Plagjiatura e Ilia Xhokaxhiut ndaj
vizatimeve të burgut të Velos

Plagjiatura e Ilia Xhokaxhiut ndaj<br />vizatimeve të burgut të Velos
TIRANE - Në një takim me Maks Velon, për të mësuar më shumë, përmes jetës dhe memories së tij, mbi artin pamor shqiptar të viteve `70 dhe situatave ideopolitike që i tjetërsuan dhe i bënë të dallueshme, apo e thënë thjesht, i dhanë atyre formën e një stacioni të rëndësishëm intelektual në historinë e Shqipërisë, duke u shfaqur si një pamje krejt e veçantë nga koha tjetër e para viteve `90, zbulon se pas këtyre viteve, edhe në kulturën shqiptare të imazheve interferon haptas plagjiatura, si akt i moralit të intelektit të homoartistit global. Në artet modern ajo është një realitet i kudondodhur.

Është një fenomen mjaft i zakonshëm, i diskutuar ethshëm në aulat ndërkombëtare akademike moderne të shekullit XX dhe atij bashkëkohës.  Edhe pse i llafosur vetëm nëpër tavolinat plot tym të kafeneve, është i pastudiuar dhe i pashpalosur drejtëpërdrejtë në sistemet akademike të artit në Shqipëri. Kjo ka dy arsye kryesore dhe qindra të tjera minore. E para sepse ne jemi ende një shoqëri ekonomiko-social politike, që shfaqet si një prapambetje e kohës komuniste dhe kjo na përcakton se ende jemi një vend me mendësi të kufizuar mbi sistemin kritik, për të cilin rëndom thuhet se, mungon në Shqipëri.

Konkluzioni është se ne, atë/kritikën nuk e kërkojmë, nuk e dëshirojmë, e duam të heshtë, pasi i kemi krijuar vetes idenë “luksoze” se jemi më të mirët dhe më të paarritshmit. Së dyti ne, ndërvedi, në çastin që themi një ide të ndryshme nga bashkëfolësi ynë, e shpallim atë “Tjetri” dhe e trajtojmë si “Armik”. A nuk ngrinë kjo gjithshka dhe më parë komunikimin? Por kritika është vetëm komunikim dhe trajtesë ideshë, fenomen ky shumë i komplikuar, por njohës në thellësi. Ai kërkon edukim dhe do ta quaja ekzistencën e kritikës “TABU” e rrezikshme në Shqipëri.  
 
Në ditët që jetojmë, Maks Velo, po i shërben rikrijimit të individit të tij, organizimit të botës së tij të brendshme, duke mos përjashtuar asnjë aspekt të saj. Ai po e bën këtë përmes tregimit të asaj që është grumbulluar në intelektin e kujtesës së vet, e cila pasurohet në vijimësinë e të jetuarit. Ai po e tregon çdo ditë sesi e përjeton vendin dhe kohën e së përditshmes, sesi ndikojnë ata, reciprokisht tek ai si individ dhe, sesi ndikon ai mbi to, me forcën e imazhit dhe shkrimit të ideve. Në arsyen e rikrijimit të vetes është bërë njësh me kërkimin e krijimeve të kryera, por të humbura.

Ai e bën këtë përmes koncentrimit të memories dhe shndërrimit të saj në një fakt domethënës, real, njerëzor, debatues, ideor dhe figurativ. Ai dëshiron që jeta, krijimtaria, puna e zakontë, marrëdhëniet me njerëzit dhe konceptet e tij mbi botën, zhvillimin, individin, shoqërinë, historinë, artin dhe besimin të mbeten si fakte të forta të tij në një pjesë të kujtesën sonë shqiptare dhe, më gjërë se kaq. Në mënyrë të natyrshme, sot, Maks Velo, është kthyer një individ i personalizuar publik, që ndiqet me vemendje për të mirat dhe hidhësirat që jeta social-politike, e disa kohërave, i ka servirur dhe i ka mbruajtur tipilogjinë psikologjike.

Një ditë të lume, në fillim të viteve 2000, Maks Velo zbuloi se esenca e ideve dhe shenjave të tij figurative, që buruan nga thellësia e tij në kohën e diktaturës, është kopjuar nga piktori i njohur Ilia Xhokaxhi si akt imazhi. Krijimtaria e ngjashme e Xhokaxhiut u ekspozua në GA, në vitin 2005, me titull “Makbethi”. Por grafikat dhe shenjat figurative të Velos ishin një produkt i vuajtjeve, ankthit dhe përballjes së situatës së brendshme të dilemave dhe kontraditave të tij me mjedisin e jashtëm agresiv politiko-komunist. Në këtë formë atë marrin të drejtën e shpërthimit vetjak.

Ndërsa skena  e sheshtë makbethiane është transferim i sipërfaqes së molekulave të skicave të ideve fillestare të grafikave të burgut, mbi një dydimensional të dytë dhe të përpunuara nga një autor i dytë. Ky është drejtimi i këtij teksti, i cili i përket, më gjërsisht plagjiaturës dhe anekseve të saj.
 
Paul Gauguin do të thoshte se “Arti është ose plagjiaturë ose revolucion” dhe Pablo Picasso thoshte se: “Artistët e këqinj kopjojnë, ndërsa gjenitë vjedhin”, por Karl Kraus (1874-1936) shkroi në 1912, në librin e tij “Pro domo et mundo” se: “E fshehta është në zemër të plagjiaturës. Edhe në art i varfri nuk mund t’i marrë asgjë të pasurit, ndërsa i pasuri i merr të varfërit gjithshka”.  Dhe në ditët e sotme kuratori Sebastian Gokalp, pak kohë më pare ia dedikoi bisedën e tij, në Musee d’Art Modern de la Ville de Paris çështjes “Opere sosia”.
 
Në dukje është një referim pak i gjatë që do të thotë qartë se plagjiatura/rrëmbimi, fjalë për fjalë në latinisht dhe, që nga shek. I pas Krishtit, porse në vazhdimësinë e kohërave, u latua dhe mori formën e kopjimit në kohrat moderne. Pra plagjiatura/kopjimi në art apo rrëmbimi ideve është një fenomen shumë kompleks, shumë i vjetër dhe mjaft aktiv në ditët tona. Ky lloj fenomeni nuk ka lidhje me konceptin në se një vepër arti është e vërtet apo falco dhe nuk është një krim banal në vetvete, por diçka më shumë, është një krim shpirtëror, është një shkelje serioze e etikës, e cila në vendet e përparuara dënohet me ligje të veçanta dhe të ashpra.

Plagjiatura nuk është e barabartë me një kopje të drejtëpërdrejtë e të plotë apo thjesht copyright infringement/shkelje e të drejtave të autorit. Ajo lidhet me aspektet morale të kreativitetit individual dhe kohët moderne të shek. XVIII e trajtuan si një akt të pamoralshëm, të pandershëm dhe përvetsim të gabuar të origjinalitetit të imazheve, ideve, shprehjeje të një “artisti” apo “autori” nga artisti i parë origjinal. Plagjiatura dëmton drejtëpërdrejtë reputacionin dhe të ardhurat morale dhe monetare të papërfituara të individit apo të autorit të ligjshëm e origjinal të imazheve, ideve dhe shprehjeve.
 
Brenda këtyre radhëve mund të përpëlitesh, por zbulon se plagjiatura është pjesë e mbijetesës së artit. Maks Velon jam munduar ta njoh përmes krijimeve të artit pamor, shkrimeve estetiko-publicistike dhe kujtimeve të tij si dhe ideve të thëna e shkruara për të në faqet e studimeve dhe medias shqiptare, por edhe të huaj. Në rastin më të fundit më tregoi disa punime grafike të fotografuara, të cilat i njoh shumë mirë dhe mendoj se janë një pikë e rëndësishme në artin e Maks Velos, pasi lidhen në mënyrë të drejtëpërdrejtë me një etapë të rëndësishme meditimi dhe krijimi.

Ato janë motivi esencial i botës së tij. Ato janë prania e tij përhershme, sepse u krijuan në kohën e diktaturës dhe, fatmirësisht, të rigjetura në fillim të viteve `90. Ato janë një pjesë e pakët e 246 krijimeve, që fatkeqësisht u përdorën kundra tij në hetuesi dhe në sallën e gjyqit si dëshmi për dënimin me heqje lirie, në emër të popullit. Pas viteve `90, fotot e gjetura nga proceset  gjyqësore nisin historinë e riciklimit të imazheve të memories, të cilat u rikthyen si një akt i ri të krijimtarisë së dëshmuar në pikturën në vaj, akrilik, pastel, laps e tjerë.

Duke qenë se ky tekst lidhet me plagjiaturën do të shkëpus ide mbi uniticitetin e shenjave të Maks Velos, element i cili tregon origjinën e tyre dhe bën aneksimin e drejtëpërdrejtë të huazimit të tyre nga artisti i lartpërmendur, që grafikon formën e jashtme, sfondin, shpesh herë teksturën dhe krahun e furçave piktorike. Shprehje e tyre e gjallë janë piktura Velo ’92 me Xhokaxhi 2000, Velo 1993 me Xhokaxhi 2002, Velo 1993 me Xhokaxhi 2002. Studiuesi i respektuar Dr.

Gazmend Muka i ka kushtuar vemendje thellësore krijimtarisë së Velos dhe na ka lënë një grup ideshë thelbësore rreth origjinalitetit apo gjetjes fillestare. Jo pa arsye ai shkruan se: “Shenjat në ekspozitën e artistit Maks Velo me thjeshtësi të madhe marrin formë, kthehen në figurë, në marrëdhënie, duke shfaqur në linjën e ekspozimit një Koncept unik artistik…personazhet e tij herë primitivë e arkaikë, të incizuara me një individualitet ndjesor mjaft original, ngjajnë si eksponantë të shkëputura nga vendqendrimet e gjata…dhe montojnë në mënyrë organike…situata të jetës sonë të përditshme, apo historisë sonë kombëtare…(Drita, 19 shkurt 1995)… Kjo vecori tregon që edhe figurat e Maksit në vetvehte janë mjaft personale, ku çdo veprim formal që ushtrohet mbi to nuk mund të ndryshojë thelbin e tyre. (Koha Jonë, 22 shkurt 1995)
 
Në paragrafet e mësipërme irritimi ndaj plagjiaturës është perceptues aktiv, por duke përshkruar godinën e historisë së artit kupton se plagjiatura jeton me të gjithë rehatinë e vet në dhomat e saj. Vështron me endje se si veprat e artit janë objekte të përsëritura nga tradita e një shekulli më parë. Imazhet e tyre duken të ngjashme dhe sikur në të gjithë historinë e krijimit artistik i përkasin plagjiaturës/përvetësimit, rikrijimit, rivlerësim tematik, riinterpretim, riimprovizimit imitues, imitimit dhe riimitimit, vjedhjes stilistike, kopjes së imituar dhe falsifikimit.

Të gjitha janë procese të një boshti kryesor, ku vërtëllohen kultura tradicionale, kultura akademike, kultura e shkolluar, tradita kanonike. Në mënyrë të natyrshme studiuesit e procesit krijues e cilësojnë këtë fenomen “përdorimi i përvetsimit”, i cili nuk është gjë tjetër veçse përdorimi i imazheve paraekzistuesë dhe aplikimi i tyre në një imazh pasardhës me një transformim të pakët mbi paraekzistuesin. Kjo ka ndodhur në disa raste më Xhokaxhinë, si një piktor më i ri në moshë dhe me krijimtari më të pasme se e Velos ose e kohës së krijimit të shenjave të tij grafike apo të embrionit të tij esencial. 
 
Në qetësi të marrjes së këtyre informacioneve, duket sikur, njëkohësisht përjashtojnë dhe pranojnë plagjiaturën. Sot jetojmë në një botë, ku homodituria e ka zmadhuar rretheqarkun e vet, duke pranuar se arti i krijimit i nështrohet kuptimit tonë mbi dy koncepteve themeltarë. Kuptimi ynë i parë e pranon idenë mbi përvetësimin si materializim të konceptin se një vepër e re, për të krijuar veten rikontekstohet duke huazuar elemente nga një vepër origjinale. Dhe kjo ka ndodhur imazh pas imazhi që kur historia botërore e artit nisi të memorizohej e të shkruhej.

Me historinë e artit shqiptar nuk ka si të ndodhë ndryshe nga ajo që historia e artit botëror na servir.  Kuptimi ynë i dytë lidhet me idenë e fiksimit të skicës së parë si koncept origjinal, që është produkti i parë, të cilin ne e cilësojmë si vepra origjinale dhe që mbetet një “send” i pandryshueshëm, mbetet një send i shtrenjtë dhe në çdo vend të botës mbrohet si e drejtë e autorit. Kjo na mëson se me të drejtën e autorit në Shqipëri nuk ka pse të ndodhë ndryshe. Ajo duhet dokumentuar, duhet vënë në pah shkeljet, duhet mbrojtur me ligj dhe t`i jepet Qezarit ajo që i takon Qezarit. 
 
Si e përcaktojmë fillesën (origjinalitetin) e veprës së Maks Velos? Le të marrim në konsideratë disa ide, të cilat informojnë mbi këtë veti thelbësore dhe orientojnë se imazhet e piktorit Xhokaxhiu, i cili ka vlera të rëndësishme në një lloj tjetër arti në Shqipëri, siç janë ndërtimi dhe krijimi i skenografive artistike, për evente konceratle siç janë filmi, teatri, skenat orkestrale në natyrë, janë të huazuara prej shenjave figurative të burgut të Velos.

Profesori dhe studiuesi i letërsisë dhe i gjuhëve sllave Harold Segel, që ilustroi librin e tij mbi letërsinë e burgut në Europën Lindore me vizatimet grafike apo të shenjave të Velos kur shkruan se: “...skicat bardhë e zi të Velos me temë burgun janë madhështore dhe të fuqishme..., (Shekulli 12 tetor 2012) nënkuptojmë të drejtën e autorit, ekzistencën e vlerës të inkasuar në to dhe, më shumë se kaq, vlerën si personifikim i origjinalitetit, që sëbashku shpallen me një formë të përcaktuar qartë, të cilën e quajmë idea apo skica fillestare e artistit.

Magdalena Kozllovska i vlerëson vizatimet grafike të shenjave të Velos si: “...Identifikim me vetë autorin e punimeve...përceptim biografik i një sërë linjash të paraqitura...Trajtat në dukje abstrakte, si forma-kulti, totemat magjikë, shndërrohen në qënie që afrojnë me ne, që ndjenë si ne...këto grafika prodhojnë asociacione me rrymën organike të shek. XX në krijimtarinë e Henri Murit apo Hans Arpit” (revista polake “Polis” nr. 9, 1995), nënkuptojmë referencat dhe piktakimet e artit të Velos të viteve ’70, me historisë e moderne të artit dhe zanafillën figurative të prehistorisë.

Ksenofon Dilo zbulon një tjetër burimit të idesë së parë të artistit, kur në fjalën e hapjes në ekspozitën e Velos lexon se: “...I apasionuar që në rininë e vet pas krijimeve plastike të artit popullor, kryesisht gdhendjeve në dru, piktori i gjen këto krijime si një shtrat për të ndërtuar aspiratat e tij për një art modern bashkëkohës...(GKA, 7.11.1991). Si përmbledhje i pari i jep vlerë, e dyta i lidh me artistët e mëdhenj modern dhe i treti i gjen rrënjët në vendin e vet.

Duke marrë në konsideratë se çështjet ideore dhe teknike në proceset e krijimit të një vepre arti ecin në dy linja që ndërthyren dhe ngjiten bashkë mund të arrijmë në një prej konkluzineve mbi autenticitetin e  origjinalitetit të  skicës së parë, e cila më pas skicë mbi skicë, vizatim mbi vizatim, pikturim mbi pikturin, volum mbi volum, dritë mbi dritë  gjeneron veprën dhe formon individualitetin e artistit. Por Francescko Manacorda (1974), Drejtor i Artissima, kurator i pavarur dhe shumë i njohur në mjediset britanike të kohës sonë është shprehur se:  “Të paktën që nga Duchamp, vepra e artit nuk është më vetëm një objekt i krijuar nga një autor.

Vepra e parë, ajo e gatshme, disa artistë dhe tendencat që erdhën njëra pas tjetrës, nga vitet ’60 të shek. XX e deri më sot, i bënë një sfidë provokuese autenticitetit, nënshkrimit dhe origjinales”. Në këtë arsye mendoj se respekti mbi origjinalitetin është minuar dhe tema mbi origjinalitetin është zbehur sepse vet artistët kanë minuar konceptin mbi origjinalitetin e veprës dhe se në artin bashkëkohor, fjala plagjiaturë është shumë tinzare dhe fshehtësia është zemra e saj. E kjo nuk mbulon vetëm sferat e krijimit shqiptar. Natyrshëm përfshin gjithë krijimtarinë e homoartistit global dhe, jo vetëm në bashkëkohësinë tonë, por edhe më parë e më parë. Historia e artit shënoi dukshëm diamantet e mbetura në sitë. Ajo do të vazhdojë ta bëjë këtë.

31 maj 2013

Shkrimi u botua në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Masakra në Britani/ 2 fëmijë viktima nga sulmi me thikë, 9 të plagosur! Policia prangos autorin, nuk ka ende një motiv të qartë

Masakra në Britani/ 2 fëmijë viktima nga sulmi me thikë, 9 të plagosur! Policia prangos autorin, nuk ka ende një motiv të qartë