Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor ish-oficerin e policisë gjyqësore Igli Haxhiaj, i akuzuar për disa vepra penale që lidhen me shpërdorim detyre, pas dyshimeve se dekonspiroi hetimet ndaj grupit të Elvis Doçit, i njohur si Visi Pojës.

Sipas vendimit, Haxhiaj u dënua fillimisht me 4 vite burg, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul në 2 vite e 8 muaj heqje lirie.

Vuajtja e dënimit do të llogaritet nga data 27 nëntor 2025 dhe ai do ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme. Po ashtu, Haxhiaj është ndaluar të ushtrojë funksione publike për 5 vite.

Vendimi u dha nga trupi gjykues i GJKKO-së, ndërsa shpenzimet gjyqësore i janë ngarkuar të pandehurit.

Pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin SkyEcc, SPAK administruar biseda të shumta mes tij dhe Denis Myftiut i akuzuar si pjesë e grupit kriminal, ku flitet për pazare lidhur me dhënien e informacioneve kundrejt pagesave që varionin nga 5 deri në 15 mijë euro.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.