Komisioni Evropian propozoi të premten një ndalim të gjerë për çdo shërbim që mbështet eksportet detare të naftës së papërpunuar të Rusisë, duke shkuar shumë më tej se sanksionet e deritanishme të fragmentuara të BE-së, në përpjekje për të goditur burimin kryesor të të ardhurave të Moskës për luftën në Ukrainë.
Rusia eksporton mbi një të tretën e naftës së saj përmes tankerëve perëndimorë kryesisht nga Greqia, Qiproja dhe Malta me ndihmën e shërbimeve detare perëndimore. Ndalimi i propozuar do t’i jepte fund kësaj praktike, e cila furnizon kryesisht Indinë dhe Kinën, dhe do ta bënte praktikisht të pavlefshëm tavanin e çmimeve për blerjen e naftës ruse, të cilin Grupi i Shtatë (G7) është përpjekur ta zbatojë me sukses të kufizuar. Reuters raportoi për herë të parë në dhjetor se BE-ja dhe G7 po diskutonin këtë ndalim.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk specifikoi se si do të zbatohej ndalimi apo nëse ai do të përfshinte më vonë edhe produktet e rafinuara – për të cilat tavani i çmimit është i ndryshëm si dhe eksporte të tjera energjetike, përfshirë gazin natyror të lëngshëm (LNG).
Ajo tha se ndalimi do të zbatohej “në koordinim me partnerë me të njëjtin mendim”, dhe se cisternat ruse të LNG-së dhe anijet akullthyese do të përballeshin me “ndalime gjithëpërfshirëse” për mirëmbajtje dhe shërbime të tjera.
G7 vendosi një tavan çmimi për naftën ruse në vitin 2022 me synimin për të frenuar të ardhurat e Moskës, duke lejuar njëkohësisht vendet e treta ta importonin naftën, për aq kohë sa paguanin jo më shumë se çmimi i përcaktuar. Vitin e kaluar, BE-ja dhe një koalicion që përfshinte Britaninë dhe Japoninë ulën tavanin për të reflektuar rënien e çmimeve në treg. Aktualisht, ai është 44.10 dollarë për fuçi, krahasuar me rreth 64 dollarë për përzierjen e ngjashme Basra Medium të Irakut.
Shtetet e Bashkuara nuk iu bashkuan këtij koalicioni, megjithëse vendosën dy kompanitë më të mëdha ruse të naftës, Rosneft dhe Lukoil, në listën e subjekteve të sanksionuara me ngrirje të plotë të aseteve – masa që BE-ja nuk i ka ndërmarrë.
BE-ja synon të parandalojë anashkalimin e ndalimeve të eksportit
Paketa e re e sanksioneve, e 20-ta që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia gati katër vite më parë, synon ta shtyjë Moskën drejt negociatave serioze për paqe, tha von der Leyen.
“Rusia do të ulet në tryezë me qëllime të vërteta vetëm nëse ushtrohet presion mbi të. Kjo është e vetmja gjuhë që Rusia e kupton,” thuhet në deklaratën e saj.
Von der Leyen shtoi se paketa do të përfshijë gjithashtu një ndalim të ri të importit për metale, kimikate dhe minerale kritike që ende nuk janë sanksionuar, si dhe kufizime shtesë për eksportet evropiane drejt Rusisë. Komisioni propozoi gjithashtu shtimin e 43 anijeve të tjera të “flotës në hije” të Rusisë në listën e sanksioneve, duke e çuar numrin total në 640, si dhe sanksionimin e 20 bankave rajonale ruse. Po ashtu, u propozuan masa të reja kundër kompanive të kriptomonedhave që ndihmojnë Rusinë të anashkalojë sanksionet perëndimore.
Burime diplomatike të BE-së thanë se paketa do të përfshijë ndalime udhëtimi, kufizime transaksionesh dhe ngrirje asetesh për mbi 100 subjekte dhe individë të rinj.
Nëse paketa miratohet nga shtetet anëtare të BE-së, ajo do të përdorë për herë të parë një mjet të ri të quajtur “Instrumenti Kundër Anashkalimit”, i cili i lejon bllokut të kufizojë shitjen e mallrave të sanksionuara drejt një vendi të tretë.
Deklarata nuk e përmendi vendin në fjalë, por Kirgistani është nën presion, pasi disa banka dhe kompani kriptomonedhash në këtë vend janë goditur muajt e fundit nga sanksione të SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për lehtësimin e shmangies së sanksioneve./Reuters
Komente









