Daniela Klette, ish-anëtarja e grupit terrorist gjerman Red Army Faction, e njohur si grupi Baader-Meinhof, është dënuar me 13 vite burg pas më shumë se tre dekadash në arrati. 67-vjeçarja, që për vite konsiderohej “gruaja më e kërkuar” në Gjermani, u arrestua në Berlin në shkurt të vitit 2024, ku jetonte prej rreth 20 vitesh me identitet të rremë.

Pas një gjyqi që zgjati 14 muaj dhe u zhvillua nën masa të forta sigurie, gjykata në Verden e shpalli fajtore për gjashtë grabitje të armatosura, rrëmbim për shpërblim dhe mbajtje armësh ushtarake. Sipas prokurorëve, grabitjet ishin kryer mes viteve 1999 dhe 2016, shumë vite pasi organizata terroriste RAF ishte shpërbërë, dhe kishin për qëllim financimin e jetës në fshehtësi të anëtarëve të mbetur në arrati.

Gjykatësi Lars Engelke tha se grabitjet kryheshin “në mënyrë të organizuar dhe konspirative”.

Sipas mediave gjermane, në sallën e gjyqit pati tensione menjëherë pas shpalljes së vendimit. Mbështetës të saj fishkëllyen gjyqtarët dhe brohoritën “Liri për Danielën”, ndërsa jashtë gjykatës protestues mbanin pankarta solidariteti.

Klette arriti t’i shpëtonte policisë për më shumë se 30 vite, derisa u identifikua në Berlin. Në apartamentin e saj në lagjen Kreuzberg, policia gjeti armë, një bazukë false, dokumente identiteti të falsifikuara, paruke, ar dhe rreth 240 mijë euro cash, që dyshohet se vinin nga grabitjet.

Prokurorët thanë se ajo vepronte bashkë me Burkhard Garweg dhe Ernst-Volker Staub, të cilët vazhdojnë të jenë në arrati. Të tre dyshohet se kanë grabitur mbi 2 milionë euro nga automjete transporti parash dhe supermarkete në disa rajone të Gjermanisë.

Hetuesit thanë se në banesën e Klette u gjet edhe ADN-ja e dy bashkëpunëtorëve të saj, madje edhe në një furçë elektrike dhëmbësh. Avokatët e saj kishin kërkuar pafajësi, duke argumentuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për përfshirjen në grabitje.

Në fillim të procesit gjyqësor në vitin 2025, Klette kishte folur publikisht për herë të parë pas shumë vitesh, duke e cilësuar procesin “politik” dhe duke deklaruar se vazhdon të mbështesë luftën kundër “kapitalizmit dhe patriarkatit”.

Ajo përballet edhe me akuza të tjera për sulme me motive politike në vitet ’90, kur grupi RAF ishte ende aktiv. Këto çështje po trajtohen në një proces të ndarë në Frankfurt. Nën një identitet të rremë, Klette ishte përfshirë për vite në një qendër kulturore braziliane në Berlin, ku praktikonte capoeira, art marcial brazilian që kombinon kërcimin me luftimin.

Sipas hetuesve, pikërisht fotografitë e saj në Karnavalet e Kulturave në Berlin në vitin 2009 ndihmuan në identifikimin dhe arrestimin e saj. Grupi RAF, i njohur edhe si banda Baader-Meinhof, ishte një organizatë ekstremiste e majtë që kreu sulme, rrëmbime, atentate dhe vrasje në Gjermaninë Perëndimore gjatë viteve ’70 dhe ’80.

Organizata pretendonte se luftonte kundër imperializmit amerikan dhe shtetit gjerman që e konsideronte “fashist”. Sipas autoriteteve gjermane, grupi besohet se vrau të paktën 30 persona dhe plagosi rreth 200 të tjerë.