Afro 360 milionë euro është stoku i kredive me probleme në bilancet e bankave. Në përqindje raporti i huave me probleme është sa 3.8%, e totalit të kredisë së dhënë për ekonominë. Një shifër që ka ardhur në ulje, dhe që sipas Bankës së Shqipërisë, i detyrohet, vitet e fundit dhe ky reduktim thotë Banka e Shqipërisë ka ardhur kryesisht prej rritjes së shpejtë të kredisë.
Por kredia e keqe do të ishte shumë herë më e lartë, nëse ndër vite bankat nuk do të fshinin miliarda lekë nga regjistrat e tyre.
Raporti i fundit i bankës qendrore tregon se gjatë një dekade 2015-2025 nga regjistrat e bankave tregtare janë fshirë 90 miliardë lekë (afro 940 mln euro) kredi të humbura, pra që nuk janë shlyer ndër vite. Në vitin 2015, niveli i kredive të këqija ishte 22.85%. Ky vit shënon momentin kur Banka e Shqipërisë vendos të ndërhyrje me një plan të posaçëm masash.
Vetëm gjatë vitit 2025 thuhet në raport bankat kanë fshirë 7 miliardë lekë ose rreth 73 milionë euro kredi të konsideruara të humbura.
Gjatë këtij viti është vërejtur rritje e lehtë në stokun e kredive për të cilat afati i kthimit ka kaluar me mbi 180 ditë thuhet në raportin e stabilitetit financiar. Më problematike janë sipërmarrjet, pasi huaja e keqe për zhvillim biznesi gjatë vitit të kaluar u rrit nga 4.5% që ishte në 6% thotë banka.
Për shkak të vështirësive në kthimin e kredive dhe shlyerjes së kësteve në kohë, gjatë 2025-ës është regjistruar edhe niveli më i lartë i kredive të ristrukturuara. Janë gati 43 milionë euro kredi të rishikuara, kryesisht të biznesit si në monedhën kombëtare ashtu dhe në valutë.
“Forma kryesore e ristrukturimit e kërkuar nga klientët dhe e miratuar nga bankat ishte zgjatja e afatit të maturimit. Fluksi i kredisë së ristrukturuar për këtë periudhë është më i larti që nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2021”, theksohet në raport.
2026-a nisi me një rritje të lehtë të kredive me probleme nga 3.8% në dhjetor në 3.85% në janar, por më pas ky nivel zbriti në shkurt përsëri në 3.8%. Luhatjet vijojnë të jenë kryesisht nga sektori i bizneseve.
Komente










