Mikel Hoxha, 33 vjeç, nipi i ish-deputetit të PDIU-së, Dritan Bici, është ekstraduar drejt Shqipërisë nga autoritetet britanike. Ai ishte shpallur në kërkim që prej qershorit 2018, pas një ngjarjeje me armë zjarri të ndodhur në qytetin e Gramshit.

Fillimisht, më 23 prill 2021, Hoxha u dënua në mungesë me 17 vite burg, për akuzat “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.

Megjithatë, Gjykata e Apelit Durrës ndryshoi më pas kualifikimin ligjor të veprës penale, duke e riklasifikuar në “Plagosje e rëndë me dashje” dhe e dënoi atë me 5 vite heqje lirie.

Ngjarja për të cilën akuzohet ndodhi në qershor të vitit 2018, në sheshin kryesor të qytetit të Gramshit, përballë komisariatit të policisë, ku pas një konflikti plagosi me armë zjarri Admir Harunin, banor i zonës.

"Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Mançester, Mbretëria e Bashkuar, u krye ekstradimi nga Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Mikel Hoxha, 33 vjeç.

Shtetasi Mikel Hoxha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Durrës, në vitin 2021, e ka dënuar me 5 (pesë) vjet burgim për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Shtetasi Mikel Hoxha, në datën 06.06.2018, në qytetin e Gramshit, pas debatit të çastit për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri në kofshë shtetasin A. H., duke i shkaktuar lëndime serioze. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Mançester / Mbretëri e Bashkuar, u bë e mundur arrestimi i tij, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë",njoftoi sot policia

Më 7 tetor Daily Mail i ka kushtuar një artikull të riut ku ndër të tjera thotë se ai u dënua me 17 vjet burg në mungesë nga një gjykatë shqiptare për 'vrasje me paramendim në tentativë', ndërkohë që mbeti i lirë në Britani. Kur Hoxha u arrestua më në fund në Cardiff në shtator të vitit 2023, ai ishte me kusht për emigracionin dhe në proces të apelimit të refuzimit të kërkesës së tij për azil.

Në artikull theksohet se ekstradimi i tij do të dëmtonte partneren dhe dy fëmijët e vegjël, të cilët kanë lindur në vitin 2019 dhe 2022 pas hyrjes së tij të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:19
U ekstradua nga Britania në Shqipëri për një plagosje me armë, Report Tv siguron foton e nipit të ish-deputetit të PDIU-së

1762614977_mikelhoxha.jpg

Report Tv ka siguruar foton e Mikel Hoxhës, 33- vjeçarit, nipi i ish-deputetit të PDIU-së, Dritan Bici, i cili është ekstraduar drejt Shqipërisë nga autoritetet britanike.

Ai ishte shpallur në kërkim që prej qershorit 2018, pas një ngjarjeje me armë zjarri të ndodhur në qytetin e Gramshit.