Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka marrë vendimin për të rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për konfiskimin e pasurive të shtetasit Elvin Merlika dhe tetë personave të lidhur me të, të cilët janë në hetim pasuror.
Elvin Merlika dyshohet si pjesë e grupit kriminal që planifikoi vrasjen e Indrit Dokles.
Ai akuzohet për veprat penale të: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, si dhe personave të lidhur me të.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si të pabazuar në ligj dhe në prova.
2. Revokimin e sekuestros të caktuar në kuadrin e procedimit pasuror Nr. 2 të vitit 2022 me vendimin Nr. 4, datë 23.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimin e pasurive të sekuestruara pronarëve të tyre”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Kujtojmë se në janar të këtij viti SPAK bëri kërkesën për konfiskim të pasurive të Merlikës dhe tetë personave të lidhur me të.
Sipas SPAK se pasuritë e sekuestruara të tij janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta.
Ndaj SPAK kërkoi konfiskimin e 20 pronave, nga hoteli, apartamente tek makinat luksoze.

Komente











