Një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë mbrëmjen e sotme në Sarandë, pas një sherri me disa persona të tjerë ku ai u përfshi. Bëhet me dije se i plagosur ka mbetur Aurel Shino, i cili është goditur me thikë poshtë brinje, në anën e majtë të trupit, ndërsa ngjarja u regjistrua në rrugën “Turizem - Kanali i Cukes”.
I riu ishte punonjës parkimi në një kompleks turistik në qytetin bregdetar, ndërsa u godit me thikë pas një sherri jashtë vendit të punës.
Pas ngjarjes, i plagosuri tentoi të shkonte vetë në spital, duke marrë mjetin e punës, por nuk mundi të përshkojë më shumë se 1 kilometër rrugë.
Ai u morë nga një mjet i çastit dhe u dërgua në spital, ndërsa nuk bëhet me dije gjendja shëndetësore në të cilën ndodhet. Nuk dihet se sa persona u përfshinë në ngjarje dhe as arsyet e sherrit, ndërsa policia ka nisur hetimet.