Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm 7-të të pandehurit e skandalit të “Plazhit të Gjeneralit”, ku mes të cilëve ishte dhe biznesmeni i ndërtimit Alban Xhillari dhe ish-kreu i AKKP-së Tunxh Vatnikaj. Pas 97-të seanca gjyqësore, dje gjyqtari i çështjes Arben Micko ka lexuar vendimin duke shpallur të pafajshëm shtatë të pandehurit, për të cilët prokuroria e Tiranës në pretencën e saj kërkoi dënimin me nga 1.5 deri në 2 vjet burg si dhe me 10 milion lekë të vjetra për secilin nga të pandehurit. Ish-drejtori Tunxh Vatnikaj, juristi Ali Aliu, biznesmeni Alban Xhillari, topografi Fatos Xhuzi, Gjergji Hysko, Alma Shehu si dhe Petrit Kullulli, u shpallën të pafajshëm pasi sipas vendimit ata gjatë kryerjes së detyrës nuk kanë falcifikuar asnjë dokument, prej të cilit më pas do të tjetërsoheshin pronat në zonën bregdetare të Gjirit të Gjeneralit. Duke iu referuar kërkesës për gjykim të përgatitur nga Prokuroria e Tiranës, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë tentuar të tjetërsojnë pronësinë dhe të zhvendosin një sipërfaqe të konsiderueshme toke afër “Plazhit të Gjeneralit” në Kavajë. Sipas organit të akuzës, pazaret janë bërë me sipërfaqe trualli në pronësi të familjes Shijaku. Sipas një marrëveshjeje mes familjes Shijaku dhe të pandehurit Xhillari, ky i fundit mund të blinte truall në pronësi të familjes nëse ai i ndihmonte ata për kthimin e pronave nga AKKP-ja. Pas disa kohësh një pjesëtar i familjes Shijaku mësoi se prona e tyre nga fshati Bago do të “udhëtonte” në fshatin Bardhore. Sipas prokurorisë, nga kreu i hipotekës Kavajë, Fatos Gjuzi, janë falsifikuar faqe të regjistrit origjinal hipotekor të viteve 1933-’35, ku është spostuar sipërfaqja. Përfshirja e ish-kreut të AKKP-së, Vatnikaj, qëndron në faktin që ai ka pasur dijeni për veprimet e jashtëligjshme, pasi për prokurorinë rezulton se Vatnikaj disa herë ka kërkuar informacion për ecurinë e kësaj dosjeje.