Një ditë pasi dyshohet se qëlloi me armë zjarri një 29-vjeçar në Krumë dhe u largua nga vendngjarja, F.D., rreth 30 vjeç, është vetëdorëzuar në Policinë e Kukësit. Ai është paraqitur së bashku me pistoletën që dyshohet se përdori gjatë plagosjes, ndërsa gjatë kontrolleve policia i ka gjetur edhe një kallashnikov, antiplumb, dylbi dhe municion luftarak.

Ngjarja për të cilën akuzohet 30-vjeçari ndodhi pasditen e 8 shtatorit, rreth orës 17:10, në vendin e quajtur “Kryqezi i Spitalit”, në qytetin e Krumës.

Sipas policisë, F.D. dhe 29-vjeçari me inicialet J.A., të dy banues në Krumë, janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta. Gjatë konfliktit, 30-vjeçari dyshohet se ka përdorur armën, duke qëlluar J.A. në këmbë.

Pas të shtënave, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa 29-vjeçari i plagosur ka marrë ndihmë mjekësore. Policia njofton se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas ngjarjes, F.D. u shpall në kërkim dhe shërbimet e policisë nisën punën për kapjen e tij.

Kërkimet vijuan deri sot, kur, sipas DVP Kukës, pas negociatave me familjarët, 30-vjeçari vendosi të vetëdorëzohej.

F.D. u paraqit në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës së bashku me një pistoletë, e cila dyshohet se është arma e përdorur për plagosjen e 29-vjeçarit. Pistoleta është sekuestruar si provë materiale.

Por gjatë kontrolleve të mëtejshme në automjetin dhe banesën e 30-vjeçarit, policia gjeti edhe sende të tjera. Konkretisht, u sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, një dylbi, një antiplumb dhe municion luftarak.

Pas vetëdorëzimit, specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në DVP Kukës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Has, arrestuan F.D.

Ai akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë