Hamasi kërkon që të ruajë kontrollin e sigurisë në Gaza gjatë periudhës së pasluftës. Një zyrtar i lartë i Hamasit deklaroi për Reuters se grupi synon të mbajë kontrollin e sigurisë gjatë një periudhe të përkohshme dhe nuk mund të angazhohet për çarmatimin e tij, që përbën një sfidë serioze për planin amerikan për t’i dhënë fund luftës.
Anëtari i byrosë politike të Hamasit, Mohammed Nazzal, duke folur nga Doha, u shpreh se grupi është i gatshëm për një armëpushim prej tre deri në pesë vjet për të rindërtuar Gazën, me garanci për të ardhmen që varen nga krijimi i një perspektive për shtetësinë palestineze.
"Kjo është një fazë kalimtare. Në mënyrë civile, siç thashë, do të ketë një administratë teknokratike. Në terren, Hamasi do të jetë i pranishëm", tha ai duke shtuar se pas fazës kalimtare, duhet të ketë zgjedhje.
Nazzal mbrojti gjithashtu goditjen ndaj krimit të brendshëm në Gaza, përfshirë ekzekutimet publike të kryera së fundmi, duke i quajtur ato "masa të jashtëzakonshme" në kohë lufte ndaj personave që ishin fajtorë për vrasje. Ai theksoi se çështja e çarmatimit nuk i përket vetëm Hamasit, por të gjitha grupeve të armatosura palestineze, dhe se vendimi do të duhej të merrej në një kuadër më të gjerë kombëtar. Kjo do diskutohet, tha ai, në fazën tjetër të negociatave.
I pyetur nëse Hamasi do të dorëzonte armët, Nazzal tha: "Nuk mund të përgjigjem me po ose jo. Sinqerisht, varet nga natyra e projektit. Projekti i çarmatimit për të cilin po flisni, çfarë do të thotë? Kujt do t'i dorëzohen armët?"
Komentet e Nazzal vijnë në një moment kritik, pasi faza e parë e një marrëveshjeje armëpushimi është dakorduar, por dallimet mes qëndrimeve të Hamasit dhe planit të presidentit amerikan Donald Trump mbeten të thella. Plani i Trump parashikon kthimin e menjëhershëm të pengjeve (pengjet e gjalla janë liruar dhe disa prej trupave të vdekur janë dorëzuar), çarmatimin e Hamasit dhe dorëzimin e qeverisjes së Gazës tek një komitet teknokratësh nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu e akuzoi Hamasin se nuk ka përmbushur ende detyrimet sipas marrëveshjes. “Hamas duhet të çarmatoset. Nuk ka ‘nëse’ apo ‘por’. Ata po mbarojnë kohën,” thuhej në deklaratë.
Nazzal konfirmoi se Hamas ka dorëzuar trupat e nëntë prej 28 pengjeve të vdekur, por po përballet me vështirësi teknike për rikuperimin e të tjerëve.
Ai tha se pas kësaj periudhe kalimtare duhet të mbahen zgjedhje, duke theksuar se qëllimi i Hamasit nuk është të përgatitet për një luftë tjetër, por të ndërtohet një të ardhme me shpresë për palestinezët. Ai shtoi se Hamasi ka propozuar një armëpushim afatgjatë, tre deri në pesë vjet, dhe se garancitë për të ardhmen duhet të përfshijnë shtete që mbështesin krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
“Populli palestinez kërkon një shtet të pavarur,” tha Nazzal.
Komente











