Zv/Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat, thotë se vendimi i fundit i qeverisë për të ulur buxhetin e arsimit, shëndetësisë e bujqësisë, dëmton të ardhmen e vendit.

Paradoksi sipas saj, është tek rritja e shpenzimeve për teknologjinë dhe ministren virtuale Diellën.

Deklarata e Plotë

Vendimi i fundit i qeverisë për të ulur buxhetin e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë është një akt i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për të ardhmen e vendit.

Në një kohë kur Shqipëria po përballet me nevojë jetike për më shumë investime në dije, në arsim cilësor dhe në kujdes shëndetësor dinjitoz, qeveria zgjedh të shkurtojë fonde pikërisht aty ku preken më rëndë qytetarët.

Vetëm në arsim, janë 851 milionë lekë më pak se në qershor dhe 1 miliard lekë më pak se buxheti fillestar i vitit 2025. Këto janë para që u hiqen mësuesve, nxënësve e studentëve, për t’u shpërndarë më pas në koncesione dhe për klientët e qeverisë. Janë para që hiqen nga buxheti që mund të përdorej për të ngrohur klasat në dimër apo për të ndërtuar shkolla në lagje si Astiri, ku pavarësisht se premtohet çdo vit shkollë e re, prindërit mbeten çdo mëngjes me orë të tëra në trafikun e Tiranës për t’i çuar fëmijët në shkollat e lagjeve të tjera.

Në shëndetësi, kriza është akoma më e rëndë. Ndërkohë që pacientët e Spitalit Onkologjik përballen çdo ditë me mungesa ilaçesh dhe dhimbje pafund, qeveria ka ulur buxhetin me 336 milionë lekë. Paratë që duhej të shkonin për të sëmurët, për ilaçet, për kujdesin, po zhduken në gropat e korrupsionit.

Kjo qeveri luan me jetën e të sëmurëve me kancer, duke mos i siguruar ilacet ,duke i detyruar ose t’i drejtohen privatit, ose të enden sa në një spital në tjetrin pa shpresë për jetën. Kjo qe ndodh me pacientet eshte kriminale.

E njëjta goditje bie mbi bujqësinë. Qeveria i ka hequr 852 milionë lekë Ministrisë së Bujqësisë, ndërkohë që fondet IPARD të BE-së janë ende të bllokuara për shkak të aferave korruptive. Fermerët janë braktisur nga qeveria, eksportet kanë rënë, dhe Shqipëria prodhon gjithnjë e më pak. Në vend që të mbështeten fermerët dhe prodhimi vendas sërish për këtë qeveri prioritet janë vjedhja dhe korrupsioni .

 Ky nuk është thjesht dështim, kjo është braktisje e qytetarëve dhe abuzim me paratë publike.

Por ndërsa shkurtohen arsimi, shëndetësia dhe bujqësia, rriten me shpejtësi shpenzimet për shërbimet digjitale dhe Ministren antikushtetuese Diellën, për projekte që po kthehen në një tjetër burim pasurimi për klientët e pushtetit.

Në shtatë vitet e fundit, financimet për digjitalizimin janë rritur më shumë se tetë herë, duke arritur 42 miliardë lekë, ndërsa vetëm këtë vit planifikohen edhe 200 milionë euro të tjera. Ndërkohë, një pjesë e madhe e qytetarëve, sidomos të moshuarit, nuk kanë as njohuritë digjitale për t’i përdorur këto shërbime, dhe paguajnë të tretë për ndihmë.

Ky është paradoksi i kësaj qeverie, teknologji për fasadë, por varfëri në çdo familje shqiptare.

Ndërkohë realiteti është se sot, 55% e familjeve shqiptare jetojnë me shumë vështirësi ekonomike. Rritja e një fëmije u kushton prindërve të paktën 30 mijë lekë ose afërsisht sa një pagë minimale. Mbështetja nga qeveria është zero. Asnje politike për të luftuar varferine dhe nxitur lindjet, për të mbështetur familjet e reja e për të luftuar efektin gërryes të emigrimit masiv.

Kjo qeveri po shkatërron themelet mbi të cilat ngrihet çdo komb, arsim, shëndetësi dhe bujqësi. Shqipëria nuk mund të ecë përpara me një qeveri që rrit korrupsionin dhe tkurr fondet për dijen, rrit luksin e vet dhe ul cilësinë e jetës së qytetarëve.