Pas ngjarjes në fshatin Neviçisht të Korçës, një tjetër plagosje me thikë u regjistrua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Pogradecit.
Plagosja mësohet se ka ndodhur në lagjen 4, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, mbeti i plagosur 39-vjeçari Olger Vesho. Forcat e komisariatit të policisë Pogradec kanë identifikuar autorin Genci Gegprifti dhe kanë bërë arrestimin e 55-vjeçarit.
I plagosuri ka marrë dëmtime në pjesën e qafës dhe në dorë, por është jashtë rrezikut për jetën. Materialet proceduriale janë dërguar në prokurori për veprën penale "vrasje me dashje e ngelur në tentativë".
Njoftimi i policisë:
Pogradec/Plagosi me mjet prerës një 39-vjeçar, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, menjëherë pas njoftimit për një konflikt të ndodhur në lagjen nr. 4, ku kishte mbetur i dëmtuar me mjet prerës (thikë) shtetasi O. V., 39 vjeç, pas një konflikti të çastit me shtetasin G. G., 55 vjeç, kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë shoqëruar autorin e dyshuar.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi i shtetasit G. G., 55 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale "Vrasja me dashje", e mbetur në tentativë.
Shtetasi O. V. po merr mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento