BE 6 miliardë euro për Ballkanin, në Tiranë samiti për Planin e Rritjes, Varhelyi: Do të merret deri në 2027! Rama: Në qershor duam të jemi në zonën e pagesave në euro

TIRANË- Gjashtë miliardë euro është fondi që Bashkimi Evropian ka planifikuar të ndajë për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Plani i Rritjes i BE-së, projekti ambicioz që synon dyfishimin e ekonomive të Ballkanit brenda një dekade u diskutua në samitin e organizuar sot në Tiranë, "Ballkani Perëndimor me BE-në për Planin e ri të Rrijtes' ku morën pjesë liderët e rajonit. Por  'mundësitë mund të merren ose mund të humben, - tha Rama duke u bërë thirrje liderëve të rajonit - të angazhohen plotësisht pa asnjë rezervë, pa asnjë hezitim,  pa kufizime, pa shtrëngime! Dhe po, të përfitojmë nga kjo mundësi' për të mos humbur fondin prej 6 miliardë eurosh. 

“Me planin e ri të rritjes është e qartë, ose do të bëjmë përpara të gjithë bashkë ose do të dështojmë. Ose e bëjmë se bashku ose dështojmë të gjithë së bashku” tha Rama më tej në fjalën e hapjes së samitit duke kujtuar se bashkëpunimi është e vetmja mënyrë për tu integruar pasi “Nuk ka drekë falas në BE” .

"Sigurisht çështjet dypalëshe mbeten por duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut dypalësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh" vijoi më tej Rama ndërsa tregoi dhe ambicien se kur synon Shqipëria të aplikojë në zonën e përbashkët të pagesave euro.   

"Nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën e përbashkët të pagesave euro do të ulim  me 6 herë tarifat e qytetarëve tanë që qëndrojnë jashtë për të dërguar para në shtëpi duke qenë se do të ulë 6 herë koston e transaksioneve të biznesit me vendet e BE-së. Vetëm duke bërë këtë ne në Ballkanin Perëndimor mund të kursejmë afro gjysmë bilioni euro në xhepat e njerëzve. Ambicia jonë si Shqipëri është të jemi gati në qershor për aplikimin tonë. Nëse ulim vetëm me 3 orë kohën epritjes së kamionëve tanë, dhe në kufijtë tanë rajonalë e të BE-së mund të marrim rritje të përgjithshme prej 25 miliardë eurosh, por për të shkuar aty na duhet që të gjithë së bashku të kryejmë një procesmjaft kompleks. Ky ushtrim nuk është i lehtë" tha Rama. 

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Vareley tha se plani duhet të miratohet fillimisht nga PE. 

"Në fakt si plan është plan ambicioz, ne kemi gjysmën e kohës për ta vënë atë në zbatim, ai do duhet të vazhdonte deri në 2027, por mendoj që ne kemi besim të plotë tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ju do të mund të arrini t’i merrni përfitimet e këtij plani, të mirat që sjell ky plan, i cili ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në dhjetë vitet e ardhshme"

Më tej vuri theksin tek reformat e se ky plan do të funksionojë në rast se vendet e rajonit 'aplikojnë rregullat e Bashkimit Europian. Në rast se ju i pranoni të gjithë këto rregulla dhe pastaj mund të bëheni pjesë e tregut të vetëm edhe përpara se të bëheni shtet anëtar apo shtete anëtare"

Bëri të qartë që fondi 6 miliardë euro do të merret deri në 2027.

"Dua të shpreh dëshirën për partnerët tanë të institucioneve financiare, që përveç 30 miliardë eurove ne kërkojmë që ju të na jepni dhe një 6 miliardë tjetër euro që e sjell në fakt të gjithë këtë në nivelin e fondeve strukturore të BE për shtetet anëtare. Pra 19% e atyre që do të ofrohen në rajon do të merren deri në vitin 2027. Këto para do të arrijnë në rast se ju si institucione financiare tregoheni të shpejtë, që do të thotë Banka Europiane e Investimeve, BERZH, FMN, të gjithë tani duhet që të përshpejtoni punën, përpjekjet tuaja dhe duhet të tregoni shumë më të shpejtë se sa jeni treguar më parë"

Drejtori i Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, vuri theksin tek përshpejtimi i reformave dhe miratimi i ligjeve të mira.

"Na keni krah jush por ritmi duhet i lartë që fondet të hyjnë në maj para pushimeve verore.’- tha Gert Jan Koopman.

Kryeministri Albin Kurti do t'i adresohet samitit me një videomesazh. Ndërkohë mungon kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic.

Ndiqni lajmet në zhvillim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:39
FOTOLAJM/ 'Duke shty procesin' Rama ndan foton me komisionerin Varhelyi

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një foto me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi nga samiti BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua sot në Tiranë. 

Rama i ka bashkangjitur kësaj fotoje diçiturën “duke shty procesin”, që me sa duket i referohet procesit së integrimit evropian të Shqipërisë.

Ora 17:24
'Krenar për Shqipërinë', Rama ndan pamje nga Samiti i Ballkanit Perëndimor

1709223948_rama.JPG

'Krenar për Shqipërinë', kështu shkruan kryeministri Edi Rama ndërsa ka ndarë pamje nga Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor që u zhvillua sot në Tiranë pas atij të një dite më parë për Ukrainën.

Ora 16:35
Ndalimi i dinarit, Vuçiç: BE dhe SHBA e dënuan, janë kundër Kurtit! Jemi të gatshëm të flasim me Prishtinën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke folur pas samitit rajonal në Tiranë, ka deklaruar se BE-ja dhe SHBA-ja janë kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sa i përket çështjes për heqjen e dinarit serb. 

Vuçiç shtoi se përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk e kuptojnë pse Prishtina e ndërmori këtë veprim. 

 “Keni dëgjuar gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, të gjithë janë kundër veprimeve të njëanshme të bëra nga regjimi i Kurtit në Prishtinë. Asnjë nuk e kupton pse po e bëjnë këtë". 

Megjithatë lë një derë të hapur për Prishtinën që të ulen në bisedime, ndërsa ka kujtuar se kryenegociatori i Prishtinës, Besnik Bislimi, nuk është paraqitur në takimin në Bruksel.

"Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm të flasim për gjithçka, për çdo çështje. Kemi dërguar delegacionin me kryenegociator në Bruksel për të biseduar, por pala tjetër nuk erdhi", shtoi Vuçiç.

"Shpresojmë se do të gjejmë një mënyrë për ta zgjidhur. Përndryshe, kjo do të krijojë probleme të mëdha për serbët që jetojnë në Kosovë dhe Metohi", tha  ai.

Ora 13:14
'Doni të flas negativisht për Shqipërinë'? Varhelyi: Nuk e bëj dot! Në Bruksel ka dakordësi për hapjen e negociatave, po ndihmojmë në çështjen me Greqinë

 

Komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi në konferencën për shtyp me kryeministrin Rama pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor, u shpreh se në Bruksel ka dakordësi për hapjen e negociatave për Shqipërinë për hapjen e negociatave për grup-kapitullin e parë.

I pyetur nga gazetarët nëse do ta lejojë BE Greqinë që të bëhet pengesë për integrimin, Komisioneri përgjigjet:

Doni të flas për Shqipërinë në mënyrë negative?! Refuzoj ta bëj. Hapat tuaj e kanë treguar çfarë keni arritur. Mos harroni ku ishim. Nuk mendoj që në Bruksel ka njerëz që nuk bien dakord për arritjet. Jemi dakordësuar që Shqipëri është gati e BE do të duhet ta marrë këtë vendim. E sado tektnik që është nuk e kuptoj pse nuk e marr ne këtë vendim. Nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të mira me fqinjin nëse e bllokon për të ecur përpara. Por gjithsesi ne po përpiqemi të ndihmojmë e  shpresoj që muajin tjetër të kemi konferencën ndërqeveritare në mënyrë që të hapim negociatat e vërteta, sepse ne dëshirojmë që të hapim negociatat me grup kapitullin e parë. Që janë të drejtat themelore, sundimi i ligjit dhe ndoshta aty mund t’i diskutojmë ato të drejta themelore në mënyrë më të gjerë pasi të jenë hapur negociatat", tha Varhelyi.

Ora 12:09
VIDEO+ FOTOT/ Varhelyi ngatërron rrugën, Rama shkrihet së qeshuri! Çfarë s’u pa nga pritja e liderëve

Kryeministri Edi Rama priti sot liderët e Ballkanit Perëndimor për samitin në Tiranë, ku në fokus ishte plani i rritjes ekonomike të 6 vendeve të rajonit.

Në samitin e mbajtur në Pallatin e Kongreseve, kreu i qeverisë shqiptare ka takuar me radhë krerët e shteteve të rajonit, ku sërish ka marrë pjesë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ishte edhe në samitin për Ukrainën.

I pranishëm gjithashtu ka qenë edhe Komisioneri Zgjerimit, Oliver Varhelyi i cili në një moment ka ngatërruar rrugën, çka ka shkaktuar edhe të qeshura mes tij dhe kreut të qeverisë.

 

Ora 11:45
VIDEO/ “Pse kaq bujari me Italinë?” Rama replikon me gazetarin italian për emigrantët: Pse jo?!

 

Përpara se të niste Samiti i sotëm në Tiranë mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri Rama pati një replikë me një gazetar italian.

Ky i fundit, e pyeti në lidhje me marrëveshjen e refugjatëve Ramën, pse ishte kaq bujar me Italinë, duke qenë se ka një kosto prej 100 milionë eurosh.

Rama i është përgjigjur se kjo është çështje e Italisë. Më tej gazetari vijoi duke e pyetur për rastin Beccheti, por Rama i ka prerë shkurt duke thënë se nuk e njihte

Replikat e Ramës me gazetarin italian:

Gazetari: Pse kaq bujari me Italinë?

Rama: Pse jo!

Gazetari: Kjo bujari ka një kosto prej 100 mln euro në 5 vjet për sigurinë qe duhet të garantojë policia shqiptare jashte kampeve.

Rama: Çështja e kostove është çështje e Italisë dhe merret ajo.

Gazetari: A iu rezulton që Beccheti ka kërkuar bllokimin e këtyre 100 mln eurove?

Rama: Nuk e di kush është Beccheti.

Gazetari: A rrezikon që pas 5 vitesh kur mbaron kjo marrëveshje, nëse ka tjetër qeveri në Shqipëri, marrëveshja mund të anulohet?

Rama: Nuk mund ta parashikoj.

Ora 11:02
VIDEOLAJM/ Samiti BE-Ballkani Perëndimor, liderët pozojnë në foton familjare! I pranishëm edhe Alex Soros

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Tiranë në një samit ku në fokus është plani i rritjes ekonomike për vendet e rajonit.

Siç është kthyer traditë në çdo samit, liderët kanë pozuar për foton familjare, në krah edhe të komisionerit për Zgjerimin e BE-së Oliver Varhelyi.

I pranishëm ishte edhe Alex Soros, djali i filantropit George Soros. Kujtojmë se miliarderi dhe filantropi George Soros, ia ka dhënë kontrollin e kompanisë së tij me vlerë prej 25 miliardë dollarësh djalit të tij më të vogël, Alex Soros.

Ora 10:24
“Duhet të miratoni ligje cilësore”, zyrtari i KE-së porosi vendeve të Rajonit: Duhet të punoni me ritëm të lartë

 

Drejtori i Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman, ka deklaruar në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë tha se duhet një ritëm i lartë punimesh në mënyrë që të përfitohet nga fondet e BE.

Ai u shpreh se ka mbetur vetëm një muaj kohë për mbylljen e reformave.

‘Së pari udhëheqësit e pranishëm, dëshmi për angazhimin tuaj. Kjo tregon edhe ritmin e lartë që të ndodhë ndryshimi.

Nuk bëhet fjalë vetëm për udhëheqësit por edhe institucionet duhet të bëjnë punët e tyre. Disa nga nismat duhet të jenë tërësisht funksionale.

Ritmi është i lartë, por na ka mbetur vetëm një muaj për të mbyllur agjendën e reformave. Cilësia e ligjeve që duhet të miratoni duhet të jetë e lartë. Na keni krah jush por ritmi duhet i lartë që fondet të hyjnë në maj para pushimeve verore.’- tha Koopman.

Ora 10:22
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Varhelyi: Do dyfishojmë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por duhet të ecni shpejt

Komisioneri për Zgjerimin e BE-së Oliver Varhelyi në fjalën e tij në samitin BE-Ballkani Perëndimor tha se vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të përfitojnë nga plani i rritjes ekonomike të BE-së i cili dyfishon ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në dhjetë vitet e ardhshme. 

Varhelyi tha se përveç 30 miliardë eurove, institucionet financiare të jepain edhe 6 miliardë euro të tjera.

'Jam vërtet shumë i kënaqur që rikthehem në Tiranë dhe besoj që tashmë Tiranë është kthyer në një qytet, në një pikë takimi për të gjithë rajonin dhe për të shtyrë më tej përpjekjet e të gjithë Ballkanit Perëndimor për t'u bërë pjesë e BE-së.

Atëherë edhe pse ne po afrohemi në fundin e mandatit tonë, gjithsesi unë dëshiroj që të lëmë diçka pas. Diçka serioze, diçka që të jetë e prekshme, diçka që të jetë e ndjeshme për aspektin afatshkurtër dhe afatmesëm për procesin e zgjerimit, që procesi i zgjerimit nuk ka të bëjë me kapitujt e ndryshëm të legjislacionit apo me mënyra të ndryshme administrative që ne i kemi apo me agjenci të ndryshme, po është proces integrimi.

Ky proces integrimi do të thotë që ekonomia e Ballkanit Perëndimor, shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të integrohen në Bashkimin Europian që do të thotë në vetvete gjithashtu që edhe Bashkimi Europian duhet që të ofrojë të gjithë përfitimet që sjell anëtarësimi përpara se vendet tuaja të bëhen shtete anëtare të BE-së. Pra kjo është ideja që kemi ne dhe që sjellim me këtë plan, me Planin e Rritjes.

Në fakt si plan është plan ambicioz, ne kemi gjysmën e kohës për ta vënë atë në zbatim, ai do duhet të vazhdonte deri në 2027, por mendoj që ne kemi besim të plotë tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ju do të mund të arrini t’i merrni përfitimet e këtij plani, të mirat që sjell ky plan, i cili ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në dhjetë vitet e ardhshme. Pra dyshimin e ekonomive tuaja të Ballkanit Perëndimor, do të thotë që boshllëku i zhvillimit që tashmë është i konsiderueshëm, sepse po flasim për vende që kanë 50 % apo 30 %  të zhvillimit përsa i përket për shembulll mesatares së Bashkimit Europian, krahasuar me të do të thotë që disa vende do të kenë arritur 100 % të këtij zhvillimi dhe ato vende që ndoshta mund të jenë më pas tashmë, do të arrijnë 60 % të këtij zhvillimi në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian.

Pra ajo që ju po shihni tani përpara, ajo që keni përpara është shumë më shumë se ajo që do të kemi mundësi të shikojmë dhe besoj që është shumë e qartë edhe nga fjalët që tha kryeministri, që tashmë për planin e rritjes të gjitha vendet e rajonit e kanë marrë në dorë, duan pronësinë e këtij plani, por që të ecim përpara na duhet që rajoni të ecë përpara vetë me shpejtësi dhe kjo do të thotë që të arrihen rezultate për ato reforma që në fakt e bëjnë këtë plan funksional dhe ky plan do të funksionojë në rast se ju aplikoni rregullat e Bashkimit Europian. Në rast se ju i prani të gjithë këto rregulla dhe pastaj mund të bëheni pjesë e tregut të vetëm edhe përpara se të bëheni shtet anëtar apo shtete anëtare.

Kërkesa ime e tertë i drejtohet Institucioneve ndërkombëtare financiare, pasi sigurisht që ky plan është për të aktivizuar  përveç 30 miliardë dhe një tjetër një 6 miliardë tjetër euro që e sjell në fakt të gjithë këtë në nivelin e fondeve strukturore të BE për shtetet anëtare në gati 19% të atyre që do të ofrohen në rajon deri në vitin 2027, por ama këto do të bëhen pjesë e ekonomisë -  bazuar tek ekonomitë e këtyre vendeve sigurisht dhe jo thjesht për trashëgiminë kulturore, por e kam fjalën për shembull për vendet e punës, për rritjen ekonomike - dhe këto para do të arrijnë në rast se ju si institucione financiare tregoheni të shpejtë, që do të thotë Banka Europiane e Investimeve, BERZH, FMN, të gjithë tani duhet që të përshpejtoni punën, përpjekjet tuaja dhe duhet të tregoni shumë më të shpejtë se sa jeni treguar më parë. Dhe me këto fjalë më lejoni që ta mbyll fjalën time dhe besoj që jemi në fillimet e një ndryshimi rrënjësor, por edhe shumë të shpejtë në Ballkanin Perëndimor' tha Varhelyi.

Kryeministri Edi Rama: Nuk mund të bie dot më shumë dakord se kaq me Komisionerin për BEI, për BERZH e gjithë këto B që ata të jenë të shpejtë. Dua t’ia kaloj tashmë fjalën Gert Jan Koopman.

Ora 10:14
Samiti për planin e rritjes ekonomike, Rama-liderëve të rajonit: Ose do bashkëpunojmë, ose do dështojmë në rrugëtimin për në BE

 

Në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje liderëve që të bashkëpunojnë ngushtësisht për zbatimin e planit të Rritjes Ekonomike. Rama tha se ose e bëjnë së bashku, ose në të kundërt do të dështojnë për të qenë pjesë e BE.

"Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ndërmorën nismën e Ballkanit të hapur për të përshpejtuar progresin bazuar në parimet e procesit të Berlinit. Me planin e rritjes  do marrim hapat e nevojshëm për të ecur më pranë njëri-tjetrit dhe BE-së, ose do rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend më pranë BE. Ose e bëjmë së bashku, ose dështojmë së bashku, ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra tjetrës. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose mungesa e kësaj begatie do na bëjë të humbasim paqe. Kështu funksionin BE, kështu duhet të funksionojë BP. BE është më e gatshme se kurrë të na ndihmojë të bëhemi pjesë e saj, duhet të jemi ne tashmë më gati se kurrë të ndihmojmë veten për të mos e humbur këtë dritare. Më vete jemi gjithmonë të vegjël, por së bashku mbartim rëndësi e potencial të madh. Si mund të bëhemi më të lirë e më të mëdhenj, nëse kam eksport duhet të presin ende mijëra orë në vit në kufijtë tanë rajonal. Si mund të mos heqim barrierat jo tarifore dhe të humbasim një rritje potenciale me 3% çdo vit", tha Rama.

Ora 10:05
Sot samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Rama: Të lëmë mënjanë dallimet mes nesh dhe të transformojmë rajonin

 

Po mbahet në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor. Në fjalën e tij hapëse në samit kryeministri Edi Rama bëri thirrje që të lëmë pas ndasitë e së shkuarës dhe të ecim para. Kreu i qeverisë tha se çështjet dy palëshe duhet të zgjidhen nga dialogu mes dy palëve dhe jo të ndërhyjnë në bashkëpunimin shumëpalësh.

'Përmirësimin e marrëdhënieve tona duke nxitur bashkëpunimin midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Plani i ri i rritjes i BE-së në vetvete është një rezultat inkurajues. Nuk mund të isha më falënderues së kaq ndaj presidentes Ursula Von Der Leyen e Varheley dhe gatishmërinë e tyre për të dëgjuar shqetësimet tona.

Për mua është shumë  qartë se mundësia e re që përfaqëson ky plan që është jashtë kornize është jo vetëm njohje nga ana e BE-së e përpjekjeve tona për të ndërtuar një përpjekje të përbashkët na sfidon për të gatishmërinë tonë për fatin në BE. Në duhet të angazhohemi pas asnjë rezervë, pa asnjë hezitim.

Vendet e rajonit të bashkëpunojnë. Çështjet dy palëshe mbeten por duhet të zgjidhen përmes dialogut dy palësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë bashkëpunim shumë palësh.’- tha Rama.

Ora 09:39
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama pret liderët e vendeve të rajonit

 

Sot në Tiranë po mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor. Kryeministri Edi Ram ka pritur delegacionet nga i gjithë rajoni para në Pallatin e Kongreseve.

Kryeministri Rama priti kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjës Borjana Kristo, pas saj mbërriti kryeministri shqiptari Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi.

I fundit në radhë të liderëve të rajonit që mbërriti, ishte presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ora 08:35
Mungon në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, burime për Report Tv: Kurti do bëhet pjesë përmes një video-mesazhi

1708170307_albinkurti.jpg

Tirana do të presë një tjetër samit, pas atij me Ukrainën, do të zhvillojë samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Albin Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë, thonë burime për gazetaren e Report Tv, Raziela Myslimaj.

Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi.

Ora 08:29
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama: Plani i Rritjes Ekonomike do mundësojë mbështetje të re për 6 vendet e rajonit

Kryeministri Edi Rama ka nisur mëngjesin e sotëm me një postim në Facebook lidhur me samitin që do të mbahet në Tiranë. Në fokus të samitit do të jetë plani i Rritjes Ekonomike, për të cilin Rama thotë se do të sigurojë mbështetje të re për 6 vendet e rajonit.

“MIRËMËNGJES dhe me veçantinë e një tjetër dite, ku Shqipëria mikpret Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE për Planin e Ri të Rritjes, i cili do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit tonë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

 

Ora 07:14
Sot samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, kush janë liderët që do marrin pjesë (AXHENDA)

Liderët e rajonit mblidhen sot në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, si edhe liderët e Ballkanit Perëndimor.

Vetëm përfaqësues nga Kosova mungojnë në këtë samit, ndonëse presidentja Osmani mori pjesë në samitin e një dite më parë për Ukrainën.

Lisa e Pjesëmarrësve
1-Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë
2-Aleksandër Vuçiç – President i Serbisë
3-Borjana Kristo – Presidente e Këshillit të Ministrave të Bosnjes dhe Hercegovinës
4-Talat Xhaferi – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut
5-Oliver Varhelyi – Komisioneri i BE-së për Zgjerimin
6-Majlinda Bregu – Sekretare e Përgjithshme për Bashkëpunimin Rajonal
7-Danijela Gacevic – Drejtuese në detyrë e CEFTA-s
8-Gert Jan Koopman – Drejtor i përgjithshëm i grupit negociator të KE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin
9-Xiaoqing Yu – Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor
10-Charlotte Ruhe – Drejtori menaxhues i BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore
11-Matej Zakonjsek – Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit për Transportin
12-Maja Pishkeviq –  Qendra e Evropës në Këshillin Atlantik dhe përfaqësuese e qendrës në Ballkanin Perëndimor
13-Alessandro Bragonzi – Kreu i përfaqësimit rajonal për Ballkanin Perëndimor në Bankën Evropiane të Investimeve (EIB)
14-Lulzim Rafuna – Kryetar i Dhomës së Tregtisë së Kosovës
15-Ines Muçostafa –  Kryetare e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë
16-Andi Dobrushi – Drejtor Ekzekutiv i OSFA
SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Leku leter: 01/03/2024 00:00

    Kane pese gjashte vite qe e permendin kete gjashte miliard , jo po pese miliard jo po ashtu ne fund as njeqind milionEuro nuk merr Shqiperia ! Keshtu me fjale kemi derguar kamzen ne boteror me rugen ronaldinjo problemi eshte se premtohet shume merret pak , pak a shume e kemi kuptuar si rroga nenteqind euro ne muaj ne fakt akoma me treqind e kosur apo katerqind ka mbetur puna. Ndaj besoj reklama e madhe ne te vertete nuk besoj se as njeqind milion sdo ti marrim kete here

    Përgjigju
  • Patronamuti: 29/02/2024 17:33

    Merini njeher fondet pataj vidhini o qener qe mos u ngopshi o tretesira te pangopura

    Përgjigju
  • Fshatari largohet nga fshati por jo fshati nga fshatari: 29/02/2024 16:04

    E ça bohet kshu mer jahu, dikur e kishte fajin enveri, pastaj saliu, tani rama. Po si nuk gjeten karar ne pellazgot, e çuditshme.

    Përgjigju
  • Emigranti: 29/02/2024 12:48

    Mire qe pyesin gazetaret Italiane per Shqiperine se keta tanet jane peribret. Ne nuk jemi bujar me Italine jemi gati te heqim dhe breket me kedo qe na paguan. Cdo gje eshte ne shitje, toka e deti sipas pazarit.

    Përgjigju
  • Rama cazzo: 29/02/2024 09:54

    Ky e ka ber si pronen e vet Shqiperine,mbledh samite per interes te vet e bllokon gjith Tiranen sikur esht te baçja e vet.Po mir ja ben xhanem se ky popull keshtu e do

    Përgjigju
  • Tao: 29/02/2024 09:51

    Ka shume axhende te ngjeshur Albini, nuk merr dot pjese. Sot takim me Biden, neser me Macron, dje kishte me Sholz. Ky qyqari s'le forum te dores se trete pa shkuar dhe rri nga 1 jave, sepse askush tjeter nuk e therret, gjen arsye per mos ardhur ne Shqiperi ne nje samit te tille per Rajonin. Pastaj kur levrohet ndonje fond nga BE (nen zerin e forte te Edi Rames qe flet ne emer te Rajonit), ky eshte i pari qe merr meritat ne Kosove.

    Përgjigju
  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 29/02/2024 07:37

    Majlinda Ajazi force levizese e shoqerise.

    Përgjigju
    • Or tej: 29/02/2024 09:42

      Cfare roli ka kjo Majlinda or teeeejjjjj

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Juventus rigjen shkëlqimin, Koopmeiners dhe Gonzales supergola! Sonte dy sfida për 1/8 e Kupës (VIDEO)

Juventus rigjen shkëlqimin, Koopmeiners dhe Gonzales supergola! Sonte dy sfida për 1/8 e Kupës (VIDEO)