BE e mirëpriti planin e Donald Trump me 20 pika për fundin e luftës në gaza. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen krahas gatishmërisë për kontribut thekson se Izraeli dhe Palestina duhet të jetojnë në paqe larg terrorizmit.

“Armiqësitë duhet të përfundojnë me ofrimin e ndihmës së menjëhershme humanitare për popullsinë në Gaza dhe me lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. Një zgjidhje me dy shtete mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, me popullin izraelit dhe atë palestinez që jetojnë krah për krah, në paqe dhe siguri, të lirë nga dhuna dhe terrorizmi”, tha Von del Leyen.

Në Izrael plani I Trump u sulmua menjëherë nga ministrat e  së djathtës në kabinetin e Netanyahut. Bezalel Smotrich thotë se plani do të sjellë sërish luftë.

“Një dështim i madh diplomatik, një mbyllje sysh dhe kthim i shpinës ndaj të gjitha mësimeve të 7 tetorit, dhe sipas vlerësimit tim, do të përfundojë edhe me lot”, tha ministri izraelit.

Netanyahu tha në një mesazh të shpërndarë në platformat sociale se ai nuk njohu shtetin e Palestinës në krah të Donald Trump. Sipas pikës 19 të planit parashikohet të shkohet drejt një skenari të tillë ndërsa ushtria izraelite do të tërhiqet në 3 faza nga territori por Netanyahu thotë se IDF do të qëndrojë në pjesën më të madhe të gazës.

“Do t’i rimarrim të gjithë pengjet tona, ndërsa ushtria izraelite do të mbetet në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës. Krijimi i një shteti palestinez as nuk parashikohet në marrëveshje. Ne thamë se do ta kundërshtonim me vendosmëri një shtet palestinez”, u shpreh Netanyahu.

Ndërkohë, ka reaguar sot edhe Presidenti amerikan Donald Trump, i cili i ka caktuar Hamasit një afat për të kthyer përgjigje në lidhje me planin për Gazën. Duke folur për gazetarët, Trump tha se Hamasi ka 3-4 ditë kohë për t’u përgjigjur.

Plani i Trump për paqen në gaza u pëlqye edhe nga Rusia, ndërsa tani pritet përgjigja e Hamasit. Kjo do të vijë në ditët në vijim sic tha një burim I cituar në media, ndërsa Katari njoftoi se këtë të martë delegacione të Turqisë, Katarit dhe Hamasit do të takohen në Doha për të folur në lidhje më një përgjigje. Në pikën 6 të planit të Trump, parashikohet edhe amnistia për ata anëtarë të Hamas që do zotohen për bashkëjetesë paqësore dhe për dorëzimin e armëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:48
Hamasi: Jemi afër pranimit të planit të Trump

1759244061_hamasi.JPG

Sipas disa burimeve palestineze, Hamasi dhe fraksione të tjera të armatosura në Gaza janë të prirura të pranojnë planin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Rrip. Një burim pranë Hamasit zbuloi për Sky News Arabia se "lëvizja është afër pranimit të planit të Trump". Hamasi "ka kërkuar një sërë sqarimesh nga ndërmjetësi i Katarit në lidhje me garancitë se lufta nuk do të rifillojë pasi Netanyahu të marrë pengjet izraelite, orarin për tërheqjen e IDF-së, fushëveprimin e tërheqjes dhe garancitë kundër sulmeve të ardhshme ndaj udhëheqësve të lëvizjes jashtë vendit".

Ora 15:55
Trump: Hamasi ka 3-4 ditë kohë për të pranuar planin, ka pak hapësirë ​​për negociata

1759240691_trumpmereporteret.JPGDonald Trump, duke folur me gazetarët para fjalimit të tij në bazën militare Quantico, tha se do t'i jepte Hamasit "tre ose katër ditë" për të pranuar planin e tij të paqes për Gazën dhe paralajmëroi se kishte pak hapësirë ​​për negociata. Ndërkohë, Katari njoftoi një takim të ri me Hamasin dhe Turqinë për Gazën sonte në mbrëmje. Duke folur me gjeneralët e mbledhur në Quantico, Trump përsëriti se "në nëntë muaj në Shtëpinë e Bardhë, ka zgjidhur shtatë luftëra, dhe ndoshta dje më të madhen", dhe përsëriti dëshirën e tij për të "bashkuar" Vladimir Putinin dhe Volodymyr Zelenskyn.

Ora 13:03
Katari njofton takim për Gazën me Hamasin dhe Turqinë sonte

1759231507_dohanegociatatpergazen.JPG

Katari ka njoftuar një takim të ri me Hamasin dhe Turqinë lidhur me situatën në Gaza, që do të mbahet sonte. Një burim palestinez pranë Hamasit ka deklaruar se grupi po shqyrton propozimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

“Hamasi ka nisur një sërë konsultimesh me udhëheqjen e tij politike dhe ushtarake, si në Palestinë ashtu edhe jashtë saj,” tha burimi për AFP, në kushte anonimiteti.
“Diskutimet mund të zgjasin disa ditë për shkak të kompleksitetit të komunikimit mes anëtarëve të udhëheqjes dhe lëvizjeve, veçanërisht pas agresionit izraelit në Doha,” shtoi ai.

Edhe një tjetër burim palestinez konfirmoi se Hamasi po shqyrton planin e Trump.

Ora 12:53
Kremlini: Ne mbështesim planin e Trump për Gazën

1757161612_dmitrypeskov.avif

Rusia thotë se mbështet dhe mirëpret planin e Donald Trump për Gazën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se shpreson që plani të zbatohet dhe të mundësojë një zgjidhje paqësore.

“Rusia mbështet dhe mirëpret planin e Donald Trump për Gazën dhe shpreson se ai do të zbatohet, duke mundësuar një zgjidhje paqësore”, tha Peskov, i cituar nga agjencia e lajmeve Interfax.

Ora 12:15
Netanyahu: Ushtria jonë do qëndrojë në pjesën më të madhe në Rripin e Gazës

1758472152_benjaminnetanyahu.JPG

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se ushtria izraelite do të mbetet në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës, pasi miratoi planin e paqes për territorin palestinez të paraqitur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. "Ne do t'i rimarrim të gjithë pengjet tona, të gjallë ose jo, ndërsa ushtria izraelite do të mbetet në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës", tha Netanyahu në një video të postuar në kanalin e tij Telegram.

Ora 11:01
Autoriteti palestinez: Të angazhuar me SHBA, reforma thelbësore brenda 2 vitesh

 

Në një deklaratë zyrtare, presidenca e Autoritetit Kombëtar Palestinez, duke përshëndetur "me mirëkuptim përpjekjet e sinqerta dhe të vendosura të Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza", shprehet e gatshme që brenda dy vitesh të zbatojë:

  • zhvillimin e programeve mësimore në përputhje me standardet e UNESCO-s (duke përjashtuar librat shkollorë që nxisin shkatërrimin e Izraelit) 
  • shfuqizimin e ligjeve që parashikojnë pagesa për familjet e të burgosurve dhe të "dëshmorëve".

"Shprehim gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha palët për të arritur paqen", thuhet në deklaratë.

Ora 10:40
Plani me 20 pika i Trump për Gazën/ Lirohen pengjet, aministohen anëtarët e Hamas, qeveria e përkohshme mbikqyret nga “Bordi i Paqes”

Plani i Donald Trump i prezantuar të hënën, është quajtur "Plan gjithëpërfshirës për përfundimin e konfliktit në Gaza"

1.    Gaza do të bëhet një zonë e çradikalizuar, pa terror, që nuk përbën kërcënim për fqinjët e saj.

2.    Gaza do të rindërtohet për të mirën e popullit të saj, i cili ka vuajtur më shumë se mjaftueshëm.

3.    Nëse të dyja palët bien dakord me këtë propozim, lufta do të përfundojë menjëherë. Forcat izraelite do të tërhiqen deri në vijën e rënë dakord për t’u përgatitur për lirimin e pengjeve. Gjatë kësaj kohe, të gjitha operacionet ushtarake, përfshirë bombardimet ajrore dhe me artileri, do të pezullohen, dhe vijat e frontit do të ngelen të ngrira deri sa të plotësohen kushtet për tërheqjen e plotë me faza.

4.    Brenda 72 orëve nga pranimi publik i marrëveshjes nga Izraeli, të gjitha pengjet – të gjalla apo të vdekura – do të kthehen.

5.    Pasi të lirohen të gjitha pengjet, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur me burgim të përjetshëm dhe 1700 banorë të Gazës të arrestuar pas 7 tetorit 2023, përfshirë të gjitha gratë dhe fëmijët e ndaluar në këtë kontekst. Për çdo peng izraelit të vdekur që kthehet, Izraeli do të kthejë trupat e 15 palestinezëve të vdekur.

6.    Pasi të kthehen të gjitha pengjet, anëtarët e Hamasit që zotohen për bashkëjetesë paqësore dhe për dorëzimin e armëve do të amnistohen. Ata që dëshirojnë të largohen nga Gaza do të kenë mundësi kalimi të sigurt drejt vendeve pritëse.

7.    Me pranimin e kësaj marrëveshjeje, ndihma humanitare do të hyjë menjëherë në Rripin e Gazës. Minimumi i ndihmës do të përputhet me atë të marrëveshjes së 19 janarit 2025, duke përfshirë rehabilitimin e infrastrukturës (ujë, energji elektrike, kanalizime), spitaleve, furrave të bukës dhe futjen e pajisjeve të nevojshme për heqjen e rrënojave dhe hapjen e rrugëve.

8.    Shpërndarja dhe hyrja e ndihmës në Gaza do të kryhet pa ndërhyrje nga të dy palët, përmes Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të saj, Gjysmëhënës së Kuqe dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare neutrale. Hapja e kalimit të Rafahut në të dy drejtimet do të funksionojë sipas mekanizmit të marrëveshjes së 19 janarit 2025.

9.    Gaza do të qeveriset përkohësisht nga një komitet palestinez teknokratik dhe jopolitik, përgjegjës për ofrimin e shërbimeve publike për popullin. Ky komitet do të përbëhet nga palestinezë të kualifikuar dhe ekspertë ndërkombëtarë, nën mbikëqyrjen e një organi të ri ndërkombëtar kalimtar, "Bordi i Paqes", i kryesuar nga Presidenti Donald J. Trump. Ky bord do të përcaktojë kornizën dhe financimin për rindërtimin e Gazës deri sa Autoriteti Palestinez të përfundojë reformat e tij dhe të jetë i aftë të rimarrë kontrollin në mënyrë të sigurt.

10.                       Një plan zhvillimi ekonomik i udhëhequr nga Trump do të hartohet nga një panel ekspertësh që kanë kontribuar në ndërtimin e qyteteve moderne në Lindjen e Mesme. Do të shqyrtohen propozime investimi dhe ide zhvillimi nga grupe ndërkombëtare me qëllime të mira për të krijuar mundësi, vende pune dhe shpresë për të ardhmen e Gazës.

11.                       Do të krijohet një zonë ekonomike e veçantë me tarifa preferenciale dhe akses të veçantë, që do të negociohet me vendet pjesëmarrëse.

12.                       Askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza. Ata që dëshirojnë të largohen do të jenë të lirë ta bëjnë këtë dhe të rikthehen kur të dëshirojnë. Qëllimi është të inkurajohen të qëndrojnë dhe të kontribuojnë për ndërtimin e një Gaza më të mirë.

13.                       Hamasi dhe grupet e tjera nuk do të kenë asnjë rol në qeverisjen e Gazës – as drejtpërdrejt, as tërthorazi. Të gjitha strukturat ushtarake dhe terroriste, përfshirë tunelet dhe fabrikat e armëve, do të shkatërrohen dhe nuk do të rindërtohen. Do të zhvillohet një proces çmilitarizimi nën mbikëqyrjen e monitoruesve të pavarur, me program të blerjes së armëve dhe reintegrimit, të financuar ndërkombëtarisht dhe të verifikuar nga këta monitorues.

14.                       Partnerët rajonalë do të ofrojnë garanci që Hamasi dhe fraksionet të përmbushin detyrimet e tyre dhe që Gaza e Re nuk do të përbëjë kërcënim për fqinjët apo popullin e saj.

15.                       SHBA do të punojë me partnerët arabë dhe ndërkombëtarë për të krijuar një Forcë të Përkohshme të Stabilizimit Ndërkombëtar (ISF), e cila do të dërgohet menjëherë në Gaza. ISF do të trajnojë dhe mbështesë forcat policore palestineze të verifikuara, në bashkëpunim me Jordaninë dhe Egjiptin. Kjo forcë do të ndihmojë në sigurinë e brendshme dhe kufijtë me Izraelin dhe Egjiptin. Objektivi është të parandalohet futja e armëve dhe të lehtësohet furnizimi i shpejtë dhe i sigurt për rindërtimin e Gazës. Do të krijohet një mekanizëm për shmangien e konfliktit ndërmjet palëve.

16.                       Izraeli nuk do të pushtojë ose aneksojë Gazën. Ndërsa ISF vendos kontrollin dhe stabilitetin, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të tërhiqen sipas standardeve, afateve dhe kushteve të dakorduara me ISF, SHBA-në dhe garantuesit, me synimin për një Gaza të sigurt që nuk përbën kërcënim për Izraelin, Egjiptin dhe qytetarët e tyre. Praktikisht, IDF do t’ia dorëzojë gradualisht territorin ISF-së, derisa të tërhiqet plotësisht, përveç një pranie të kufizuar sigurie deri sa të garantohet mungesa e kërcënimit terrorist.

17.                       Nëse Hamasi vonon ose refuzon këtë propozim, ndihma dhe pjesët e planit do të vazhdojnë të zbatohen në zonat e çliruara nga IDF dhe të dorëzuara ISF-së.

18.                       Do të krijohet një proces dialogu ndërfetar, i bazuar në vlerat e tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore, për të ndryshuar narrativat dhe mendësitë e palestinezëve dhe izraelitëve dhe për të theksuar përfitimet që vijnë nga paqja.

19.                       Ndërsa përparon rindërtimi i Gazës dhe realizohen reformat e Autoritetit Palestinez, mund të krijohen kushtet për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze – aspiratë kjo e njohur e popullit palestinez.

20.                       SHBA do të vendosë një dialog ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve për të përcaktuar një horizont politik për bashkëjetesë paqësore dhe të begatë.

 

Ora 10:37
Von der Leyen vlerëson planin e Trump: BE gati të kontribuojë

“Përshëndesim angazhimin e presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Inkurajojmë të gjitha palët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi. BE është e gatshme të kontribuojë”. Kështu shkruan në X presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Aktet luftarake – shton ajo – duhet të ndalen, duke siguruar menjëherë ndihmë humanitare për popullsinë e Gazës dhe duke liruar menjëherë të gjitha pengjet. Një zgjidhje me dy shtete mbetet e vetmja rrugë e mundshme drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, ku populli izraelit dhe ai palestinez të mund të jetojnë krah për krah, në paqe e siguri, të lirë nga dhuna dhe terrorizmi”, pwrfundon reagimin e saj Presidentja e Komisionit Evropian. 

 

Ora 10:30
Ministri izraelit: Plani me 20 pika është dështim, do përfundojë me lot

1759241787_1756453447bezalelsmotrich.jpg

Plani i Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza është një dështim diplomatik i bujshëm për Izraelin, sipas Bezalel Smotrich, Ministrit izraelit të së djathtës ekstreme i cili, duke renditur disa dispozita të planit në 20 pika, e ka quajtur atë një përzierje të pashijshme. Në një postim në X, Smotrich e përshkroi planin një dështim diplomatik bujshëm, një plan mbi të cilin mbyllen sytë dhe që i kthen shpinën të gjitha mësimeve të 7 tetorit, duke iu referuar sulmit të Hamasit në 2023, që ndezi luftën në Gaza. Sipas meje, do të përfundojë gjithashtu me lot. Fëmijët tanë do të detyrohen të luftojnë përsëri në Gaza, shtoi ai.

 

A.I/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?