Partia Demokratike ka dënuar plagosjen e dy personave sot në Kavajë, mes tyre edhe të kryetarit të FRPD, Erkid Kazazi. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, thuhet se të shtënat me armë kanë ardhur nga Saimir Kurti, drejtor i zyrës së Punës dhe drejtues në PS-në e Kavajës. Sipas tij, kjo ngjarje është pasojë e kriminalizimit të pushtetit nga Edi Rama.

"Këto akte të përsëritura agresioni, dhune dhe gjakosje me armë ndaj drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike janë pasojë e kriminalizimit të pushtetit nga Edi Rama. Këto janë armët dhe plumbat e kriminelëve në pushtet të Edi Ramës, të cilët janë thirrur prej tij pikërisht për për të dhunuar, plagosur e gjakosur opozitën dhe qytetarët", thuhet në deklaratën e PD.
 
Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të marrë nën kontroll hetimin, e të parandalojë të gjitha përpjekjet që po bën policia me urdhër të Edi Ramës për të lehtësuar e ndihmuar autorin e krimit.

"E paralajmërojmë sot Edi Ramën, të heqë dorë nga mbështetja e krimit dhe kriminelëve dhe nga përpjekjet për ti mbrojtur ata nga dora e ligjit, në të kundërt Partia Demokratike do t’i bëjë thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të saj të marrin të gjitha masat për vetëmbrojtje civile kundër krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim", thuhet në deklaratën e PD.

I ashpër në reagimin e tij ishte edhe ish kryetari demokrat, Sali Berisha. Ai shkruan në Facebook se këtë akt vrastar Edvin Shullazi ja ngarkoi vrasësit të tij të dobishëm, nënkryetarit të Partisë Siçiliste dhe drejtorit të çështjeve sociale për Kavajën, Saimir Kurti. "Ky është një krim i shëmtuar terrorizmi të mirëfilltë politik për të cilin përgjegjësi direkte ka kryekrimineli Edvin Shullazi dhe bashkautori i tij Ervin/Edvin/Elvis/Edi/përdhunuesi, të cilët duhet të përgjigjen penalisht për krimin e tyre, tentativën për vrasje dhe plagosjen serioze të drejtuesit të të rinjve demokrat të Kavajes dhe dy shokëve të tije". 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com