama:
Ishte një takim mes miqsh, sepse, përveçse përfaqësues të lartë të Parlamentit Europian, miqtë e sotëm janë edhe përfaqësues të familjes së përbashkët të socialistëve dhe progresistëve dhe nga ana tjetër, kryetari Pitella është një mik i shtrenjtë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. 

Folëm për ecurinë e reformave në Shqipëri, folëm sigurisht për reformën kyçe të drejtësisë, ku gjeta rastin të falënderoj përzemërsisht misionin e Bashkimit Europian si pjesë e grupit të gjerë të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, për rolin e posaçëm në hartimin e paketës së kësaj reforme rrënjësore. Tanimë, paketa është në duart e Komisionit të Venecias. Ne presim me qetësi, por edhe me padurim, reagimin e Komisionit të Venecias përmes një raporti të ndërmjetëm, shpresojmë në fund të nëntorit apo fillim të dhjetorit, që besojmë se do të jetë një konfirmim i rëndësishëm në prag të Këshillit Europian.

Nga ana tjetër, ne jemi plotësisht dakord, të paktën në këtë spektër politik të Europës, që viti i ardhshëm duhet të jetë viti i hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, bazuar në gjithë ecurinë e qëndrueshme dhe të vendosur të qeverisë shqiptare dhe të shumicës së qeverisë, për të çuar përpara një proces të gjerë reformash shtetndërtuese.

Sigurisht që folëm edhe për krizën dramatike të refugjatëve që me flukse të paimagjinuara deri pak kohë më parë braktisin shtëpitë e tyre nga luftërat dhe konfliktet e përgjakshme në Siri e gjetkë dhe drejtohen për në Europë, me synimin për të shkuar në Gjermani. Jam shumë mirënjohës për qartësinë me të cilën miqtë tanë dhe kryetari Pitella nënvizuan rolin e rëndësishëm që po luan Ballkani në këtë krizë dhe përgjegjshmërinë europiane të vendeve të Ballkanit për të ndarë përgjegjësinë e përballimit të kësaj krize, së bashku me sigurisht Gjermaninë, Austrinë, që kanë barrën shumë kryesore dhe me Bashkimin Europian. 

Siç e kam theksuar edhe në samitin e liderve që u mblodh me urgjencë në Bruksel për të adresuar këtë problematike, e ritheksova dhe sot se Shqipëria, pavarësisht se nuk është pjesë e korridorit, është e përgatitur që të marrë përsipër përgjegjësinë e saj dhe të luajë rolin e saj si të gjithë vendet e tjera të Ballkanit dhe të bëjë gjithçka për të lehtësuar sadopak këtë krizë të rënde dhe për t’iu gjendur pranë një aleati të madh strategjik, siç është Bashkimi Europiani dhe posaçërisht, një partneri kaq të rëndësishëm, siç është për ne Gjermania, por me radhë, edhe Austria, edhe Bashkimi Europian.

Më lejoni t’ia kaloj fjalën mikut tonë të shtrenjtë, Gianni Pitella, duke e falënderuar për vizitën e tij në Tiranë dhe duke e falënderuar në mënyrë të posaçme, sepse në mënyrë këmbëngulëse mbron çështjen tonë të integrimit dhe është gjithmonë një inkurajues i madh për Shqipërinë, për shqiptarët, me pozicionet e qarta në çdo instancë të debatit europian.
 
Deklarata e Gianni Pitella, President i Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian:
Faleminderit Edi, edhe në emër të kolegëve të mi që janë këtu me mua, Knut Fleckenstein dhe Richard Howitt. Unë dëshiroj të konfirmoj edhe një herë, mbështetjen e plotë, miqësinë e madhe dhe të thellë që i gjithë grupi i socialistëve e demokratëve europianë kanë për Shqipërinë dhe që e kanë dëshmuar gjatë këtyre viteve, kur kemi mbështetur sfidat më të rëndësishme të këtij populli të madh, duke nisur nga sfida e liberalizimit të vizave, që panë grupin e socialistëve demokratë në radhën e parë për arritjen e këtij rezultati.

Si italian kam disa arsye më shumë për të qenë thellësisht i lidhur me këtë komb. Ju i njihni të gjithë se cilat janë lidhjet, edhe ato historike midis Italisë e Shqipërisë. Sot ka një motiv më shumë, një italian që drejton Kombëtaren shqiptare dhe ka arritur këtë objektiv të rëndësishëm, që është kualifikimi në Kampionatin Europian. Ashtu sikurse Kombëtarja shqiptare u kualifikua në Europian, ne besojmë që Shqipëria duhet të fillojë me shpejtësi negociatat.

Qeveria Rama ka bërë një punë shumë të mirë në të gjithë sektorët që i takojnë qytetarëve dhe kërkoheshin nga Komisioni, si lufta kundër korrupsionit, reforma në administratën publike, rritja ekonomike, kohezioni social, ka një propozim për një reformë në sistemin juridik që përfaqëson një avancim të rëndësishëm dhe që unë inkurajoj që të shkojë përpara edhe në këtë sektor të vështirë, që është njëkohësisht kyç për qytetarët tanë. Ndaj, unë besoj se 2016-ta duhet të jetë viti i hapjes së negociatave. Siç po thoshim me Edin gjatë takimit tonë, nuk mund të jemi kandidatë për fejesë pa komunikuar. Nëse duhet ndërmarrësh një fejesë e më pas një martesë, duhet të diskutohet, të flitet. Kështu që është e drejtë që pasi ka bërë mirë detyrat në shtëpi, Shqipëria të shndërrohet negociatore, partnere me BE, që pastaj të arrijë në 2019-n të jetë një anëtar i Bashkimit Europian.

Përsa i përket refugjatëve, unë mund të them vetëm dy gjëra. E para, Shqipëria dhe vendet e Ballkanit po na japin të gjithëve një leksion të gatishmërisë dhe të aftësive mikpritëse. Edhe Shqipëria që deri tani nuk është prekur nga kjo çështje është e gatshme, ka deklaruar gatishmërinë e asaj, duke afirmuar vlerën e solidaritetit që disa herë është harruar nga disa shtete europiane. Kjo është e rëndësishme ta theksojmë, sepse e gjithë kjo hapësirë, nga Greqia që është anëtare e BE, në Slloveni e Kroaci përsëri anëtare të BE, kjo hapësirë që përfshin Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë dhe vende të tjera nuk është anëtare e BE-së, por merr përsipër përgjegjësi, sikur të ishte pjesë e BE-së. Politikisht kjo është shumë domethënëse.

Gjëja e dytë që dua të them është që isha me Richard Howitt në Liban, të premten e kaluar. Në Liban janë 1,5 milionë refugjatësh në një popullsi totale prej 4 banorësh. Një në tre banorë në Libi janë refugjatë, palestinezë ose sirianë. Aty nuk ka ndodhur asnjë katastrofë, asnjë nuk është trembur dhe ne europianët i trembemi këtij të ashtuquajturi pushtim. Ne jemi 500 milionë qytetarë, nuk mund të frikësohemi nga ardhja e një, dy, tre milionë. Duhet të organizohemi më mirë, të krijojmë qendra identifikimi dhe verifikimi dhe më pas të rivendosim të gjithë refugjatët në vendet europiane, duke evituar që barra e refugjatëve të bjerë me tepri vetëm në disa shtete të vetme. Këto janë mesazhet që ne duam të japim të gjithë bashkë, duke ritheksuar miqësinë tonë, solidaritetin tonë, afërsinë tonë dhe edhe idenë e një rruge të përbashkët me Shqipërinë. 

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal