Të hënën në Tiranë është mbajtur Forumi i Investimeve të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku në rajon do të investohen 4 milardë euro përmes implementimit të projekteve të ndryshme nga kompani private.

Zv.ministrja e Financave dhe Ekonominë Olta Manjani, e ftuar në ‘Frontline’ të moderuar nga Marsela Karapanço, tha se Shqipëria ka gati tre marrëveshje në sektorë të rëndësishëm si ai digjital, ai i paneleve diellore dhe përpunimin e mbetjeve industriale.

Sipas Manajnit, kompania ‘4iG’ do të ndërtojë një shinë digjitale në rajonin tonë, e cila do të kushtojë 200 mln euro.

“Po marr rastin e Shqipërisë ku kemi tre marrëveshje për tre sektorë shumë të rëndësishëm. I pari është për sektorin digjital, ku do të jetë kompania ‘4iG’, e cila do të ndërtojë një shinë digjitale, me fjalë më të thjeshta, ndërtimi i një rrjeteti të internetit të shpejtë me vendet të tjera, ku kompani të ndryshme do të përdorin këtë lloj të shpjetë interneti. Kjo kompani do të shpenzojë 200 mln euro për ndërtimin e këtij rrjeti”, u shpreh Manjani.

Po ashtu një investim 500 milionë euro sipas Manjanit do të kryejë edhe kompania CWP Europe , e cila do të ndërtojë ferma diellore në vendin tonë dhe mulli me erë në Malin e zi.

“Një tjetër sektor ku do të investoje kompania CWP Europe, e cila planifikon të ndërtojë ferma të paneleve diellore. Kompania do të ndërtojë mulli me erë në Malin e Zi dhe ferma diellore në vendin tonë. Ky investim parashikohet të jetë 500 mln euro për ndërtimin e fermave në vendin tonë. Kompania ka kërkuar mbështetje financiare nga institucionet ndërkombëtare, por ka kërkuar që bashkëfinancues për këtë projekt të jetë edhe BE”, tha ajo.

Ndërsa gjithashtu, zv.ministrja tha se një projekt tjetër ku do investohet është edhe ekonomia qarkulluese dhe dekarbonizmit industrial. Sipas Manjani, ky projekt synon përdorimin e mbetjeve për të prodhuar energji dhe ngrohje.

“Dhe një projekt tjetër është edhe ekonomia qarkulluese dhe dekarbonizmit industrial, i cili do të bëhet nga grupi Titan-Cement, që është zgjidhje për përdorimin e mbetjeve për të prodhuar energji dhe ngrohje. Në këtë projekt, mbetjet do të përdoren mbetjet për të prodhuar energji”, tha Manjani.

Gjithashtu ajo tha se BE do të bëjë sigurimin financiar të kompanive.

“Bashkimi Europian do të bëjë sigurimin financiar të këtyre kredive, kuptohet që në një masë, në varësi të projektit. Kjo motivon pjesëmarrje edhe nga kompani që mund të mos jenë konsoliduar, por mund  të përfitojnë nga ky instrument që ka vendosur Bashkimi Europian”, tha Manjani.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:38
Manjani: Duke filluar nga viti tjetër, shqiptarët nuk do të paguajnë më tarifa roaming në vendet e BE-së

 

Një ndër temat që u diskutua në Frontline, ishte heqja e tarifa roaming të Shqipërisë me vendet e BE-së. Manjani tha se heqja e tarifave do të fillojë që nga viti tjetër.

“Patjetër që edhe Presidentja e KE-së e theksoi në fjalën e saj dhe është një premtim që do të mbahet, duke filluar nga viti tjetër. Atë që kemi realizuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, do ta bëjmë edhe me vendet e BE-së. E thënë thjeshtë, tashmë qytetarët shqiptarë që do të udhëtojnë jashtë, nuk do të paguajnë tarifa të Roaming, por do të paguajnë të njëjtat tarifa si në Shqipëri”, tha Manjani.

Ndërsa sa i përket Diellës, Manjani u shpreh se pasja e një ministre me AI, është tregues i orientimit strategjik të qeverisë.

“Teknologjia është një sektor që ka shumë pikë prerje me disa sektorë të tjerë, është horizontal dhe pasja e një ministre, e cila është vetë AI, sigurisht që është një tregues për orientimin strategjik, që ka qeveria shqiptare për përmirësimin e punës dhe për të përdorur inovacionin për rritjen e eficencës vë vendimmarrje dhe procese të ndryshme”, tha zv,ministrja në Report Tv.

Ora 16:32
Manjani: Në Tiranë do të mbahet në nëntor Forumi i Investimeve me Turqinë

 

Pasi ditën e hënë në Tiranë, u mbajt Forumin i Investimeve Ekonomike i BE-së me Ballkanin Perëndimor, në Shqipëri do të mbahet një tjetër forum ekonomik.

Zv.ministrja e Financave dhe Ekonominë Olta Manjani, zbuloi në Report TV se në datë 17 Nëntor, në Tiranë do të mbahet edhe Forumi i Investimeve me Turqinë.

Sipas Manjanit, do të ftohen kompani turke që të investojnë në Shqipëri.

“Në 17 nëntor do të jetë një tjetër forum i madh, që është forumi i investimeve me Turqinë, ku do të ndiqet një modalitet i ngjashëm, për të ftuar kompani turke për të investuar në Tiranë. Ky forum do të zhvillohet në Tiranë, ku do të ketë një platformë për projekte dhe zhvillimin ekonomik të kompanive shqiptare”, tha Manjani.