VIDEO/ Plas grushti mes deputetëve në Parlamentin serb, Garda ndërhyn për t'i ndarë

Deputetët e partisë në pushtet dhe ata të opozitës janë shtyrë dhe rrahur mes vete gjatë seancës plenare të 25 nëntorit. Në transmetimin e seancës parlamentare, zëri ishte i ndalur, kështu që nuk mund të dëgjohej se çfarë po i thoshin deputetët njëri-tjetrit, as nuk ishte e qartë se si nisi incidenti.

Por, gjatë transmetimit u pa se sigurimi i Parlamentit ndërhyri për t’i ndarë deputetët e pushtetit dhe opozitës, teksa ata po shtyheshin dhe po e godisnin njëri-tjetrin.

Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Bërnabiq, u kërkoi deputetëve të kthehen në ulëset e tyre, në mënyrë që seanca plenare të mund të vazhdojë.

Deputetët opozitarë njoftuan se do të bllokojnë punën e Parlamentit, pasi Bërnaqi refuzoi kërkesën e tyre për të caktuar një seancë ku do të diskutohej për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë serbe, pas incidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, kur 15 persona humbën jetën si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni.

Opozita serbe po kërkon shkarkimin e kryeministrit Millosh Vuçeviç, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe penale për ngjarjen në Novi Sad.

Incidentet në Parlament nisën në momentin kur kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, dhe ministrat e Qeverisë serbe hynë në sallën plenare.

Deputetët opozitarë ngritën pankarta ku shkruhej “Korrupsioni vret” dhe “Duart tuaja janë të përlyera me gjak”.

Ata gjithashtu shpalosën një pankartë me figurën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku duart e tij ishin me ngjyrë të kuqe.

Deputetët e pushtetit u përgjigjën duke ngritur fletë ku shkruhej “Llum i verdhë, korrupsioni dhe hajnia janë emri juaj i mesëm”.

Një pjesë e deputetëve opozitarë më pas u përpoqën të afrohen te ministrat.

Incidenti ndodhi gjithashtu edhe në galerinë e sallës së Kuvendit, ku siguria e Parlamentit ndërhyri po ashtu.

Në galeri, deputetët e pushtetit shpalosën një pankartë me shkrimin “Llumi i verdhë do luftë, Serbia do punë”. Po ashtu pati përleshje me deputetët e opozitës, të cilët tentuan të hiqnin pankartën.

Fjalimi i kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, u ndërpre nga opozita, të cilët krijuan zhurmë përmes pipave dhe vuvuzellave, teksa deputetët opozitarë mbajtën në duar pankarta ku shkruhej “Duart tuaja janë të përlyera me gjak”./REL

Xh.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • serbi: 25/11/2024 15:13

    po ca lesh sherri eshte ky ... thjesht jane ferkuar dhe kane perplasur hajdaret, fiks si majmunet. sa ironik deti me kamera qe i ka rethuar e pret gjemen ... qe nuk ndodhi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Adele i jep lamtumirën fansave: Nuk e di se kur do të rikthehem sërish

Adele i jep lamtumirën fansave: Nuk e di se kur do të rikthehem sërish