DURRËS - Vritet Gazmir Marku, autori i plagosjes së policit Agron Halilaj mbrëmjen e 28 dhjetorit në Durrës, gjatë një aksioni policie, pas tentativës për një grabitje që kishte ndodhur në lagjen 15 në Durrës.

Forcat speciale RENEA bashkë me Policinë e Durrësit, kishin lokalizuar vendodhjen e të kërkuarit për plagosjen e një polici dhe kishin organizuar edhe aksionin për kapjen e tij. Por rreth orës 20:45, në oborin e një banese në lagjen Kënetë, në Durrës, ku Marku fshihej, i është përgjigjur policisë duke e qëlluar sërish me armë.

Siç informoi korrespondenti i "A1 Report" nga Durrësi, Artur Korriku, Gazmi Marku për të çarë rrethimin e RENEA-s dhe forcave të policisë së komisariatit të Durrësit, që i bënin thirrje për t’u dorëzuar, ka qëlluar sërish me armë duke tentuar të vrasë një tjetër polic.

Burime nga vendi i ngjarjes thanë se, që dy ditë më parë, të dielën datë 29 dhjetor forcat e policisë kishin intensifikuar përpjekjet për zbulimin e vendndodhjes së Markut.

Vetëm dje në orë të vona ata zbuluan se ai gjendej në një banesë me numër 17/1 në lagjen Kënetë të Durrësit, jo shum♪7 larg banesës së tij.

Gazmir Marku kishte zënë vend pas një pirgu dheu dhe kishte hapur zjarr duke qëlluar mbi policinë me breshëri kallashnikovi, e duke tentuar vrasjen e një efektivi policie.

Në këtë moment është hapur zjarr ndaj tij nga disa forca policie, duke bërë të mundur eliminimin e tij.

Në njoftimin e policisë thuhet se në vendin e ngjarjes, pranë viktimës është gjetur një automatik, me 2 krëhëra fishekësh të mbështjellë me natriban dhe një numër i madh gëzhojash përreth.

Në orët e para të së dielës, Gazmir Marku plagosi me automatik oficerin e Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Durrës, efektivin, Agron Halilaj, i cili ishte pjesë e një patrulle, e cila kishte shkuar për të kontrolluar banesën e tij.

Policia e Durrësit vuri në dispozicion edhe një shpërblim prej 5 mijë eurosh për arrestimin e Gazmir Markut.

gazmir marku me logo
(Në foto: Gazmir Marku dhe policia në vendngjarje në zonën e Kënetës në Durrës)


Redaksia Online
(ac/mag/a.ç/shqiptarja.com)