Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre, në kuadër edhe të situatës së ditëve të fundit, e veçanërisht së enjtes.

Ndreu shkruan krah një videoje se në kushtet e thatësirës, një shkëndijë e ndezur me dashje apo nga pakujdesia, mund të ketë pasoja të rënda në banesa, prona dhe jetë njerëzish.

Postimi i plotë:

Apel urgjent për të gjithë qytetarët e Lezhës dhe zonave përreth!

Të nderuar qytetarë,

Ditët e fundit, dhe veçanërisht gjatë ditës së djeshme, jemi përballur me situata dramatike nga zjarret në Piraj, Barbullojë dhe Manati.

Në kushtet kur prej më shumë se tre muajsh mungojnë reshjet, bimësia është jashtëzakonisht e thatë dhe era favorizon përhapjen e flakëve, mjafton një shkëndijë për të shkaktuar një katastrofë!

Ndezja e zjarrit në ferra, ara, mbeturina apo ambiente të hapura, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, mund të vërë në rrezik banesa, prona dhe mbi të gjitha jetë njerëzish.

Ju bëjmë thirrje: MOS NDIZNI ZJARRE!

Në këto kushte, çdo papërgjegjshmëri mund të ketë pasoja shumë të rënda. Kur flakët përhapen me shpejtësi, ndërhyrja bëhet jashtëzakonisht e vështirë dhe mbrojtja e banesave një sfidë e madhe.

Kërkojmë bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë e çdo banori. Parandalimi është mbrojtja më e mirë!

Një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë një fatkeqësi të madhe.

Të mbrojmë së bashku njerëzit, shtëpitë dhe territorin tonë!


Lajmi kryesor:

Ende aktive vatra e zjarrit në Manati të Lezhës, sot pritet ndërhyrje nga ajri