Ngjarja ndodhi në qytetin e Durrësit ditën e Premte (5 Shtator) ndërsa në mesnatë policia e qytetit bregdetar mundi të bëjë 7 arrestime në flagrancë, mes tyre dy autorë të dyshuar dhe 5 persona të tjerë që kanë përkrahur autorët për t’iu shmangur kapjes nga uniformat blu.
Në orën 13.40 të së premtes në rrugën “Panorama” në zonën e Plazhit, dy të rinjtë kanë tentuar të vrasin me automatik 18-vjecarin me inicialet B.I, banor i së njëjtës lagje, duke i shkaktuar plagë të rënda. I dëmtuari aktualisht vijon të marrë trajtim në Spitalin Ushtarak ku ndodhet në gjendje të rëndë.
Autoret e rinj lane vendin e krimit, 17-vjecari u kap ne Burrel, 18-vjecari ne Durres
17-vjecari me inicialet E.G banues në lagjen numër 13 në Durrës, me të cilin i plagosuri ishte në konflikt, u kap në Burrel, ndërsa autori tjetër i dyshuar Enea Merollari 18 vjec gjithashtu banues në lagjen numër 13 të Durrësit është kapur në qytetin bregdetar
Pas ngjarjes, E.G. është larguar së bashku me armën e krimit për t’iu shmangur përgjegjësisë penale. Kapja e tij është realizuar pas disa orë pune intensive, në qytetin e Burrelit, ndërsa Enea Merollari është kapur në qytetin e Durrësit.
17 vjecari dhe i plagosuri ishin konfliktuar edhe me pare...E.G ishte denuar per plagosjen e tij
Autori i dyshuar E.G. dhe i plagosuri kanë qenë të përfshirë në një konflikt të mëparshëm me njëri-tjetrin, pasi me datë 05.04.2013 E.G. ka plagosur rëndë me thikë shtetasin B.I; vepër për të cilën është arrestuar, gjykuar dhe dënuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale “Vrasje me dashje mbetur në tentative, në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armeve dhe municioneve luftarake”, nenet 76,22, 25 dhe 278/4 të Kodit Penal.
Gjithashtu lidhur me këtë ngjarje janë arrestuar në flagrancë edhe 5 shtetas të tjerë, e konkretisht:
1-Johan Bardhi, 20 vjec, banues në Durrës.
2-Arledo Mallunxa, 24 vjec, banues në Burrel.
3-Adnan Kurti, 24 vjec, banues në Burrel.
4-Asel Sukaj, 22 vjec, banues në Durrës.
5-Denis Sulçe, 23 vjec, banues në Tiranë.
Arrestimi i tyre është bërë pasi dyshohet se kanë ndihmuar dhe përkrahur autorët e tentativës së vrasjes së shtetasit B.I. për t’iu shmangur hetimit. Materialet proceduriale të rastit iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, neni 302 i Kodit Penal.
(Në foto: Efektivët e policisë në vendngjarje)
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)