Më shumë se 400 mijë qytetarë që janë konsumator të kompanisë turke e të cilët kanë të vendosura nëpër shtëpitë e tyre orë elektrike digjitale të tipit “Kohler” për çdo muaj mund të kenë paguar më shumë para sesa kanë shpenzuar energji elektrike.
Është dëshmuar dhe është verifikuar se ky tip i njehsorëve elektrikë ka regjistruar energji elektrike pa ngarkesë. Thënë më shkurt: ora ka ecur edhe atëherë kur shtëpia ka qenë e mbyllur dhe në të nuk ka jetuar askush.
E dhimbshme kjo për shtetin, ama edhe më shumë për qytetarët e varfët të tij, e sidomos ata që jetojnë me asistencë (me ndihma nga shteti).
Këta po vidhen, po plaçkiten, me bekimin e shtetit, në këtë rast të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës. E kjo e fundit është vënë në shërbim të tyre.
Kanë kaluar gati një muaj prej kur gazeta “Zëri” ka raportuar për skandalin me njehsorë elektrikë. Por, prej asaj kohe e deri më tash gjërat thuajse kanë stagnuar. Departamenti për Krime Ekonomike ka nisur një hetim, por më tutje nuk ka bërë të ditur se deri ku kanë shkuar gjërat. Si zakonisht hetimet vazhdojnë.
Ndërkaq, në anën tjetër ministri i Tregtisë, Bernard Nikaj, nën ombrellën e të cilin vepron Agjencia e Metrologjisë po vazhdon të jetë komod në zyrën e tij luksoze që e trashëgoi nga ish-ministrja, Mimoza Kusari-Lila.
Po ashtu, komod po ndihen edhe vartësit e tij të cilët krijuan problemin me dashje, apo pa të. Për këtë prokuroria do ta thotë fjalën e fundit.
Heqja e suspendimit të njehsorëve të tillë përmes një komunikate të varfër për media pa asnjë detaj po i jep fund telenovelës së njehsorëve. Mirëpo, një gjë këtu po duket nga larg, mbulimi i skandalit dhe hapja rrugë e procesit.
Turqit, pronarë të KEDS-i, përmes presioneve dhe lidhjeve të ndryshme me zyrtarë të MTI-së, kanë tentuar dhe po tentojnë që tipat e njehsorëve të tillë t’i përdorin edhe më tutje, pasi që si të tillë ata kanë kalkuluar në interes të tyre. Mirëpo, në anën tjetër zyrtarë të Agjencisë së Metrologjisë nuk e kanë kryer punën e tyre në mbrojtje të qytetarëve të vendit. Është e habitshme se edhe ata vetë po tregojnë haptas se njehsorët e licencuar kanë rezultuar në numërim të energjisë elektrike pa ngarkesë, por përkundër kësaj ata kanë lejuar që të njëjtit të vendosen nëpër familje të qytetarëve.
Mirëpo, veprimet e zyrtarëve të MTI-së në rastin e njehsorëve elektrikë edhe më tutje mbesin larg syve të opinionit publik. Ata bëjnë publik njoftimin për heqje të suspendimit të përkohshëm të këtij njehsori, mirëpo ata fshehin me apo pa dashje detajet dhe parregullsitë që janë evidentuar e që janë tejet shqetësuese.
Nga 1024 njehsorët e testuar pa ngarkesë elektrike me vetëm një tension (pra 1X230V) në total kanë regjistruar 359 njehsorë, ku tarifën e parë e kanë regjistruar 231 njehsorë, si dhe tarifën e dytë e kanë regjistruar 149 njehsorë elektrikë.
Mirëpo, ky fakt fshihet me dashje, pasi që në fund të hartimit të raportit nuk evidentohen gjetjet një nga një, por nxirret një mesatare e ku thuhet se njehsorët elektrikë mesatarisht kanë regjistruar 0.001 kilovat energji elektrike në çdo 15 orë. Sido që të jetë, Agjencia e Metrologjisë e dha version e vet, por tash Prokuroria e Kosovës duhet ta thotë të vërteten për hetimet që ka nisur kohë më parë.