Ekspertët e çështjeve zgjedhore, Gerta Meta dhe Kristaq Kume, shprehën skepticizëm ndaj planit të Dritan Goxhajt për dorëheqjen e qeverisë dhe ngritjen e një strukture të re tranzitore, por duke shkërrmoqur sistemin aktual.
E ftuar në "Studio Live" me Ermal Qorin në Report Tv, Meta tha se protesta është një mjet legjitim demokratik për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisjes, por ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si do të realizoheshin në praktikë kërkesat e paraqitura, si dhe vuri në pikëpyetje integritetin e protagonistëve të protestës, përfshirë Goxhajn.
"Masiviteti tregon në thelb se ka një problematikë që lidhet me qeverisjen.Patjetër që gjithë ecuria e procesit do kohën e vet të piqet, të formësohet. Dhe shkojmë te pyetja kush do jenë këta njerëz që do jenë kaq ndryshe nga këta që janë në fuqi",- trha eta.
Nga ana tjetër, ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, argumentoi se skenari i propozuar për krijimin e një Asambleje Kombëtare Tranzicioni përballet me pengesa të mëdha praktike dhe institucionale. Ai theksoi se Shqipëria nuk ndodhet në kushtet e përmbysjes së sistemit politik, por në një fazë të konsolidimit të institucioneve demokratike.
"Më thuaj me çfarë instrumentash dhe në ç’rrugë do ta realizosh. Ne nuk jemi në kushtet që po përmbysim sistemin. Ne jemi në kushtet e një shoqërie që për 30 vjet ka qenë në tranzicionin e saj, në kushtet e zbatimit të një sistemi ekonomik kapitalist. Sot ne jemi në fazën kur kemi kaluar fazën e tranzicionit dhe po hyjmë në fazën e zhvillimit të një shoqërie demokratike, si shoqëri vërtetë demokratike",- tha Kume.
Sipas planit të Goxhajt, qytetarët do të propozonin emra individësh që nuk kanë qenë pjesë e sistemit politik të 36 viteve të fundit, ndërsa 101 anëtarët e Asamblesë do të përzgjidheshin me short publik. Kjo Asamble do të kishte mandat 12-mujor për të emëruar një qeveri tranzicioni, gjithashtu të përzgjedhur me short nga profesionistë të fushave përkatëse, për të hartuar një Kushtetutë të re dhe për ta paraqitur atë në referendum popullor. Pas miratimit të saj do të organizoheshin zgjedhje të reja dhe më pas si Asambleja ashtu edhe qeveria tranzitore do të shpërndaheshin.
Komente






